“Grupi i zjarrit” me retorikë të ashpër ndaj Grubit nga Treboshi i Tetovës: Artani dhe “artanët” punojnë për karrierën e tyre, jo për popullin

Erdhëm këtu të informojmë për iniciativën tonë për demokratizimin e BDI-së, ndryshimin e ekzekutivit dhe rikthimin e partisë në rrugën e duhur. Kjo ishte porosia e kryetarit të këshillit mbikëqyrës të BDI-së dhe anëtar i të ashtuquajturit “grupi i zjarrit”, Musa Xhaferi, para banorëve të Treboshit, Tetovë, transmeton Portalb.mk.

Përveç Xhaferit, para banorëve të Treboshit foli edhe nënkryetari i BDI-së dhe deputeti, Izet Mexhiti, si dhe sekretari organizativ i partisë dhe kryetari i komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, të cilët së bashku me Musa Xhaferin janë emrat më të njohur të grupit të “zjarrit”.

“Na duhet avancimi i BDI-së për të cilën kemi dhënë shumë mund. Kemi konstatuar shumë neglizhenca dhe mosrealizim të projekteve që kemi premtuar në zgjedhje. Hapëm debat në parti, pse jemi bërë parti e gjelbërt, nuk ishte prioritet në zgjedhje, ose mund të ishte prioritet i dytë, i tretë dhe ka ardhur momenti që ‘ka has sharra në gozhdë’ dhe po reagojmë ta kthejmë në binarë partinë’, tha Xhaferi.

Në fjalimin e tij Maexhiti fajësoi zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi për humbjen e Pollogut, me gjasë duke aluduar për humbjen e BDI-së në Tetovë në zgjedhjet lokale të vitit 2021, ku betejën për kryetar e fitoi lideri i Besës, Bilal Kasami.

Sipas Mexhtit, Grubi ka krijuar një “frymë artanistike” te ministrat dhe aktivistët që i trajtojnë më keq disidentët e partisë se opozita.

‘Pollogun e humbëm gati tërësisht, me Artanin dhe Artanat, që ka krijuar frymën artaniste mes ministrave dhe aktivistët, dhe sillen me ne më keq se me opozitën. Shqiptarët kanë pozita si asnjëherë më parë, me kryetar parlamenti,e gjysmën e ministrave, me 80 përqind të resoreve ekonomike, ndërsa efekt nuk ka. Neve edhe kur kemi qenë në qeveri nacionaliste, kemi punësuar 500, 600 të rinj, kemi parandaluar ikjen e të rinjve, investime nuk ka, asnjë iniciativë nuk ndërmerr Artan Grubi drejt decentralizimit, drejt përforcimit të gjuhës shqipe, nuk dënohen institucionet që nuk e zbatojnë atë. Investime kapitale nuk ka, rrugë nuk ka në vendbanime shqiptare. Flet për korridorin 8-të, ndërsa Shkup-Bllacë dy kilometra nuk janë bërë”, tha Mexhiti.

Nga 400 milionë euro investime kapitale, theksoi ai, të paktën 100 milionë duhet të investohen në rajonet shqiptare.

Anëtari i “grupit të zjarrit”, i cili kryen funksionin e sekretarit organizativ në BDI, dhe në Komunën e Sarajit – kryetari Blerim Bexheti, tha se Grubi u bë zëdhënës i saj në vend të zëvendësit të dytë të Qeverisë.

‘”Pse nuk ka llogari nga ministri i Ekonomisë, i Financave e të tjerë ose ska zhvillim të rajoneve. Tre vite na gënjejnë me koridorin 8-të, për të cilin jemi të gjithë pro, por nuk ndërton asnjë rrugë në fshatra dhe qytete shqiptare. Artani dhe Artanat punojnë për karierat e tyre, jo për popullin. Duhet realizuar këtë qëllim, për të ringritur BDI-në, ne kemi vota, ata nuk kanë asnjëri, dhe kemi qenë kundër tyre nga viti 2020, sepse kemi frikë se do ta shkatërrojnë BDI-në’ tha Blerim Bexheti, i cili shtoi se ministrat aktual duhet të zëvendësohen me të rinj dhe të reja”, tha Bexheti.

Prej kohësh “Grupi i Zjarrit” kërkon largimin e zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi, si dhe zyrtarë të tjerë të BDI-së nga pushteti partiak dhe ekzekutiv për shkak të mos zbatimit të programit të partisë.

Kërkesat e “grupit të zjarrit” nuk u mbështetën nga lideri i BDI-së Ali Ahmeti, gjë që u bë shkak që të dy të nisin takime intensive me anëtarët dhe simpatizantët e BDI-së.

Artan Grubi: Arsyeja e vetme pse unë merrem me politikë është Ali Ahmeti

Ndërkohë Grubi në tubimin e mbrëmshëm në Çair, tha se Ali Ahmeti është arsyeja e vetme për të cilën ai është angazhuar në politikë.

“Një ndër burrat e rrallë, për mua është i vetmi si arsye për të cilin jam në politik. Ju e dini se Familja ime është marrë me arsim, kulturë, sport, asnjëherë me politik. Jam i vetmi nga familja që është i përfshirë në politik dhe në jetën publike. Vetëm një arsye ka, Ali Ahmeti! Asnjë arsye tjetër”, ka thënë mes tjerash në fjalën e tij Grubi.

Ndërkohë kordinatori i sapoemëruar i degës së BDI-së në Çair, Bujar Osmani, tha se “për pak muaj Maqedonia do të marrë kryeministrin e parë shqiptar”.

“Ne ishim një komb pa gjuhë, pa flamur, pa dinjitet dhe krenarë për atë që ishim, dhe le të kthehemi këtu ku jemi tani dhe të bëjmë ndryshimin dhe të fillojmë nga lart – poshtë. Le të fillojmë me presidentin e shtetit, i cili është konsensual dhe udhëheq ushtrinë me një vulë që është në gjuhën shqipe. Sot kemi një Kuvend që gjashtë vitet e fundit udhëhiqet nga shqiptarët. Në fakt, ne kemi tre parlamente në rajon që tani zhvillohen në gjuhën shqipe. Kemi Qeverinë në të cilën presim kryeministrin e parë shqiptar pas disa muajsh”, tha Osmani, duke shtuar se 9 nga 18 ministra janë shqiptarë.

Ky njoftim i Osmanit vjen në kulmin e përplasjes në BDI mes liderit Ali Ahmeti dhe pushtetarëve më të lartë të partisë, Artan Grubit dhe Osmanit nga njëra anë, ndaj deputetit dhe ish-kryetarit të Çairit, deri më tani të pakundërshtueshëm në bastionin e BDI-së në Shkup, Izet Mexhiti dhe “grupi i tij i zjarrit”.

Kujtojmë se mëpërmjet një konference për shtyp të mbajtur më 27 dhjetor, funksionarët e pakënaqur të BDI-së deklaruan se nga 19 premtime zgjedhore, vetëm dy janë realizuar tërësisht – “zëvendëskryeministri shqiptar dhe negociuesi shqiptar për BE dhe NATO”, ndërsa pjesërisht janë përmbushur pesë. Kjo, sipas Izet Mexhitit, do të thotë se BDI tërësisht i ka realizuar vetëm 1,2 përqind të premtimeve, 2,9 përqind janë realizuar pjesërisht, 95,9 përqind nuk janë realizuar. Lidhur me projektet infrastrukturore, siç potencoi, për dy vjet prej 520 milionë eurosh vetëm 11 milionë euro janë investuar për “pesë projekte shqiptare, në mesin e të cilave aksi Kërçovë – Dibër”.

Megjithatë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti gjatë një takim me bashkëpartiakët në Gostivar më 15 janar, u dërgoi porosi funksionarëve të “Grupit të Zjarrit” se nuk do ta largojë nga pozita zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi, pasi siç deklaroi, për atë ka vendosur shumica në parti. Ai shtoi se funksionarët e pakënaqur nuk kanë hequr keq pasi që tërë jetën kanë pasur funksione.

Megjithatë, kjo porosi e Ahmetit nuk i ka zmbrapsur funksionarët e “Grupit të Zjarrit” që të heqin dorë nga kërkesat e tyre. Ahmeti me ministrat dhe anëtarët tjerë të pushtetit ekzekutiv mbajnë tubime me qytetarët, ndërkaq paralelisht edhe “Grubi i Zjarrit” mban tubime me qytetarët nën logon e BDI-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button