RMV, prej sot çmime më të lira të pastave dhe prodhimeve të qumështit, inspektorët paralajmërojnë kontrolle

Vendimi i Qeverisë për zvogëlimin e çmimeve të pastave dhe prodhimeve të qumështit është miratuar përpara një jave, ndërkaq prej sot edhe zyrtarisht do të hyjë në fuqi. Në markete, qytetarët do të munden të blejnë pasta më lirë për 15% dhe produkte të qumështit për 10%, njofton Portalb.mk.

Inspektorati Shtetëror i Tregut paralajmëroi se prej sot inspektorët do të jenë në terren dhe do të kryejnë kontrolle nëse tregtarët kanë vepruar sipas vendimit qeveritar.

“Inspektorët do të veprojnë në kuadër të kompetencave të tyre të cilat dalin nga vendimet, në pajtueshmëri me Ligjin për Tregti. Bëhet fjalë për profesionistë me përvojë në fushën e inspektimit tregtar, që do të thotë se jemi absolutisht të përgatitur të përballemi edhe me këtë sfidë”, tha drejtori i Inspektoratit Goran Trajkovski.

Përndryshe, çmimi i pastave (shpagetave dhe makaronave) do të ulet për 8-9 denarë, gjegjësisht minimum për 15%, ndërkaq ulje të çmimit prej më së paku për 10% do të ketë edhe për prodhimet e qumështit (qumësht lope me yndyrë prej 2,8%, 3,2% dhe 3,5%; gjizë; djathë lope, kos, ajkë dhe jogurt pa shtesa). Gjobat për mosrespektim të vendimit qeveritar lëvizin prej 800 deri në 10.000 euro.

Ky është vendimi i dytë për ngrirjen e çmimeve të produkteve ushqimore, pasi që më 28 shkurt Qeveria miratoi vendim për kufizimin e çmimit të bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë në 33 denarë.

Për shkak këtij vendimi, bukëpjekësit filluan me bojkotin e prodhimit të bukës, megjithatë pas dy ditësh, ata e ndaluan grevën.

Në lidhje me çmimin e bukës, Inspektorati Shtetëror i Tregut ka realizuar 300 kontrolle dhe ka lëshuar urdhërpagesa për objektet tregtare në vlerë prej 960.000 denarë, apo mbi 15 mijë euro për mosrespektim të vendimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button