KQZ nuk e regjistroi PD-në në zgjedhje, Celibashi: Kërkesa s’ka bazë ligjore

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u mor vendimi final për regjistrimin ose jo të Partisë Demokratike në zgjedhjet lokale të 14 Majit, raporton Klan. Pas diskutimeve, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi vendosi që Partia Demokratike nuk mund të regjistrohet në zgjedhje pasi kërkesa nuk ka bazë ligjore.

Ai deklaroi se plotësimi i dokumentacionit me nënshkrimin e deklaratës solemne nga Lulzim Basha është një kusht për regjistrimin e partisë si subjekt zgjedhor.

Ka vetëm një person juridik me emrin Partia Demokratike dhe në këtë seancë po shqyrtojmë kërkesën e këtij subjekti.  Nga momenti që kërkuam dokumentacionin e plotësuar nga ana e PD me qëllim për të përmbushur të gjitha kushtet për regjistrim dhe meqënëse nuk ka asnjë dokument, jemi në të njëjtën situatë me seancën e shkuar. Meqë nuk kemi asnjë dokument shtesë, ne do japim shqyrtimin tonë për kërkesën e subjektit. Nuk marr fare në konsideratë konfrontimin tuaj të brendshëm, ka disa fakte të mbështetura në ligj dhe disa jo, qëndron pretendimi se Lulzim Basha është kryetar i PD, nuk ka qëndruar pretendimi i zotit Berisha, ndaj mbi faktin e pakontestueshëm pala që ka paraqitur kërkesën për regjistrim ka legjitimitetin e plotë.

Në pikëpamje formale, zoti Basha ose personat e autorizuar nga ky i fundit kanë të gjithë legjitimitetin për të paraqitur kërkesën. Por, ky autorizim sikurse kam vlerësuar më herët duhet të jetë i plotë. Dokumentacioni për regjistrimin e PD-së si subjekt zgjedhor i paraqitur nga ju ka një mangësi themelore, deklarata solemne duhet të jetë e nënshkruar nga vetë kryetari, por rezulton e nënshkruar nga zoti Alibeaj. Në bindjen time të bazuar në ligj, deklarata është një akt që duhet nënshkruar vetëm nga kryetari i partisë. Në vlerësimin tim, nuk lë vend për interpretim tjetër.

Formulimi i kësaj dispozite nuk lë vend për interpretime, paraqitja e këtij dokumenti është kusht për t’u regjistruar. Ju zoti Sefa keni pretenduar se Alibeaj ka të drejtë të nënshkruajë deklaratën solemne, por ky pretendim nuk ka bazë ligjore. Duhet të nënshkruhet vetëm nga kryetari i partisë. Ky angazhim është përgjegjësi personale e kryetarit dhe nuk është e transferueshme tek të tjerët, ai dokument është akt ekskluziv vetëm i kryetarit. Nuk ka një përcaktim ndryshe në rastin konkret. Vetëm një përmbajtje e tillë mesa përmenda do të bëjë të mundur regjistrimin. Që prej Marsit 2022 zoti Basha ka dhënë dorëheqjen prandaj nuk mund të nënshkruajë deklaratën solemne.

Vetëm zoti Basha mund të përmbushë detyrimet e kodit zgjedhor, por për shkak të dorëheqjes së tij nuk i merret dot nënshkrimi i deklaratës solemne. Deklarata mund të nënshkruhet dhe nga nënkryetari, por kjo ndodh vetëm në kushtet kur kryetari ka dhënë dorëheqjen, ka ndërruar jetë apo ka humbur interesin politik. Një parti politike mund të vëndosë që për një periudhë të caktuar të drejtohet nga një organ tjetër që zëvendëson kryetarin. Ka pasur një vit kohë për të depozituar aktet në Gjykatë, vetëm kështu nënkryetari zoti Alibeaj apo kushdo tjetër t’i kishte të gjitha kompetencat e kryetarit të PD, në kushtet që nuk keni njoftuar dorëheqjen e zotit Basha, atëherë ai si nënkryetar i PD ushtron disa kompetenca të kryetarit, por nuk ushtron dot të gjitha përgjegjësitë. Ndaj, unë vlerësoj që kërkesa e PD nuk ka bazë ligjore dhe nuk duhet të pranohet. Në përfundim, KQZ nuk regjistron PD në zgjedhje“, tha Celibashi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button