Meta fakt: Mjekët e rinj nuk morën subvencione për apartamente, as grante për të hapur ordinanca në zonat rurale

Në Programin për punën e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, të udhëhequr nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, ka premtime se do të stimulojnë mjekët e rinj që të punojnë në zonat rurale duke u dhënë grante për hapjen e ordinancave, si dhe që të gjithë mjekët e rinj që janë në specializim, por që jetojnë jashtë Shkupit do të marrin subvencion për të gjetur një shtëpi të tyren. Meta mori konfirmimin se deri në këtë moment nuk po punohet për përmbushjen e këtyre dy premtimeve, prandaj i vlerësojmë si të pa realizuara, shkruan Meta.mk.

Në Programin për punën e Qeverisë për periudhën 2022-2024 ka politika të cilat u referohen mjekëve të rinj në vendin tonë. Në pjesën e titulluar si „Sistem shëndetësor stabil dhe modern“ në faqen 38, ndër të tjera, është shkruar si vijon:

“Qeveria do i zbatojë politikat e mëposhtme – Stimulim i mjekëve të rinj për të punuar në zonat rurale, nëpërmjet ndarjes së granteve për mjekët e rinj që duan të hapin ordinanca në zonat rurale; Të gjithë mjekët në specializim me vendbanim jashtë Shkupit e që nuk e kanë zgjidhur çështjen e banimit, do marrin subvencione”.

Meta.mk iu drejtua Qeverisë për përgjigje lidhur me këto premtime të shkruara në programin e qeverisë, por nga atje na thanë se për këtë temë duhet t’i drejtohemi Ministrisë së Shëndetësisë. Më 13 janar të këtij viti Meta.mk dërgoi pyetje në e-mail adresën zyrtare të kësaj ministrie. Pasi nuk morëm përgjigje, pyetjet i dërguam sërish më 1 shkurt dhe meqë sërish nuk morëm asnjë informacion për këto dy premtime për mjekët e rinj në vend, më 22 shkurt i dërguam pyetjet tona për herë të tretë.

Pyetjet që i dërguam: A ka filluar procesi i stimulimit të mjekëve të rinj për të punuar në zonat rurale? A ka filluar ndarja e granteve për ata që hapin ordinanca në zonat rurale? Sa grante janë dhënë deri më tani, pra sa ordinanca janë hapur në vend? Sa i përket premtimit të dytë, sa mjekë që janë në specializim me vendbanim jashtë Shkupit dhe që nuk e kanë zgjidhur çështjen e banimit deri më tani kanë marrë subvencion nga Qeveria? Për çfarë shume bëhet fjalë?

Deri më sot Meta.mk nuk ka marrë përgjigje në këto pyetje.

Në kërkim të përgjigjeve për këtë temë, për të pare nëse të paktën disa nga këto premtime po realizohen në praktikë, biseduam me spec. d-r. Bozhidar Koçoski nga Klinika e Hematologjisë, i cili është kryetar i Shoqatës së specializantëve dhe mjekëve të rinj.

“Deri më tani kësi lloj propozimi apo zgjidhjeje nuk ka dhe me këtë mund t’ju konfirmojmë se për momentin në terren nuk po zbatohet një gjë e tillë. Ka disa lloje stimulimesh që i jep fondi për punësimin e një mjeku të ri, por ato nuk mjaftojnë asapk për t’i plotësuar nevojat për funksionimin e përditshëm, si dhe për ndonjë edukim të mëtejshëm të atij mjeku në të ardhmen. Sa i përket subvencioneve për mjekët që jetojnë jashtë Shkupit, për momentin ka vetëm kompensim për jetë të ndarë, të cilën e marrin specializantët shtetërorë, por ky lloj pagese shumë shpesh nuk është i rregullt dhe bëhet me vonesë”, thotë spec. d-r. Koçoski.

Siç sqaron kryetari i kësaj shoqate, Ministria e Shëndetësisë dhe të gjitha autoritetet tjera relevante shëndetësore shumë rrallë kërkojnë këshilla nga mjekët e rinj.

“Ne nuk na kanë ftuar, jo vetëm për këto çështje, por as për asnjë lloj vendimi tjetër që na tangojnë neve personalisht. Edhe pse shumë shpesh dhe drejtpërdrejt jemi ofruar për të ndihmuar pa kurrfarë kompensimi, për të dhënë sugjerime, për t’i vënë në dukje mangësitë e vendimeve dhe rregullave të miratuara deri më tani ne nuk na kanë thirru e as ftuar, me gjasë sepse e dinë që ne do i themi gjërat ashtu siç janë realisht dhe e gjithë kjo do t’i japë një pamje tjetër fotografisë së tyre rozë që duan të na e paraqesin”, thotë d-r. Koçoski.

Në bazë të të gjitha përgjigjeve nga institucionet kompetente mund të konstatojmë se premtimi i qeverisë për subvencionim për zgjidhjen e problemit të banimit për specializantët që jetojnë jashtë Shkupit, si dhe premtimi se mjekët e rinj që dëshirojnë të hapin ordinanca në zonat rurale do të marrin grante, deri më tani nuk është realizuar.

BURIME:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button