Maqedoni: Mediat krijojnë një realitet virtual

Shfrytëzimi i padisë si instrument, përkatësisht përfshirja e politikës në institucionet gjyqësore si instrument për frikësimin e gazetarëve ka krijuar një situatë të tillë në Maqedoni që vetë mediat dhe gazetarët të vetë-censurohen duke e radhitur Maqedoninë gjithnjë e më poshtë në listat ndërkombëtare, kur bëhet fjalë për lirinë e të shprehurit, theksojnë njohësit e mediave, shkruan Radio Evropa e Lire.

“Maqedonia për fat të keq shënon një ‘rënie të lirë’ tanimë disa vite me radhë sa i përke të lirisë së mediave dhe gjendjes së gazetarëve në përgjithësi. Ka një ngufatje të paparë të lirisë së shprehjes, gjegjësisht kemi të bëjmë me një kontroll të rreptë të mediave përmes disa instrumenteve juridik të cilat përdoren për të frikësuar gazetarët”, nënvizon Xhelal Neziri, publicist.

Nga ana tjetër drejtoresha e shkollës së lartë të Gazetarisë, Zhaneta Trajkovska, konsideron se informimi selektiv për zhvillime të caktuara në Maqedoni nga ana e pjesës më të madhe të mediave ka krijuar siç e quan ajo një “realitet virtual” para qytetarëve.

“Një pjesë e opinionit mbetet e pa informuar gjegjësisht i prezantohet një realitet me të dhëna të përgjysmuara nga një pjesë e mediave të cilat janë të urdhëruara të fshehin të vërtetën para trupit elektoral sepse jo të gjithë kanë qasje në internet dhe më pak kanë hapësirë ata media të cilat nuk janë nën kthetrat e politikës qeveritare”, nënvizon Tajkovska.

Ajo shton se politikat e informimit selektiv në Maqedoni janë të pranishme tanimë disa vite me radhë.

“Në Maqedoni zhvillohet tanimë disa vite një politikë e informimit selektiv me qëllim që të krijohet një realitet virtual në të cilin do të jetonin qytetarët këtu. Dhe njëkohësisht synohet të zvogëlohet sa më shumë që është e mundur efekti mediat i asaj që quhet të qenit i informuar drejtë për gjithçka që zhvillohet në vend dhe njëkohësisht tangon interesat e qytetarëve”, thekson Trakovska.

Nga ana tjetër, sipas Xhelal Nezirit problemi i shprehjes së lirë në Maqedoni nuk qëndron në rregullativën ligjore e cila rregullon këtë çështje por mos zbatimin e ligjeve përkatëse ose zbatimin e pjesshëm.

“Mbase në një formë mund të themi se në aspektin formal-juridik gjithçka të jetë në rregull, por ajo që kritikohet është praktika gjegjësisht keqpërdorimi i instrumenteve dhe gjyqësisë për të luftuar fjalën e lirë përfshi këtu gazetarët dhe mediat e lira, kjo është në njërën anë dhe në anën tjetër kemi të bëjmë të buxheti shtetëror për reklamimin e politikave qeveritare gjegjësisht destinimin e këtyre mjeteve vetëm tek ato media që njihen si pro qeveritare”, thotë Neziri.

Ndryshe, në raportin e fundit të raportit të Freedom House, Maqedonia është cilësuar si vend me pseudo demokraci duke u radhitur në mesin e shteteve me regjim hibrid.

Në raportin e titulluar “Kombet në Tranzicion 2014”, thuhet se Maqedonia po shënon rënie në aspektin e respektimit të lirive dhe të drejtave demokratike, duke venë theks të veçantë në lirinë e mediave.

Raporti thekson shembuj eksplicit mbi lirinë e mediave dhe agjencinë për media, e cila në raport quhet si instrument i qeverisë për kontroll ndaj mediave.

Lajme të ngjashme

Back to top button