Inovacion: Të rinjtë krijuan një aplikacion për kërkimin e farmacisë më të afërt me barnat më të lira

Simeon Markoski, Eva Agovska dhe Mihaill Mojsoski nga start-up organizata Startier, janë tre talente të rinj të cilët e krijuan аplikacionin “Gjej Farmaci“ nëpërmjet të të cilit qytetarët thjesht dhe shpejt mund të informohen për çmimin e barnave dhe produkteve mjekësore në farmaci, si dhe për farmacinë më afër tyre. Meta.mk bisedoi me dy anëtarë të kësaj tresheje – Simeonin dhe Evën, për produktin e tyre të suksesshëm, i cili mund t’u kursejë kohë dhe para qytetarëve gjatë kërkimit të barit të duhur që ata e kërkojnë.

Aplikacioni najdiapteka.mk (Gjej Farmaci) funksionon në atë mënyrë që pas hapjes së tij përdoruesi mjafton ta shënojë emrin e produktit që kërkon në fushën për kërkim, pas çka i shfaqet një listë me çmimet e më shumë produkteve të ngjashme ose pothuajse të njëjta nga farmaci të ndryshme, të radhitura sipas çmimit dhe vendndodhjes. Pas këtij hapi qytetarëve u shfaqet një hartë ku mund të shihet se ku ndodhen farmacitë. Çmimet përditësohen në intervale të caktuara kohore me qëllim që qytetarët të mund të kenë qasje në çmimet konkrete të barnave.

Simeon Markoski
Simeon Markoski, foto: Meta.mk

“Gjatë një periudhe të krizës vumë re se një pjesë e madhe e popullatës nuk ka para që t’i sigurojë nevojat themelore shëndetësore  dhe kështu lindi ideja që t’i shfrytëzojmë shkathtësitë tona që të ndihmojmë nëpërmjet një projekti i cili do ua afronte të dhënat qytetarëve dhe do i kthente ato në informacion të dobishëm. Gara ishte shkas për realizimin e projektit”, thotë Simeon Markoski në lidhje me motivimin për krijimin e aplikacionit “Gjej Farmaci”.

Simeoni, bashkë me Evën dhe Mihaillin, kanë formuar ekipin prej tre anëtarësh që vitin e kaluar ka aplikuar në Hakatonin e të dhënave të hapura, të cilin Fondacioni Metamorfozis e organizoi në mars të vitit 2022 në kuadër të Projektit të USAID-it për Pjesëmarrje Qytetare. Zgjidhja e tyre fitoi hakatonin, pas çka ideja fillestare u shndërrua në një aplikacion konkret në dobi të qytetarëve.

Simeon Markoski sqaron se në këtë projekt kanë punuar që të tre, ndërsa për ta fituar versionin e plotë të аplikacionit “Gjej Farmaci“ kanë punuar dy muaj. Aplikacioni është i dedikuar për qytetarët e Maqedonisë, që ata të mund t’i gjejnë lehtësisht  çmimet dhe ku ka zbritje të barnave dhe pajisjeve ndihmëse mjekësore në farmacitë sa më pranë tyre.

Barnatore
Farmaci, foto: Meta.mk

Eva Agovska shton se përshtypja fillestare tek qytetarët që kanë dëgjuar për aplikacionin është e mirë dhe shpreson që në periudhën e ardhshme atë ta përdorin një numër edhe më i madh i tyre.

Të dhënat e hapura – bazë për krijimin e aplikacioneve në ndihmë të qytetarëve

Me termin “të dhëna të hapura” nënkuptojmë që të dhënat e tilla janë të vendosuara në formë të përpunueshme kompjuterike, e që si bazë e të dhënave do të ishte e disponueshme për përdorim nga përdoruesit – persona fizikë apo juridikë. Të dhënat plotësisht të hapura mund të përdoren lirisht për nevoja personale ose komerciale dhe mund të analizohen, përpunohen, kontekstualizohen dhe ndahen pa kurrfarë kufizimi teknik ose ligjor. Shpenzimi për shkarkimin e të dhënave nuk duhet të jetë më i lartë se shkarkimi i tyre në internet.

Ekipi tre anëtarësh i “Startier” beson se përdorimi i të dhënave të hapura mundëson përfitime të konsiderueshme për zhvillimin e shoqërisë, si: transparenca, përmirësimi i shërbimeve dhe efikasiteti.

“Të dhënat e hapura ndikojnë edhe në ekonomi, produktivitet, shpërndarjen e resurseve, si dhe në shpejtësinë e shërbimit, që në disa fusha, si për shembull në shëndetësi, vërtetë mund të bëjë një ndryshim drastik”, thotë Simeon Markoski.

Eva Agovska
Eva Agovska, foto: Meta.mk

Kolegia e tij, Eva Agovska, shton se nga institucionet në nivel lokal dhe kombëtar ka një interes të madh për krijimin e të dhënave të hapura, por që po shënon rritje edhe numri i shoqatave që angazhohen për hapjen e bazave më të mëdha dhe më të shumta të të dhënave në periudhën e ardhshme.

“Ka interes për krijimin e të dhënave të hapura, sepse një numër i madh i institucioneve i ofrojnë ato, por shpeshherë nuk shoqërohen me meta të dhëna dhe në mungesë të këtij sqarimi të të dhënave ndodh që ato të jenë të paqarta dhe të vështira për t’u përdorur.“, thotë Eva Agovska.

Bazat e të dhënave në një format të hapur të disponueshme për publikun janë të dobishme jo vetëm për programerët gjatë zhvillimit të aplikacioneve celulare dhe ueb-aplikacioneve që e lehtësojnë aksesin e qytetarëve në një shërbim ose produkt të caktuar, por ato janë të dobishme edhe për redaksitë e mediave gjatë përgatitjes së storieve hulumtuese ose vizualizimeve të temave të caktuara.  Përdorimi i tyre nga sektori civil është i shumëfishtë.

Simeoni i këshillon të rinjtë që të jenë proaktivë sa i përket përdorimit të të dhënave të hapura dhe të ndjekin shembullin e tyre në krijimin e një produkti që është në dobi të komunitetit.

“Mendoj që në vendin tonë në dispozicion ka shumë të dhëna të hapura, të cilat mund t’i përdorim dhe të bëjmë aplikacione shumë të mira që do u ndihmonin njerëzve”, është mesazhi i Simeon Markoskit për të rinjtë në Maqedoninë e Veriut sa  i përket përdorimit të të dhënave të hapura.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button