FOTOLAJM: Studenti Stojanovski më në fund ka qasje deri në menzë, u ndërtua rampa në konviktin e studentëve “Stiv Naumov”

Disa muaj pas kërkesës së studentit Darko Stojanovski dhe disa ditë pasi Meta.mk raportoi për problemin me mungesën e qasjes në menzë, konvikti i studentëve “Stiv Naumov” më në fund u bë me një rampë hyrëse, e cila mundëson qasje të barabartë në menzë për të gjithë studentët, shkruan Meta.mk.

Stojanovski, student në vitin e dytë në Fakultetin Filozofik dhe përdorues i karriges për invalidë, ishte i pari që alarmoi për pamundësinë për qasje në menzë, sepse ishte penguar që të drejtën për tre vakte në ditë ta realizojë si të gjithë studentët e tjerë. Ai për herë të parë për Meta.mk foli edhe për problemet me të cilat përballet si rezultat i mungesës së qasjes në menzë.

Pak më shumë se tre muaj më parë Stojanovski iu drejtua edhe të gjitha institucioneve kompetente – Konviktit Shtetëror të Studentëve “Shkup” (KShS Shkup), Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), Qeverisë, Avokatit të Popullit, por edhe Trupit Koordinues Kombëtar për zbatimin e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara dhe Trupit Monitorues për zbatimin e Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.

Në deklaratën e tij Stojanovski tha se pas dorëzimit të kërkesave tek institucionet, disa prej tyre e kanë kontaktuar disa herë dhe i është premtuar se do të ndërtohet rampa për hyrje në menzë. Por edhe pesë muaj pas premtimeve, rampa ende nuk po ndërtohej.

Më 15 shkurt të këtij viti Meta.mk nga KShS Shkup kërkoi leje për ta filmuar oborrin dhe menzën në konviktin e studentëve “Stiv Naumov”. Përgjigja dhe leja nga Konvikti Shtetëror u dha gjashtë ditë më vonë dhe xhirimet u miratuan më 24 shkurt.

Rampa për në hyrje të menzës së studentëve filloi të ndërtohet pasi Meta.mk e filmoi lokacionin dhe e njëjta u ndërtua për vetëm disa ditë, me donacion nga një kompani private.

“Pas sugjerimit të studentit dhe Avokatit të Popullit, edhe pse nuk kemi fonde për një punë të tillë, arritëm që me ndihmën e një kompanie, si donacion prej tyre, ta ndërtojmë rampën hyrëse. Ndërtimi është prej betoni, sipas standardeve të unifikuara për qasje”, tha Viktor Velevski, kryetar i KShS “Shkup”.

Ndërkohë, gjatë pesë muajve të kaluar, për aq kohë sa qëndron në konviktin “Stiv Naumov”, Darko ushqimin nga menza e ka pritur me një tas në dorë para hyrjes së pasme të objektit, nga ku punonjësit në menzë kanë dalë e ia kanë dhënë ushqim, të cilin ai pastaj e ka ngrënë i vetëm në dhomën e tij.

“Kam numra telefoni të disa të punësuarve në menzë dhe i kërkoj, u tregoj se po vij që të marr ushqim. Marr një tas nga dhoma, shkoj te hyrja zyrtare për të punësuarit, ato dalin, më vënë ushqim në tas dhe kthehem në dhomë e ha këtu”, tregoi Darko më 24 shkurt të këtij viti.

Mosekzistimi i një rampe hyrëse deri më tani fliste qartë për diskriminim sipas Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button