Vazhdon epilogu i emrave të shkollave në Çair

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ende nuk ka dhënë miratimin për ndryshimin e emrave të katër shkollat fillore në komunën e Çairit.

Në këto shkolla figurojnë tabelat e reja në të cilat janë hequr emra e vjetër dhe janë shkruar  emrat e personaliteteve të njohura shqiptare, por ato ende nuk njihen në mënyrë zyrtare.

Udhëheqësi i sektorit për arsim në Komunën e Çairit, Nuhi Dardhishta bën të ditur për Portalb, se dokumentacionet zyrtare të këtyre shkollave ende barten me emrat e vjetër.

“Vetëm në dokumentet jo zyrtare shënohen emrat e rinj të shkollave, kurse në dokumentet zyrtare që dërgohen ne MASH si dhe dëftesat dhe të gjitha dokumentet tjera që dalin nga këto shkolla, mbajnë emrat e vjetër të tyre”, tha Dardhishta.

Ai po ashtu bën të ditur se deri më tani nuk ka pasur informacion se kur do të zgjidhet ky problem.

Kryetari i Komunës së Çairit Izet Mexhiti, për Alsat M, tha se ndryshimi i emrave të shkollave është bërë në mënyrë të ligjshme.

‘Mendojë se gjithçka është e qartë rreth emrave të shkollave, vullneti i prindërve, i nxënësve,  i këshilltarëve dhe vetë kryetarit të Çairit, mbetet vetëm të gjendet vullnet i mirë, të regjistrohen në Ministrinë e Arsimit dhe në regjistrin qendror dhe të përmbyllet si problem’, tha Mexhiti.

Kurse ministri i ri i emëruar në këtë dikaster, Abdilaqim Ademi, ende nuk flet për opinionin se a do ta ketë këtë çështje si prioritet pas marrjes së funksionit. Ai mbetet i pakapshëm për kontakt.

Ndërkaq nga Sektori për informim në MASH, njoftojnë se procedurat kanë filluar, por se kur pritet që të zgjidhet ky epilog, as ata nuk bën të ditur.

Ndryshe, nxënësit e shkollave fillore, ‘Imri Elezi’, ‘Ismail Qemali’, ‘Hasan Prishtina’, ‘Jashar Bej Shkupi’ në Komunën e Çairit  sërish do t’i marrin dëftesat me emrat e vjetër të tyre Nikolla Vapcarov, Rajko Zhinzifov, Cvetan Dimov dhe Jane Sandanski./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button