Parlamenti Evropian për Maqedoninë: në dukje pozitiv

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane. 

Malinka Ristevska Jordanova
  • Për draft tekstin e rezolutës së këtij viti të Parlamentit Evropian mbi Raportin për Maqedoninë e Veriut për vitin 2022

Edhe pse me një vonesë në fillim, rrjedha e sivjetshme e Rezolutës së Parlamentit Evropian për raportin e këtij viti të Komisionit për Maqedoninë e Veriut është e ngjashme me atë të vitit të kaluar. Raportuesi Ilhan Kyçyk propozon një tekst prej 9 faqesh, njëjtë si vitin e kaluar.

Megjithatë, struktura është ndryshe nga dy rezolutat e kaluara, që është rast edhe me rezolutat për shtetet e tjera të rajonit. Qëndrimet e përgjithshme tani janë mirëshuar në nëntitullin e parë: përkushtimi për anëtarësim në BE. Nëntitujt e mëparshëm për funksionimin e institucioneve demokratike; mediat dhe shoqëria civile; dhe sundimi i së drejtës tani janë të sublimuar në një – “Demokracia dhe sundimi i së drejtës”, ndërsa mbeten të ndara “liritë dhe të drejtat themelore të njeriut”. “Bashkëpunimi rajonal dhe i jashtëm” është riemërtuar në “Pajtim dhe marrëdhënie të mira fqinjësore” dhe është spostuar më para. Politika e jashtme nga ana tjetër, është prioritetizuar edhe më shumë dhe bëhet dëshmi për “përkushtimin e BE-së”- si rezultat i ndryshimeve gjeopolitike dhe luftës në Ukrainë. Në fund mbeten “Reformat shoqërore-ekonomike”dhe “Energjia, transporti, mjedisi jetësor dhe lidhjet”. Edhepse këto ndryshime mund të duken si vetëm kozmetike, nuk janë aspak të tilla. Posaçërisht nuk është ashtu rëndësia më e madhe që u është dhënë “marrëdhënieve të mira fqinjësore”, ku e vetmja gjë që është lëvizur për vendin tonë janë kushtet lidhur me vendet jashtë rajonit.

Edhe kjo draft rezolutë  është pozitive për përkushtimin e autoriteteve maqedonase për anëtarësimin në BE, duke e përfshirë këtu edhe harmonizimin me politikën e jashtme të BE-së. Ajo që është interesante këtu është që përmendet viti 2030, por vetëm si një “qëllim ambicioz i qeverisë për plotësimin e kritereve për anëtarësim”, duke theksuar se për këtë nevojitet konsenzus kombëtar. Nuk ka thirrje drejt shteteve anëtare për mbështetje për këtë qëllim.

Tek “Demokracia dhe sundimi i së drejtës” lëvdata për “rezultatet e dukshme nga reformat” është shoqëruar me ftesë për avancimin e sundimit dhe qasjes deri te e drejta. Me afrimin e zgjedhjeve vend edhe më prioritar zë nevoja për realizimin në kohë të rekomandimeve mbi ato para mbajtjes së tyre në vitin 2024. Përsëritet sugjerimi për luftën kundër korrupsionit nëpërmjet thirrjes për “rritjen e integritetit institucional”, respektimin e rekomandimeve të trupave të pavarur dhe hetime efektive. Krahas kërkesës për respektimin e rregullave të konkurrencës dhe ndihmës shtetërore, sugjerohet edhe skanimi i investimeve të huaja nga ky aspekt. Është përsëritur angazhimi për rritjen e rezistencës ndaj ndikimeve të jashtme dhe sulmeve hibride, por tani janë shtuar edhe njoftimet e rrejshme për bomba. Është dhënë lëvdatë për luftën kundër tregëtisë ilegale me njerëz, drogë dhe armë.

Sa u përket të drejtave themelore, drafti nis me lëvdatën për përpjekjet për eliminimin e të gjitha llojeve të diskriminimit, por kërkon një mbrojtje më të madhe për kategoritë vullnerable të qytetarëve, si dhe nga dhuna, dhe përfshirje më të madhe të personave me aftëzi të kufizuara.

Për fat të keq, fshirja e nëntitullit për mediat dhe shoqërinë civile nuk është vetëm formale, por edhe përmbajtjet në to janë shumë më të pakta, e si rrjedhojë edhe më pak kritike nga rezolutat e mëparshme.

Në pjesën e re të titulluar për pajtim dhe marrëdhënie të mira fqinjësore, implementimi i marrëveshjeve bilaterale me shtetet anëtare – Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja me Bullgarinë tashmë vijnë në plan të parë. Madje, në këtë pjesë autori e ka vendosur edhe mbështetjen për “përpjekjet për arritjen e marrëveshjes për ndryshimet kushtetuese me të cilat do të përfshihen bashkësi të tjera në preambullën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut”. U bëhet thirrje autoriteteve dhe shoqërisë civile të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut të kthehen në “Agjendë pozitive”.

Pjesa mbi reformat shoqërore – ekonomike është mjaft e varfër dhe kryesisht bën thirrje për reforma strukturore dhe përdorim më efikas të mjeteve nga IPA fondet.

Tranzicioni energjetik dominon me ton pozitiv në pjesën e fundit të dedikuar për infrastrukturën, ndërsa kritikat i referohen kapacitetit për menaxhimin e mjeteve të IPA fondeve, ndryshimeve klimatike dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor, me një thirrje për zbatim urgjent të rekomandimeve të UNESCO-s për rajonin e Ohrit.

Teksti eviton disa tema kyçe, si për shembull, përveç në preambullë dhe kryesisht si citate nga dokumente të mëparshme nuk përmenden negociatat për anëtarësim, e aspak nuk përmendet korniza negociuese.

Teksti final, i cili sigurisht do të jetë dy herë me i gjatë, me siguri në masë të madhe do të dallojë nga drafti aktual, si rezultat i diskutimit mbi amendamentet. Në procedurën e mëtejshme amendamente do të propozojnë fillimisht deputetët (deri më 30 mars të këtij viti). Me siguri do të jenë aktivë – vitin e kaluar u parashtruan 250 amendamente, më së shumti nga eurodeputetët bullgarë. Zakonisht aktivë në propozim, përveç raportuesit, janë të ashtuquajturit raportues në hije, në të cilët janë të përfaqësuara edhe grupet e tjera politike. Në fazën e fundit amendamente do të mund të propozojnë vetëm grupet politike; ato zakonisht u referohen qëndrimeve kyçe konstestuese, e për ato zakonisht bëhet luftë deri në momentin e fundit. Diskutimi mbi amendamentet do ta tregojë zhvillimin e qëndrimeve të grupacioneve politike të Parlamentit Evropian mbi Maqedoninë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button