Cogito, ergo sum

Nga librat shkencorë mbi historinë, ku “Sapiensi” i Yuval Noah Hararit zë një vend të rëndësishëm sipas mendimit tim, është për t’u veçuar edhe libri “Armë, mikrobe dhe çelik (Guns, Germs and Steel)”, nga Jared Diamond, i botuar në vitin 1998 dhe fitues i çmimit Pulitzer dhe çmimit Aventis për libër më të mirë shkencor. Ky libër është shembull se si teoritë komplekse shkencore mund të paraqiten me një gjuhë të qartë dhe të kuptueshme për të gjithë, dhe mund të zgjojnë vëmendjen dhe kërshërinë e njerëzve laikë, që jodomosdoshmërisht janë ekspertë të shkencave shoqërore, antropologjisë, historisë dhe gjeografisë.

Ashtu si edhe tek libri i Hararit, Diamond shkruan për procese të gjata historike me një gjuhë të qartë, duke parashtruar pyetjet logjike që e mundojnë njeriun, dhe duke ofruar zgjidhje të kapshme për to. Me libra të tilla, mësimet rreth historisë dhe gjeografisë bëhen më të lehta dhe më të kapshme, dhe i japin kuptim përgatitjes arsimore të të rinjve. Prandaj, më vjen shumë çudi, si ka mundësi që në kohët e sotme, dhe me këto resurse te të cilat qasja është kaq e lehtë, sërish këto lëndë kaq të bukura e që i hapin diapazonet e kulturës së përgjithshme të njerëzve, të vazhdojnë të ligjërohen me materiale të vjetra, me libra të fotokopjuara dhe me fotografi të paqarta monokrome, dhe pa asnjë mundësi për të zgjuar kërshërinë natyrore të fëmijëve?! Mungesa e një qasjeje të modernizuar ndaj kuptimit të këtyre lëndëve duke shfrytëzuar resurset bashkëkohore për këtë lëmi, e bën shkollën të jetë e mërzitshme dhe i bën fëmijët të kenë dilema se për çfarë në fakt ata shkojnë në shkollë. Është e dhimbshme që në kohë të këtilla, ku zhvillimi teknologjik na mundëson që t’i lexojmë të njejtat libra dhe të kemi qasje te të njejtat resurse ashtu si edhe arsimtarët e fëmijët në shtetet e uzhvilluara, ne të vazhdojmë të përdorim të njejtat resurse që i kemi përdorur 50 vjet më parë dhe të presim se kjo gjë mund të jetë me interes për fëmijët tanë të cilët që tani jetojnë në të ardhmen, ku kjo e sotmja vështirë se ka kuptim. Fan Noli do ta kishte përshkruar këtë situatë me vargun e tij të njohur “Anës dijes, i panxënë”.

Libri i Jared Diamond është një përmbledhje mbresëlënëse e historisë së njerëzimit përmes të cilave autori i jep përgjigje disa pyetjeve mes të cilave më e rëndësishmja është kjo: Përse disa shoqëri kanë avansuar më shumë në zhvillimin e tyre dhe kanë arritur të nënshtojnë shoqëri të tjera? Autori e fillon veprën e tij me momentin kur kolonizatori spanjoll Pizzaro e ka pushtuar perandorinë e Inkasve me vetëm pak ushtarë, dhe ka arritur ta zërë rob perandorin e tyre Atahuallpa. Me të drejtë autori e parashtron pyetjen: përse nuk ka ndodhur e kundërta, përse perandori Atahuallpa nuk e ka nënshtruar Spanjën? Përmes shembujve të tjerë nga historia e njerëzimit, Diamond e shpejgon në detjae zhvillimin e homo sapiensit nga paraqitja e tij deri në kohët moderne, duke u ndalur posaçërisht në kushtet gjeografike që kanë mundësuar zhvillimin e shoqërive të ndryshme në periudha të ndryshme historike. Ajo që e veçon këtë libër është se autori përgjigjen e gjen pikërisht në shtrirjen gjeografike të kontinenteve që ka ndikuar shumë në paraqitjen e kulturave bujqësore dhe blegtoriale që kanë qenë jetike për zhvillimin e shoqërisë njerëzore. Ai sqaron që shtrirja horizontale e Euroazisë ka kontribuar që kulturat bujqësore por edhe shenjat tjera të civilizimeve, si për shembull shkrimi dhe kultura, të përhapen lehtazi dhe të mundësojnë shumimin dhe zhvillimin e popullatës. Në kundërshtim me këtë, shtrirja vertikale e kontinenteve tjera: Amerika e Veriut dhe e Jugut, Afrika dhe Australia, e ka vështirësuar përhapjen e kulturave bujqësore dhe blegtoriale si dhe përhapjen e shkrim-leximit në ato vende, të cilat me kalimin e kohës janë zhvilluar më pak sepse kanë pasur më pak popullatë dhe më pak komunikim mes vetes, gjë që i ka sjellur në disavantazh gjatë përplasjes me shoqëritë e avansuara dhe të shumënumërta që kanë arritur t’i nënshtrojnë me armët e tyre, me pushtetin e çeliktë dhe me mikrobet ndaj të cilave civilizimet e botës së re nuk kanë pasur imunitet.

Vlera e këtij libri qëndron në faktin që sqarimi që jepet në përgjigjen e pyetjes se pse disa shoqëri i kanë nënshtruar shoqëritë tjera nuk është një sqarim i bazuar në teori rasiste, por i bazuar në sqarime logjike që lidhen në mënyrë direkte me shtrirjen gjeografike të botës. Është vërtet libër që ia vlen të lexohet në mënyrë që të zhvillohet mendim kritik lidhur me këto çështje.

Dhe kur jemi tek mendimi kritik, është e dhimbshme që në shkollat tona fëmijët ende duhet të mësojnë përmendësh fakte të cilat mund ti gjejnë fare lehtazi me një klikim. Ende nxënësit duhet të mësojnë vitet e sakta të ngjarjeve historike dhe sipërfaqet e sakta të shteteve. Është koha që ata të mësojnë pak më shumë për atë se pse kanë ndodhur dukuri të caktuara, dhe jo vetëm të dinë të numërojnë një sërë faktesh të cilat do t’i harrojnë sapo ta mbarojnë testin e rradhës. Historia, gjeografia dhe të gjitha shkencat tjera duhet ta bëjnë njeriun të mendojë me thellë për dukuritë shoqërore e jo të mësojë fakte përmendësh sipas metodës skolastike mesjetare. Tani më e dimë se skolasticizmi mesjetar nuk e ka çuar botën në asnjë zhvillim. Hulumtimi dhe mendimi kritik rreth botës që na rrethon janë faktorët kryesorë të përparimit njerëzor. Kështu që le të fillojmë me thënien e njohur të Dekartit: “Cogito, ergo sum (Mendoj, pra ekzistoj)”. Të mendojmë më shumë, sepse mandimi na bën të jemi njerëz.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button