ANALIZË: Haraçinë, Gostivar, Tetovë, Çair, Strugë, Kërçovë, Dibër – sa para janë mbledhur nga taksat në vitin 2022!

Është përmbledhur buxheti i vitit 2022 për komunat, në pjesën e të ardhurave, disa prej tyre ia dolën ta tejkalojnë planin, por disa dështuan, sidomos në të ardhurat nga taksat. Vitin e kaluar në një pjesë të madhe të komunave u vu re se transferimet nga qeveria, të cilat përfaqësojnë zërin më dominues në anën e të ardhurave, ishin më të ulëta se sa ishte planifikuar. Portalb.mk në dy vazhdime të Analizës do të publikojë llogaritë përfundimtare të anës së të ardhurave dhe shpenzimeve të komunave që kanë buxhete më të mëdha vjetore. 

Ana e të ardhurave – sa para nga taksat dhe transferime janë derdhur në arkat e komunave…

Me dotacione dhe transferime të përfshira, Komuna e Haraçinës vitin e kaluar ka shënuar rritje të të hyrave në arkë në krahasim me planin dhe kanë arritur në gati 2,1 milionë euro. Të dhënat e reja për gjithë vitin 2022 tregojnë se kjo komunë ende nuk ka arritur t’i mbledhë të gjitha mjetet e planifikuara në bazë të taksave. Nga tatimi në pronë, që është një nga tatimet kryesore për të gjitha komunat, janë mbledhur 38,650 euro, ose 99% në krahasim me planin, mirëpo dështim të madh ka në tatimin mbi të ardhurat, nga i cili janë mbledhur 16,300 euro, ose pak më shumë se një e treta në krahasim me planin. Kjo komunë ka marrë gati 2 milionë euro nga shteti, që për dallim nga komunat tjera ku ka rënie të këtyre mjeteve, për Haraçinën ka rritje në krahasim me planin.

Komuna e Çairit dështoi për sa i përket të hyrave të planifikuara, të cilat në vitin 2022 arritën në 13,7 milionë euro, që është për 1,3 milionë euro më pak se plani. Nga tatimi në pronë janë mbledhur 1,3 milionë euro, që është 11% më shumë se plani. Vitin e kaluar kjo komunë ka marrë gati 8,8 milionë euro nga nivelet e tjera të pushtetit. Dështim ka në tatimin mbi të ardhurat nga i cili janë mbledhur 388.150 euro.

Komuna e Tetovës vitin e kaluar nuk arriti t’i realizojë të gjitha të hyrat e planifikuara – në arkë kanë hyrë gjithsej 24,8 milionë euro, që paraqet vetëm 88% të mjeteve të planifikuara. Kjo komunë ka mbledhur një shumë më të madhe se sa ishte planifikuar për tatimin në pronë, nga i cili janë mbledhur afro 2,7 milionë euro, që është për 30,3% më shumë. Më shumë mjete se sa që ishin planifikuar janë mbledhur në bazë të tatimit në pronë, ndërsa më pak në krahasim me planin janë mbledhur në mbledhjen e taksave dhe kompensimeve, shitjen e tokës, të hyrat e tjera jotatimore. Transferimet nga qeveria ishin në vlerë prej 19,2 milionë euro.

Më pak të ardhura në krahasim me planin ka realizuar komuna e Strugës – të dhënat përfundimtare tregojnë se vitin e kaluar të ardhurat e kësaj komune ishin 17 milionë euro, që është 92,2% e shumës së planifikuar. Nga tatimi në pronë janë mbledhur 1,3 milionë euro, që përbën 96,8% të planit. Rënie ka edhe te të ardhurat nga mbledhja e taksave dhe kompensimeve dhe nga të ardhurat e tjera jotatimore. Qeveria ka transferuar 11,5 milionë euro në llogarinë e kësaj komune.

Të ardhurat totale të komunës së Kërçovës vitin e kaluar arritën në 13 milionë euro ose ka pasur realizim 89,8% në raport me planin. Nga tatimi në pronë në arkën e komunës janë derdhur 920.500 euro, që është për 5,2% më shumë se plani. Rënie ka te tatimet për shërbimet specifike, taksat dhe kompensimet dhe të ardhurat e tjera jotatimore. Transferimet nga qeveria qendrore arritën në 9,9 milionë euro.

Komuna e Gostivarit vitin e kaluar ka realizuar të hyra në vlerë prej 18,3 milionë euro, që paraqet 96,2% të planit. Nga tatimi në pronë janë mbledhur 1.4 milionë euro, ose 5,2% më shumë se parashikimi. Në anën e të ardhurave, rënie në krahasim me planin ka te tatimet për shërbimet specifike, taksat dhe kompensimet, gjobat dhe të ardhurat e tjera jotatimore. Në llogarinë e komunës së Gostivarit nga pushteti qendror janë derdhur 13,8 milionë euro.

Të ardhurat totale të komunës së Dibrës vitin e kaluar arritën në 5,3 milionë euro, që paraqet një realizim prej 82,4% në raport me projeksionin, që është realizim më i dobët se sa në komunat tjera të analizuara. Nga tatimi në pronë janë mbledhur 169,600 euro ose 87,1% e shumës së planifikuar. Një rënie të madhe të të ardhurave ka te tatimet për shërbimet specifike, me ç’rast ka një realizim prej vetëm 41%, dhe dukshëm më pak para janë mbledhur nga taksat dhe kompensimet, gjobat dhe të ardhurat e tjera jotatimore. Transferimet nga qeveria ishin në vlerë prej 4 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Back to top button