Zelensky: Rezultati i betejave në lindje, vendimtar për të ardhmen e Ukrainës

Forcat ukrainase dhe ato ruse janë bllokuar në betejën për të kontrolluar qytetin e Bahmutit, teksa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se e ardhmja e Ukrainës do të vendoset në frontin lindor, ku po zhvillohen luftime “shumë të ashpra”, transmeton REL.

Pavarësisht humbjeve të mëdha, forcat ruse kanë vazhduar të kryejnë një valë sulmesh në qytetin ukrainas Bahmut, si dhe në disa lokacione tjera përreth rajonit lindor të Donjeckut, ka thënë ushtria ukrainase më 14 mars.

“Dje, forcat tona kanë zmbrapsur 102 sulme të armiqve… në Bahmut, armiku nuk ka pushuar në tentimet për ta marrë qytetin”, ka thënë Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, duke shtuar se beteja të ashpra po zhvillohen edhe në Liman, Avdivka, Marinka dhe Shahtarsk.

“Është situatë shumë e rëndë në lindje, shumë e dhimbshme”, u ka thënë Zelensky ukrainasve në adresimin e tij të përditshëm.

“Ne duhet të shkatërrojmë fuqinë ushtarake të armikut, dhe do ta shkatërrojmë atë. Në Belohorivka, Marinka, Avdivka, Bahmut, Vuhledar dhe Kamianka, dhe të gjitha vendet tjera, është duke u vendosur e ardhmja jonë”, ka thënë Zelensky, duke shtuar se është mirënjohës ndaj secilit ushtar që po e rrezikon jetën në betejë.

Forcat ukrainase janë duke bërë rezistencë të fortë në perëndim të Bahmutit, duke luftuar kundrejt sulmeve të luftëtarëve të grupit mercenar rus, Wagner.

Shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin – i cili e ka postuar një video ku shihet në qendër të Bahmutit – e ka pranuar se luftëtarët e tij po përballen më shumë vështirësi për të marrë kontrollin e qytetit.

“Situata në Bahmut është e vështirë, shumë e vështirë. Armiku është duke luftuar për çdo metër”, ka thënë Prigozhin në një postim në rrjete sociale, teksa ka treguar pamje të Bahmutit të shkatërruar.

Para luftës, në këtë qytet kanë jetuar rreth 70.000 njerëz.

Lufta për Bahmutin është konsideruar si një prej betejave më të ashpra prej kur Rusia e ka nisur luftën në Ukrainë, më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button