Mesazhet e ambasadorëve për luftimin e korrupsionit në RMV t’iu adresohen edhe më qartë mbajtësve të pushtetit

Javëve të fundit kemi qenë dëshmitar të deklaratave të ambasadorëve të jashtëm në RMV për praninë e korrupsionit në vend. Mesazhet i adresoheshin sistemit nëpërgjithësi, nevojës për ndryshimin e tij dhe nevojës për reforma, pasi korrupsioni, siç u shprehën disa prej tyre detyron të rinjtë të largohen nga vendi. Kritika për këtë çështje së fundmi kanë dërguar ambasadori evropian David Geer, ambasadoret e Gjermanisë Anke Holstein, e Suedisë, Ami Larson Jain dhe ajo e ShBA-së, Angela Aggeler, shkruan Portalb.mk.

Ish-drejtoresha e Institutit për Politika Evropiane, Malinka Ristevska Jordanova për Portalb.mk, deklaroi se korrupsioni tashmë prej vitesh është një nga temat prioritare të partnerëve dhe donatorëve të huaj në vend. Megjithatë, kemi qenë dëshmitarë se gjatë muajve të fundit deklaratat (sidomos nga përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së) po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më të ashpra. Ajo e ngre çështjen në një nivel më të lartë në diskursin publik. Megjithatë, sipas saj, të hapura janë pyetjet se çfarë lloj ndryshimesh priten dhe nga cilat subjekte. Deklaratat e fundit përmendin nevojën për “ndryshime në sistem”, por nuk është e qartë se për cilin sistem bëhet fjalë – nëse më konkretisht institucionet për luftimin e korrupsionit, apo, për shembull, sistemi zgjedhor.

“Megjithatë, sistemi aktual i luftimit të korrupsionit është ndërtuar me ndihmën e fortë profesionale dhe mbështetjen e partnerëve të huaj. Çdo ndryshim i sistemit vetëm në nivelin e ndryshimeve ligjore nuk do të zgjidhë problemet, sepse thelbi është në lojën e sistemit, moszbatimi, kultura e mosndëshkimit dhe klientelizmi partiak. Një mesazh shumë më i fortë nga partnerët e huaj do të ishte ai që do të synonte drejtpërdrejt mbajtësit e pushtetit politik dhe ushtrimin e tyre të pushtetit. Pa një mesazh të tillë, efektet e mbajtjes së problemit të korrupsionit në agjendë mund të kenë një efekt dekurajues për të gjitha subjektet e tjera në vend që po përpiqen të luftojnë korrupsionin”, vlerëson Ristevska.

Nga ana tjetër Sefer Selimi – drejtor i organizatës joqeveritare “Democracy Lab” nënvizoi se nuk do mend që deklaratat e korpusit diplomatik, posaçërisht nga aleatët më të ngushtë dhe mbështetësit kryesor të rrugëtimit të RMV drejt një demokracie të konsoliduar funksionale për luftë kundër korrupsionit janë të drejtuara drejt funksionarëve qeveritar dhe pushtetarëve në të gjitha nivelet.

“Kjo për arsyen e thjeshtë sepse korrupsioni ndodh ose para syve të tyre ose ata vetë janë të përfshirë në veprime të tilla kriminale. Prandaj, angazhimi deklarativ i qeverisë për luftë kundër korrupsionit mund të cilësohet si retorikë boshe politike dhe një hipokrizi karshi qytetarëve dhe parnerëve tanë për sa kohë këto deklarata nuk ndiqen me veprime konkrete. Pa veprime konkrete deklaratat e tilla tingëllojnë si në tregimet “ku hajduti thirr i pari dhe më zëshëm nga të gjithë: kapeni hajdutin”, nënvizon Selimi.

Kujtojmëse para një jave, ambasadori evropian theksoi se kur bëhet fjalë për korrupsionin, nuk ka tolerancë dhe nuk bëhet fjalë për identifikimin e individëve, por për ndryshimin e sistemit.

“Çështja e korrupsionit është shumë e rëndësishme që shkon në thelb të procesit të anëtarësimit. Është shumë e rëndësishme që ne e kemi përfshirë në bazat. Shqyrtojmë luftën kundër korrupsionit dhe përpiqemi ta luftojmë atë në çdo fazë të të gjithë procesit. Këtu nuk bëhet fjalë për identifikimin e individëve por për ndryshimin e sistemit në mënyrë që institucionet të luftojnë, të merren me korrupsionin dhe t’i bëjnë të gjithë të kuptojnë se nuk ka tolerancë për korrupsionin. Është një proces afatgjatë në të cilin ne jemi të përfshirë dhe kemi një rol të rëndësishëm për të luajtur atje. Qeveria ka rolin drejtues, por ka edhe të tjerë, si shoqëria civile, bizneset dhe partitë politike. Por jo, nuk kam njohuri për individët që mund të jenë ose jo objektiv i sanksioneve”, tha Geer, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në një konferencë për media pas fjalimeve zyrtare në Qeveri.

Lidhur mbi këtë temë janë deklaruar edhe ambasadoret e ShBA-së, Suedisë dhe Gjermanisë. Ambasadorja amerikane në vend, Angela Ageler tha se “forcimi i gjyqësorit në vend, në të gjitha nivelet, është prioritet kryesor për Ambasadën amerikane, për mua personalisht dhe për Uashingtonin”.

Nga ana tjetër ambasadorja e Suedisë në Maqedoninë e Veriut, Ami Larson Jain, vendi i së cilës është kryesues aktual i BE-së, në një intervistë për MIA-n tha se korrupsioni është gërryes për shoqërinë dhe se vendi duhet të merret me të dhe klientelizmin për të parandaluar daljen e të rinjve të talentuar.

“Reformat e gjera janë vërtet kyçe për përgatitjen e vendit për anëtarësimin në BE. Reformat i referohen legjislacionit, por edhe implementimit dhe zbatimit efektiv të ligjeve. Pa këtë, vendi thjesht nuk do të jetë gati të hyjë në komunitetin më të avancuar ekonomik dhe politik në botë. Do të jetë një proces transformues dhe do të kërkojë punë dhe vendosmëri, por nga reformat do të përfitojnë edhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut”, thotë Larson Jain.

Ndëkohë, ambasadorja e Gjermanisë, Anke Holstein, kur është shprehur për korrupsionin në RMV theksoi se të gjithë duhet të mësojnë se si të luftojnë korrupsionin, përfshirë edhe qytetarët.

“Ka shumë gjëra që duhet të bëhen, dhe ky është rasti me Maqedoninë e Veriut dhe këtë e tha edhe presidenti im gjatë vizitës së tij. Varësisht se sa shpejt Maqedonia e Veriut do të bëjë përparim në rrugën e saj drejt BE-së varet nga sa shpejt do të zbatohen reformat. Dhe të gjithë jemi dakord që kjo është një detyrë veçanërisht e vështirë përpara, dhe kjo vlen jo vetëm për politikanët, por edhe për të gjithë njerëzit që duhet të kuptojnë se kur shkojnë te mjeku, nuk duhet të lënë kartëmonedhë në pallton e tij, ose nga ana tjetër, mësuesja duhet të dijë se nuk duhet të marrë dhuratë nga nxënësi për 8 Marsin, për të pasur një notë më të mirë. Të gjithë duhet të mësojnë, si më i vogli ashtu edhe më i madhi, se si bëhet lufta kundër korrupsionit”, tha ambasadorja.

Kujtojmë se në Indeksin e Përceptimit të Korrupsionit, të cilin e përpilon çdo vit organizata Trasparency International, këtë vit, Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 85-të, nga 180 vende sa janë në listë, një pozitë më lart në krahasim me vitin e kaluar.

Edhe pse ka qenë pjesë e programeve partiake të të gjitha partive politike, korrupsioni në Maqedoninë e Veriut sipas të gjitha indikacioneve vazhdon të “lulëzojë”. Se korrupsioni nuk është luftuar mjaftueshëm edhe nga kjo Qeveri edhe përkundër zotimeve të shumta, këtë e konfirmoi edhe raporti i fundit i Transparency International.

Kur bëhet fjalë për besimin tek institucionet, në vitin 2022 qytetarët i besuan më së shumti Armatës. Nga ana tjetër, gjyqësori mbeti në fund, konstaton hulumtimi i “Eurometer” për vitin 2022, i cili u prezantua nga Qendra për strategji evropiane “Eurothink. Edhe në vitin 2022 më së paku besim nga qytetarët ka gjyqësori, vetëm 6 për qind, ndërsa këtu është edhe prokuroria me 7 përqind.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button