RMV, ndryshimet në Kodin Penal sot në rend dite të Kuvendit

Në kuadër të seancës së 51-të që Kuvendi do të mbajë sot, duhet të votohet për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal, në lexim të parë, transmeton Portalb.mk.

Ndryshimet bëhen për shkak të nevojës për harmonizimin e dispozitave të Kodit me standardet ndërkombëtare në fusha të caktuara dhe praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe për të hequr nga praktika dobësitë e konstatuara.

Kuvendi sot do të mbajë edhe vazhdimin e seancës së 71-të. Në këtë seancë duhet të shqyrtohen disa pika, duke përfshirë raportet vjetore për punën e Avokatit të Popullit, Këshillit Gjyqësor dhe Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, të tre për vitin 2021.

Kujtojmë se pas dy vitesh pritje, sulmet ndaj gazetarëve do të trajtohen si sulm ndaj një zyrtari dhe në këtë mënyrë sulmuesit do të marrin dënim me burg, pas ndryshimeve të miratuara të Kodit Penal më 14 shkurt të këtij viti.

Sulmuesit e gazetarëve dhe punonjësve të medias do të dënohen me dënim me burg. E njëjta gjë vlen edhe për sulmet dhe kërcënimet ndaj avokatëve dhe punonjësve të shëndetësisë. Përndjekja dhe ngacmimi seksual janë bërë gjithashtu vepra penale. Do të dënohet edhe dhuna ekonomike, por edhe vepra e re penale “ekocid”.

Sipas ndryshimeve në Kodin Penal, për kërcënimin me jetë të punonjësve të medias, avokatëve dhe punonjësve të shëndetësisë, sulmuesit do të dënohen me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj. Dhe nëse kërcënimi shkakton një ndjenjë frike ose pasigurie, dënimi mund të arrijë deri në një vit burg. Nëse ndaj këtyre personave ushtrohet dhunë, atëherë dënimi me burg është nga tre muaj deri në tre vjet.

“Me këtë nen, do të dënohet kushdo që kryen veprën penale kundër një zyrtari në kryerje të detyrës, avokatit, mjekut ose një punonjësi tjetër shëndetësor, gazetari ose ndonjë punonjësi tjetër të medias ose ndonjë personi tjetër që kryen punë me interes publik gjatë kryerjes së detyrave profesionale ose lidhur me kryerjen e detyrave profesionale të cilat i ndërmerr në kuadër të kompetencave të veta ose ndaj disa personave”, shkruan në ndryshimet në Kodin Penal.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button