Krerët e MASH-it dhe UT-së në konviktin studentor në Tetovë: Pritet të jetë gati vitin e ardhshëm akademik

Ministria e Arsimit dhe Shkencës rikonfirmon, atë që e deklaroi për Portalb.mk se konvikti i ri  për student që po ndërtohet për nevojat e Universitetit të Tetovës pritet të jetë gati për pritjen e studentëve në vitin e ardhshëm akademik.

“Punimet ndërtimore  kanë përfunduar plotësisht, ndërsa aktualisht po pajisen dhomat dhe të gjitha hapësirat e tjera që do të jenë në dispozicion të studentëve të cilët studiojnë ose që do të vendosin të studiojnë në të ardhmen në këtë universitet shtetëror dhe do të kenë nevojë për akomodim”, thonë nga MASH.

Mbikqyrje të aktiviteteve sot kanë realizuar ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri së bashku me zëvendësministrin Agim Nuhiu, rektorin e universitetit Kushtrim Ahmeti dhe kryetarin e senatit universitar Vullnet Ahmeti.

Siç tha Shaqiri “është një investim jashtëzakonisht i madh që po realizohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe është në fazën përfundimtare të realizimit”. Do të pasojë rregullimi  parter  dhe  kyçja e konviktit për student me infrastrukturën e ujësjellësit dhe energjisë elektrike të qytetit.

“Tetova do të bëhet me  kampus të plotë universitar. Përveç hapësirave  në të cilat zhvillohet veprimtaria mësimore-shkencore, me ndërtimin dhe vënien në funksion të konviktit të studentëve, universiteti shtetëror do të mund të ofrojë një shërbim të plotë për qytetarët e ardhshëm akademikë dhe pritet që të tërheqë një rritje të konsiderueshme  të  numrit të studentëve në periudhën e ardhshme. Këtu ka munguar kapaciteti akomodues dhe me përkushtimin e Qeverisë po ndërtohet konform të gjitha standardeve bashkëkohore të cilësisë”, tha Shaqiri, duke shtuar se konvikti i ri do të mund të akomodojë rreth 300 studentë.

Ky konvikt premtohet nga viti 2016, në ditën kur Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi ligjin për themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” u paralajmërua edhe ndërtimi i këtij konvikti, në të njëjtin vit u hap edhe tenderi për ndërtimin e këtij konvikti.

Përkundër faktit se tenderi për ndërtim u hap në shtator të vitit 2016, nuk kishte vendim për fillim të punëve, ky vendim zyrtarisht u mor në fund të marsit të vitit 2018 dhe ishte paraparë që ky objekt të finalizohet në prill/maj të atij viti.

Por edhe në këtë afat kohor nuk u bë. Më pas, nga MASH thanë se konvikti duhej të përfundonte në fund të vitit 2021, por edhe kjo nuk u bë.

Në fillim të vitit 2022, ministri aktual, Jeton Shaqiri deklaroi se konvikti pritet të jetë gati për semestrin e kaluar i cili filloi në tetor, që edhe kjo nuk u bë. Konvikti nuk është gati as për këtë semestër.

Ndryshe, mungesa e konviktit studentor përbën problem për shumë studentë të huaj pasi sipas tyre çmimet e banesave private janë të shtrenjta dhe mbulimi i harxhimeve është i jo i lehtë për studentët. Ndërsa gjetja e një apo më shumë cimeri/je për të bashkëjetuar dhe ndarë harxhimet nuk është gjithmonë e lehtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button