Maqedonia e Veriut do të ketë më pak para për art, nëse e humb qasjen në fondet evropiane

Euroambasadori David Geer në 25 јаnar këtë vit paralajmëroi se Maqedonia rrezikon të humbasë qasjen në programet për financimin e produksionit të përmbajtjeve të BE-së, nëse deri më 31 maj të vitit 2023 nuk e harmonizon legjislacionin e saj me direktivën e Bashkimit Evropian për mediat. Nga ky paralajmërim i Geer-it kanë kaluar një muaj e gjysmë, por institucionet maqedonase po e hedhin nga njëra tek tjetra përgjegjësinë për nevojën e ndryshimeve dhe plotësimeve në ligjet që e trajtojnë sektorin mediatik, shkruan Meta.mk.

Paralajmërimin e tij David Geer për herë të parë e përcolli në prezantimin publik të projektit të BE-së me titull “BE për lirinë e shprehjes: Harmonizimi i legjislacionit kombëtar të medias me legjislacionin e UE-së dhe standartet për mediat”. Përndryshe ky projekt për momentin financohet pikërisht nga Bashkimi Evropian, me të cilin janë angazhuar ekspertë të huaj për përgatitjen e ndryshimeve ligjore për harmonizimin e legjislacionit të Maqedonisë me Direktivën për shërbimet mediatike audiovizuele të BE-së.

Meta.mk bëri një shqyrtim të ueb-faqes së ENER, me ç’rast konstatuam se ekziston një Njoftim për fillimin e procesit të përgatitjes së së Ligjit për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele që është publikuar nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MShIA). Ky njoftim është publikuar më 22 shkurt të këtij viti dhe në të thuhet se afati deri kur duhet të hartohet projektligji është data 31 mars. Megjithatë, në ueb-faqen e ENER nuk ka informacion nëse ka ndonjë ndryshim në Ligjin për Mediat, i cili gjithashtu e rregullon sektorin e mediave.

Sa i përket paralajmërimit të Ambasadorit të Delegacionit të BE-së në Shkup, David Geer, për nevojën e harmonizimit të legjislacionit maqedonas me legjislacionin evropian që mbulon mediat deri më datën 31 maj, Meta.mk u dërgoi pyetje disa institucioneve, përfshirë këtu Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Ministrinë e Kulturës, Qeverinë e RMV-së, Sekretariatin për Çështje Evropiane, Agjencinë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele dhe Agjencinë e Filmit.

Përshtypja fillestare që mund të merret nga komunikimi ynë me institucionet përmes postës elektronike dhe përmes telefonit është se ato përgjegjësinë për këtë çështje ia hedhin njëri-tjetrit. Për të gjetur përgjigje në këto pyetje nga Qeveria e RMV-së na dërguan tek Sekretariati për Çështje Evropiane. Edhe pse nga ky Sekretariat na premtuan se do na dërgojnë përgjigje për pyetjet e dërguara, deri në publikimin e këtij teksti një gjë e tillë nuk ndodhi.

Nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele na u përgjigjën se përgjegjëse për miratimin e ligjeve nga sfera mediatike është Ministria e Shoqërisë Informatike dhe e Administratës dhe na drejtuan që përgjigje lidhur me respektimin e direktivës së BE-së për mediat të kërkojmë nga kjo ministri kompetente. Meta.mk nuk mori përgjigje nga Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë (MShIA) në pyetjet e parashtruara.

Megjithatë, në një deklaratë për emisionin „360“ nga MShIA deklaruan se ekspertët tashmë kanë përgatitur një GAP analizë e cila i identifikon qartë të gjitha kërkesat e Direktivës së BE-së të cilat nuk janë pasqyruar në legjislacionin kombëtar.

“Në bazë të asaj GAP analize, ne kemi përgatitur draft versionin e parë të propozim ligjit. Ka pasur disa takime të brendshme mes ekspertëve dhe grupit të punës, pritet që këto ditë të shpallet versioni i parë i projektligjit, më pas duhet të kalojnë 20 ditë kur do të mblidhen propozime, sugjerime dhe mendime të ndryshme, grupi i punës do të punojë për tu dhënë përgjigje atyre dhe deri në fund, pra më 31 mars apo fillim të prillit pritet që të dorëzohet në Qeveri për miratim”, thanë nga MShIA për emisionin “360”.

Udhëheqësja e ekipit të projektit të BE-së për lirinë e shprehjes në vend, e cila po punon për ndryshimet ligjore për harmonizimin e legjislacionit maqedonas me Direktivën për shërbimet mediatike audiovizuele të BE-së, për “360 ” sqaron se një direktivë e re evropiane mundëson një terren më të barazuar me televizionet (dhe radiot) dhe shërbimet ‘on demand’, mbrojtje më të madhe të të miturve dhe rritje të detyrimeve për përmbajtje të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara, si dhe rregullim të platformave për ndarjen e video materialeve.

Qasja në fondet evropiane nënkupton art më cilësor

Kur në janar të këtij viti euroambasadori David Geer paralajmëroi se Maqedonia mund të humbasë qasjen në programet e financimit të produksionit të përmbajtjeve nëse nuk harmonizon legjislacionin e saj me direktivën evropiane deri më 31 maj, ai para së gjithash i referohej programit “Evropa Kreative”.

Nga Ministria e Kulturës për Meta.mk sqarojnë se programi “Evropa Kreative” përbëhet nga dy nënprograme – Kultura dhe MEDIA dhe linja programore ndërsektoriale.

“Nënprogrami “Kultura” i destinuar për sektorët e kulturës dhe kreativitetit zbatohet nga Ministria e Kulturës, ndërsa nënprogrami “MEDIA” i dedikuar për sektorin audiovizuel (në radhë të parë filmin) zbatohet nga Agjencia e Filmit. Linja e programit ndërsektorial duhet të fillojë të administrohet nga Ministria, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Filmit”, thonë nga Ministria e Kulturës.

Bazuar në rezultatet që i kanë arritur deri më tani organizatat maqedonase në nënprogramin “Kultura”, nga kjo ministri janë të kënaqur nga pjesëmarrja e vendit në dy vitet e para të zbatimit të programit “Evropa Kreative 2021 – 2027”.

“Në kuadër të kategorive standarde: Projekte për bashkëpunim, Qarkullim i veprave letrare evropiane, rrjeteve dhe platformave, marrin pjesë ose janë mbështetur rreth 30 organizata maqedonase me më shumë se 3.000.000 euro mbështetje financiare nga BE-ja”, informojnë nga Ministria e Kulturës.

Nëpërmjet nënprogramit “Kultura”, fonde evropiane kanë shfrytëzuar institucione kombëtare, shoqata të qytetarëve, organizata private, shtëpi botuese, komuna dhe organizata të tjera nga vendi, sqaruan nga ministria.

Nëse si shtet humbasim qasjen në këtë fond evropian, lexuesit në Maqedoni do të jenë humbësi më i madh nga një veprim i tillë katastrofik. Mjafton që lexuesi tu hedhë një sy librave në gjuhën maqedonase të botuara në vitet e fundit, e të konstatojë se financimi i përkthimeve të autorëve të njoftur të huaj mbështetet pikërisht nga programi “Evropa Kreative”. Dhjetëra përkthime cilësore të veprave nga autorë të huaj janë botuar në gjuhën maqedonase nga “ILI-ILI”, “Antolog” dhe shtëpi të tjera botuese në Maqedoni.

FOTO: Meta.mk

Pyetje lidhur me këtë temë drejtuam edhe pranë Agjencisë së Filmit për atë se sa fonde ka marrë vendi nëpërmjet programit “Evropa Kreative”, por edhe se si do të ndikojë miratimi eventual i vendimit të BE-së për ndërprerjen e qasjes në fondet e këtij programi ndaj produksionit filmik në Maqedoni. Përgjigje nuk morëm.

Për dallim nga ato, nga Kinoteka e Maqedonisë për Meta.mk sqarojnë se tashmë kanë shfrytëzuar mjete financiare përmes nënprogramit MEDIA në kuadër të “Evropa Keative”. Kinoteka është anëtare e rrjetit Europas Cinemas, i cili financohet nëpërmjet nënprogramit MEDIA në kuadër të “Evropa Keative”. Nëpërmjet rrjetit Europas Cinemas nga viti 2019 deri në vitin 2022, Kinoteka ka pranuar fonde në vlerë prej 25.225 eurosh, njoftojnë nga ky institucion për Meta.mk.

Po ashtu, në vitin 2021 dhe 2022, Kinoteka e Maqedonisë ka marrë pjesë edhe në projektin “A Season of Classic films”, si iniciativë e Shoqatës Evropiane të Kinotekave (ACE), financuar përmes nënprogramit MEDIA në kuadër të “Evropa Keative”.

Një pjesë e shpenzimeve për dixhitalizimin e filmave me të cilët ajo ka marrë pjesë në projekt (me filmat Mirno leto, Frosina dhe tre filma të Vera Kliçkovës) mbulohen nga ACE”, thonë nga Kinoteka e Maqedonisë.

Nëpërmjet këtij projekti konkret të financuar nëpërmjet programit “Evropa Kreative”, Kinoteka e Maqedonisë në vitin 2021 dhe 2022 ka marrë mjete financiare në vlerë prej 16.108 eurosh.

Ndryshe, paralajmërimi i euroambasadorit David Geer se vendi do ta humbasë qasjen në programet e BE-së për financimin e produksionit të përmbajtjeve nëse deri më 31 maj nuk harmonizon legjislacionin për mediat me direktivën e BE-së vjen pas shumë indikacioneve dhe paralajmërimeve nga Komisioni Evropian. Pasi shteti mbeti i shurdhër ndaj nevojës për ta harmonizuar legjislacionin maqedonas me atë evropian, BE-ja vendosi të ndryshojë qasjen e saj dhe caktoi një afat për vendin për harmonizim me Direktivën e BE-së për Shërbimet Mediatike Audiovizuele.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button