Nuk e dimë se sa sasi e mbeturinave elektrike dhe elektronike përfundojnë nëpër deponi (Infografik)

Askush në Maqedoni nuk e di se sa mbeturina nga pajisjet elektrike dhe elektronike përfundojnë në deponitë komunale. Realisht, në çdo hap në brigjet e lumenjve dhe anës rrugëve mund të shihen të hedhur frigoriferë, soba, televizorë apo pjesë të kompjuterëve që janë pjesë e pandashme e deponive të egra të krijuara nga qytetarët. Vetëdija e qytetarëve dhe e disa kompanive se këto mbeturina nuk duhet të përfundojnë në natyrë është e ulët, por detyrimet e Ligjit të ri për Menaxhimin e Pajisjeve Elektrike dhe Elektronike dhe Mbeturinave të Pajisjeve Elektrike dhe Elektronike të miratuar në korrik të vitit 2021 janë të larta, shkruan Meta.mk, njofton Portalb.

“Mbeturinat nga pajisjet elektrike dhe elektronike janë një nga mbeturinat me rritje më të shpejtë në BE, me një shkallë vjetore prej 3-5 për qind”, thotë fjalia e parë e Programit për Menaxhimin e Rrjedhave Speciale të Mbeturinave për periudhën 2022-2031, miratuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë së Veriut.

Në vetë Programin thuhet se tregu i pajisjeve elektrike dhe elektronike po zhvillohet shumë shpejt, me potencial për të gjeneruar sasi të konsiderueshme të mbeturinave nga pajisjet elektrike dhe elektronike në vend në të ardhmen, prandaj Maqedonia duhet të zhvillojë një strukturë për trajtimin e tyre.

Në Raportin për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesve të Drejtorisë së Mjedisit Jetësor nga qershori i vitit të kaluar thuhet se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022 në vendin tonë në treg janë lëshuar 4.233.304,9 kilogramë pajisje elektrike dhe elektronike, pra pak në shumë se 4.233 tonë. Në dokument thuhet se kjo sasi është vetëm nga prodhuesit e regjistruar deri më 30 qershor 2022. Megjithatë, në Maqedoni ka ende prodhues të paregjistruar kontratues. Me pak fjalë, sasia e pajisjeve elektrike dhe elektronike të lëshuara në treg është shumë më e lartë se shifrat zyrtare.

Projektimet për pajisjet elektrike dhe elektronike të lëshuara në treg
Projektimet për pajisjet elektrike dhe elektronike të lëshuara në treg

Projektimet e publikuara në Programin për Menaxhimin me Rrjedha Speciale të Mbeturinave për periudhën 2022-2031 flasin për një rritje të vazhdueshme të sasive të pajisjeve elektronike dhe elektrike që do të lëshohen në treg në Maqedoni në vitet e ardhshme. Nëse në vitin 2023 vlerësimet janë se në treg do të gjenden 36.916 tonë pajisje elektronike dhe elektrike, katër vjet më pas ky numër do të arrijë deri në 41.547 tonë në vit.

Çfarë bën pjesë nën termin pajisje elektrike dhe elektronike?

Në Ligjin e ri për Menaxhimin e Pajisjeve Elektrike dhe Elektronike dhe Mbeturinave të Pajisjeve Elektrike dhe Elektronike, i cili u miratua në korrik të vitit 2021, u prezantuan gjashtë kategori të pajisjeve të tilla, dhe atë:

(1) pajisje për shkëmbimin e temperaturës;
(2) ekrane, monitorë dhe pajisje që kanë ekrane më të mëdhenj se 100 centimetra katrorë;
(3) llamba;
(4) pajisje të mëdha (pajisje shtëpiake, TIK, pajisje telekomunikacioni, pajisje për konsumatorë për ndriçim, pajisje për riprodhimin e zërit ose imazhit, lodra, pajisje muzikore, mjete elektrike dhe elektronike, pajisje sportive dhe rekreative, pajisje mjekësore, instrumente për monitorim dhe kontroll, dispenserë automatik, pajisje për prodhimin e rrymave elektrike dhe pajisje të tjera më të mëdha se 50 centimetra;
5) pajisje të vogla që janë më të vogla se 50 centimetra dhe
(6) pajisje të vogla informatike-komunikuese dhe telekomunikuese, dimensionet e të cilave nuk tejkalojnë 50 centimetra.

Synimi i vendit është që deri në vitin 2027 të mbledhë 50 për qind të E-mbeturinave

Në Maqedoni ekzistojnë tre përpunues kolektivë të licencuar të mbeturinave nga pajisjet elektrike dhe elektronike – EKON ELEKTRON, ZERO MBETURINA dhe ELKOLEKT. Meta.mk u dërgoi pyetje të gjithëve, por përgjigje mori vetëm nga EKON ELEKTRON.

Nga EKON ELEKTRON sqarojnë se importi dhe prodhimi i përgjithshëm vjetor i pajisjeve elektrike dhe elektronike që lëshohen në treg është 34 mijë tonë. Prodhuesit dhe importuesit që janë në sistemin e veprimit kolektiv të EKON ELEKTRON ShPK importojnë ose prodhojnë rreth 9000 tonë, ndërsa sipas ligjit kompania e tyre duhet të mbledhë, transportojë, trajtojë, riciklojë ose përpunojë në ndonjë mënyrë tjetër 25 për qind të kësaj sasie.

“Në sistemin tonë të veprimit kolektiv janë përpunuar 2.526 tonë. Këto pajisje nuk kanë përfunduar në deponi, por vazhdojnë të përdoren si lëndë e parë dytësore në ekonominë qarkulluese”, thotë nga EKON ELEKTRON për punën gjatë vitit të kaluar.

Ky operator kolektiv sqaron se pajisjet e grumbulluara nga qytetarët dhe kompanitë u dorëzohen kompanive që kanë licencat e duhura për përpunim dhe riciklim, e më tej pastaj ato merren me to.

“Në vendin tonë pjesa më e madhe e procesit është vetëm selektim dhe trajtim primar dhe pothuajse të gjitha pajisjet eksportohen”, informojnë nga EKON ELEKTRON.

Sa i përket problemeve ata sqarojnë se një prej tyre është përfshirja e të gjithë prodhuesve dhe importuesve në një nga sistemet e operatorëve kolektivë që në fushën e përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit po zhvillohet ngadalë.
“Një problem tjetër që do ta veçonim është grumbullimi, transporti, trajtimi dhe riciklimi, ku ka “free-riders” që këto operacione nuk i kryejnë siç duhet”, shtojnë ata nga EKON ELEKTRON.

Sa i përket sasisë, përkatësisht përqindjes së E-mbeturinave përfundojnë në deponitë e Maqedonisë, nga operatori kolektiv EKON ELEKTRON thonë se përgjigjja në këtë pyetje është pak më specifike.

“Ka mbeturina të pajisjeve elektrike dhe elektronike që janë shumë të vogla si telefonat, mikserat, bukëthekësit, por edhe pajisje të mëdha si soba, lavatriçe, frigoriferë dhe nga ky këndvështrim nuk kemi asnjë analizë apo të dhëna për atë se sa përqind e këtij lloji mbeturinash përfundojnë në deponi”, shpjegojnë nga EKON ELEKTRON.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për Meta.mk informojnë se operatorët kolektivë janë të obliguar që raportet vjetore për vitin paraprak t’i dorëzojnë më së voni deri më datën 31 mars të këtij viti, pas çka do të dihet se sa mbeturina elektrike dhe elektronike janë grumbulluar në vitin 2022.

Nga kjo Ministri thonë se si organ kompetent për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit dhe rregulloreve për këtë lloj mbeturinash, janë duke e monitoruar situatën dhe se hapat e ardhshëm janë zbatimi konsekuent i obligimeve ligjore nga prodhuesit, operatorët kolektivë dhe ricikluesit.

Në Programin për Menaxhimin e Rrjedhave Speciale të Mbeturinave për periudhën 2022-2031, thuhet se përqindja e grumbullimit të pajisjeve elektrike dhe elektronike që do t’i nënshtroheshin riciklimit dhe përpunimit të mëtejshëm në Maqedoni duhet të rritet nga 25 për qind në vitin 2022, në 50 për qind në vitin 2027. Këto synime nacionale të vendosura për grumbullimin e E-mbeturinave dallojnë nga synimet për riciklimin dhe përpunimin e mbeturinave nga pajisjet elektrike dhe elektronike në BE, ku që në vitin 2019 dhe në tre vitet paraprake duhej të riciklohej dhe përpunohej 65 për qind e peshës mesatare të këtij lloji të pajisjeve të lëshuara në treg.

Nga EKON ELEKTRON thonë se hapi primar për rritjen e përqindjes së selektimit dhe riciklimit në Maqedoni është ngritja e vetëdijes së qytetarëve dhe kompanive, dhe kjo nuk vlen vetëm për mbeturinat elektronike, por edhe për të gjitha llojet e mbeturinave të tjera. Numri i kërkesave për marrje falas të mbeturinave të pajisjeve elektrike dhe elektronike nga qytetarët po rritet, që do të thotë se vetëdija e qytetarëve dhe kompanive maqedonase po rritet.

Krahas ndërgjegjësimit të mëtejshëm të publikut për E-mbeturinat, vendi bashkë me njësitë e vetëqeverisjes vendore, ndërmarrjet publike dhe kompani të tjera, duhet të punojë edhe në ngritjen e infrastrukturës për grumbullimin e tyre. Por, instalimi i një infrastrukture të tillë nuk duhet të përqendrohet vetëm rreth zonave urbane, por në të gjithë territorin e vendit, sqarojnë nga EKON ELEKTRON.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button