SHBA-ja optimiste se marrëveshja përfundimtare do të arrihet këtë vit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë optimiste se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet këtë vit. Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të enjten mbrëma mbërriti për vizitë në Kosovë, dy ditë para takimit të Ohrit, ku do të takohen kryeministri Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shkruan Koha.net.

Pas takimit me udhëheqësit e opozitës, Escobari nuk foli për media, por pak orë para se të nisej për Kosovë, në Beograd mbajti një konferencë.

“Mendoj që marrëveshja është këtu. Këtë vit kalendarik. Mendoj se është plotësisht e mundur”, ka deklaruar Escobari kur është pyetur se kur mund të pritet një arritje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Emisari amerikan do të jetë i pranishëm edhe në Ohër dhe nga palët ai ka thënë se pret diskutime konstruktive drejt arritjes së një marrëveshjeje.

Ai u shpreh se marrëveshja që pritet të dakordohet në Ohër do të sjellë përfitime për të gjithë rajonin, e jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë.

Në Ohër do të diskutohet për planin e zbatimit të propozimit evropian, me të cilin Kosova e Serbia janë pajtuar më 27 shkurt në Bruksel.

Diplomati amerikan po ashtu është shprehur i vendosur edhe sa i përket formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas tij, zbatimi i kësaj marrëveshjeje është shumë më afër se që ka qenë një muaj më parë.

“Do të realizohet, pyetja është se sa shpejt do të bëhet dhe pjesa e dytë është se cili do të jetë modeli i tij. Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së përmendi shumë shembuj të ndryshëm se si funksionon ky lloj asociacioni në BE, për t’ua dhënë pakicave të drejtën e vetëqeverisjes, e cila nuk ndikon në funksionalitetin, nuk nxit tensione dhe ndihmon në afrimin e vendeve. Ne dëshirojmë që njëri prej atyre modeleve të jetë model për komunitetin e komunave me shumicë serbe”, ka deklaruar ai.

Në takim me Escobarin të enjten mbrëma në Prishtinë ishin kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini. Asnjëri pas takimit nuk u deklarua.

Escobari në Kosovë do të qëndrojë edhe të premten. Sipas agjendës, do të takohet me presidenten Vjosa Osmani e kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca. Pritet të ketë takim edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Pritshmëri të larta nga takimi i 18 marsit ka shprehur edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Borrell ka thënë se pret që palët të pranojnë Planin e zbatimit të propozimit evropian. E në një deklarim me shkrim të publikuar gjatë të enjtes, ai e ka ndërlidhur suksesin e diskutimeve në Ohër me rrugën e Kosovës e Serbisë drejt BE-së.

“Tani është koha që Serbia dhe Kosova të bien dakord për aneksin e zbatimit, i cili është pjesë integrale e Marrëveshjes dhe të ndajnë një mirëkuptim të qartë se si t’i zbatojnë dispozitat e tyre. Është koha që liderët e Kosovës, Serbisë dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor të tregojnë guxim dhe të tregojnë përgjegjësi të përbashkët për suksesin e procesit të anëtarësimit në BE të rajonit”, ka shkruar Borrell.

Sipas tij, dakordimi i dy palëve për aneksin e propozimit evropian të dakorduar në fund të shkurtit do të rezultojë në normalizimin e gjerë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Të dyja së bashku, në thelb, do të rezultojnë në normalizimin e jetës së njerëzve në rajon dhe do të hapin rrugën përkatëse të Kosovës dhe Serbisë drejt anëtarësimit në BE”, ka thënë ai.

Për takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të enjten, kryeministri Albin Kurti ka diskutuar me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë, Manuel Sarrazin.

“Ne vazhdojmë të jemi konstruktivë, kreativë dhe të përkushtuar për dialog të hapur dhe thelbësor drejt një marrëveshjeje për normalizim të plotë të marrëdhënieve”, ka shkruar Kurti në një postim në Twitter.

E këshilltarët e presidentit francez, Emmanuel Macron, kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministres italiane, Giorgia Meloni, në një shkrim për KOHËN kanë bërë thirrje që marrëveshja e dakorduar më 27 shkurt të jetësohet sa më parë.

“Në bisedimet e rëndësishme, që do të pasojnë, nuk bëhet fjalë për të komplikuar dakordimin e arritur, por për të caktuar hapat konkretë që ai të bëhet realitet. Çfarë do të duhej të shmangnin të dyja palët është përpjekja për të riinterpretuar zotimet. Kjo do të nënkuptonte rrezikim të kësaj mundësie unike dhe rrezik në bllokimin e rrugës drejt anëtarësimit në BE”, thuhet mes tjerash në vështrimin e këshilltarëve Emmanuel Bonne, Jens Plotner e Francesco Talo.

Derisa rendisin arsyet pse janë bërë bashkë e kanë prezantuar një plan për Kosovën e Serbinë, këshilltarët e Macronit, Scholzit e Melonit, deklaruan se arritja e kësaj marrëveshjeje duhet të bëhet me urgjencë.

“Kosova duhet t’i përmbushë detyrimet e saj për mbrojtje të komunitetit serb, përfshirë këtu ndërmarrjen e hapave për të krijuar një asociacion/bashkësi të komunave me shumicë serbe dhe të garantojë një mbrojtje të nivelit të lartë të objekteve të trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe. Serbia duhet të pajtohet me faktin se Kosova është një fqinje që ka një perspektivë evropiane dhe vendin e vet e ka në bashkësinë ndërkombëtare”, thuhet në vështrimin e tyre të publikuar në portalin “KOHA.net” të enjten.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Takimi në kuadër të dialogut ndërmjet dy shteteve do të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell dhe emisari Miroslav Lajcak.

Diskutimet të shtunën pritet të fokusohen në arritjen e një dakordimi edhe për planin e zbatimit të propozimit evropian, e ku pritet të përcaktohen edhe afatet e zbatimit të pikave e veprimet që do të ndërmerren.

Nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nëse në Ohër arrihet dakordimi, është planifikuar të bëhet më vonë, derisa emisari Lajçak ka paralajmëruar se pjesë e ceremonisë do të jenë të gjithë akterët e përfshirë në proces.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button