POETI DHE KADIU

Suzi Çelebiu nga Prizreni ishte njëri nga poetët më të njohur në Perandorinë Osmane gjatë shekullit XV. Suzi në shqip do të thotë “i zjarrtë”, kurse çelebi quheshin dinjitarët, shkrimtarët dhe dijetarët.

Suziu, përveçse si poet, kujtohet për “denoncimin poetik” kundër kadiut të Tetovës, që ua nxinte jetën tetovarëve me vendimet e motivuara nga interesi personal. Poeti e kritikoi kadiun e korruptuar nëpërmjet një poezie. Vargjet e poetit e trazuan Sulltanin, i cili e shkarkoi kadiun, kurse poetit ia dhuroi si shpërblim një pronë pranë Prizrenit.

Gjyqtarë të korruptuar si kadiu i Tetovës s’i mungojnë kohës sonë, por ata janë të paprekshëm. Për shkak të ligjeve të çuditshme nuk ndëshkohen edhe kur e keqpërdorin detyrën.

Kadinjtë e kohës sonë i mbrojnë sulltanët e politikës dhe mbrohen prej tyre, prandaj ka humbur besimi në sistemin gjyqësor. Ku s’ka drejtësi, s’ka as paqe. Kështu thotë parulla. Kështu thonë politikanët, por vetëm kur janë në opozitë.

Gjykatat dënojnë të pafajshëm, por i “harrojnë” ose i “humbin” në procedura veprat penale për vjedhje milionëshe dhe për krime të rënda. Barsoleta thotë se gjyqtarët nuk ushqehen me bar, por me para.

Suzi Prizrenasi e denoncoi kadiun e korruptuar dhe ia arriti qëllimit. Madje u shpërblye për këtë akt qytetarie. Sot nuk mund të paramendohet që me poezi të shkarkohet një gjyqtar i korruptuar, i cili, siç tha Sokrati, në vend të drejtësisë shpërndan ndere. Aty ku gjyqet shpërndajnë ndere dhe padrejtësi është problem të jesh i pafajshëm dhe shpëton kur bën vepra të rënda penale. Mjafton të kesh para ose fuqi politike.

Sot ka “më të barabartë se të barabartët”, si te Ferma e Kafshëve nga George Orwell-i. Ka Jozef K. si te Procesi i Kafkës. Ka qytetarë të ngratë që shëtisin derë më derë duke kërkuar të drejtën e tyre, ashtu si shërbëtori Jernej i veprës së shkrimtarit slloven Ivan Cankarit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button