Mbyllja e çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor dhe rreziku i hapjes së të rejave

Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi dhe marrëveshja e mundshme serbo-kosovare e 18 marsit, shihen si një ndër përparësitë e bashkësisë ndërkombëtare në Ballkan. Bosnja e bllokuar nga Dodiku dhe nacionalistët kroatë duket se nuk ka ndonjë zgjidhje se si të dilet nga kriza institucionale. Mali i Zi dhe qytetarët e saj nuk dëshirojnë të kthehen nën Serbi, dhe e vetmja mundësi mbetet që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, partia e presidentit Gjukanoviq dhe vetë ai në presidencialet e 19 marsit të fitojnë. Kjo mund të arrihet vetëm me mbështetjen e partive shqiptare në Mal të Zi dhe të një qëndrimi më të qartë të bashkësisë ndërkombëtare. Kryeministri në dorëheqje Dritan Abazoviq është kritikuar për lidhjet e tij me Serbinë dhe Kishën serbe në përpjekje për të minuar pavarësinë e Mal të Zi.

Në ndërkohë, Kosova dhe Serbia më 18 mars duhet të nënshkruajnë një dokument përfundimtar, ku të dyja palët pajtohen për rrugën e zbatimit të marrëveshjes e cila do të normalizonte më vonë marrëdhëniet në mes dy shteteve. Megjithatë, shumë skeptikë thonë se marrëveshja mund të mos zbatohet në tërësi, për arsye të veprimeve të palës serbe dhe kundërshtimeve në Beograd që Kosova të bëhet pjesë e organizatave ndërkombëtare ku Beogradi më në fund do të hiqte dorë nga bllokada dhe diplomacia kundër njohjeve ndaj Kosovës.

Gjasat në realitet kësaj here janë që të dyja palët të qëndrojnë pas nënshkrimeve, pasi SHBA dhe BE janë të vendosura që raportet e ndërlikuara Kosovë -Serbi të përmirësohen dhe të dy shtetet të ecin drejt një faze më stabile të ndër fqinjësore. Marrëveshja që paralajmërohet, për Serbinë vjen në një moment të rëndësishëm, sepse Rusia po e humb rëndësinë e saj dhe Beogradi ka një zgjidhje më të lehtë e cila nuk është aq e kushtueshme dhe që e bashkon me Perëndimin. Të njëjtën gjë e shohim në Hungari, ku kryeministri Viktor Orban ka thënë se Hungaria duhet të rishikojë pozicionin e saj në raport me Rusinë, për arsye të ndryshimeve dhe realitetit të ri gjeopolitik. SHBA dhe BE me këtë marrëveshje në fakt arrijnë të ‘mbyllin’ një konflikt, por jo të fundit në Ballkan, pasi Bosnja dhe paqëndrueshmëria në Mal të Zi dhe në Maqedoni të Veriut ende janë të pranishme.

Për momentin askush nuk dëshiron luftë të re në Ballkan, palë të treta dhe aktorë jo shtetërorë janë të interesuar që të mbajnë aktive zënat ndëretnike dhe ndërshtetërore. Kur Serbia dhe Kosova u pajtuan në parim në Bruksel për Planin franko-gjerman, ishin mediat pro ruse të Beogradit, Kremlini dhe disa media shqiptare në Kosovë që njoftuan paraprakisht se marrëveshja do të dështojë. Kjo nuk ndodhi, 18 marsi po afrohet.

Ndoshta më vonë takimi Kurti-Vuçiç në Ohër mund të vlerësohet si një moment tjetër historik në Ballkan përkrah luftës që po zhvillohet në Ukrainë, e cila përherë ka qenë dhe vazhdon të mbetet në mendjet e politikanëve si konflikt që mund të destabilizojë Ballkanin. Adresimi në kohë i problemeve të hapura në Ballkan, kërkon gjithashtu një trajtim të barabartë të palëve në konflikt. A do ta bëjë këtë SHBA dhe BE në mosmarrëveshjen në mes Serbisë dhe Kosovës?! Shpresat janë që Serbia të largohet nga sfera ruse dhe e lojës teknologjike kineze. Dhe këtu SHBA shpreson që duke i bërë lëshime Beogradit të bëjë atë më afër BE-së dhe me bizneset amerikane.

Poqese nuk do të arrihet kjo strategji amerikane, atëherë në tërësi marrëveshja Kosovë-Serbi mund të bie dhe të mos zbatohet. Andaj, me rëndësi është që pas 18 marsit të ketë një dokument të nënshkruar nga të dy shtetet dhe të jetë i shoqëruar më pas me mjete shtrënguese ndaj palëve në rast të refuzimit të implementimit të pikave që dalin nga marrëveshja. Ndoshta marrëveshja shumë e paralajmëruar nga ndërmjetësit ndërkombëtar, nuk do të jetë e fundit në mes Serbisë dhe Kosovës. Përmirësimi i atmosferës në Ballkan, të marrëdhënieve ndërshtetërore, duhet parë si një hap drejt afrimit me BE-në.

Me një gjendje stabile rajonale, shumë më lehtë investitorë të huaj do të mund të vinë në Maqedoni të V. në Kosovë, në Serbi dhe në rajon. Për këtë duhen krijuar kushte që askush të mos flasë për luftë dhe mospajtime të reja. Nuk duhet harruar se në Ballkanin Perëndimor një konflikt mund të mbyllet dhe një tjetër mund të hapet papritmas. Kështu që kujdesi dhe menaxhimi i konflikteve të vjetra historike duhet bërë me të gjitha mjetet e diplomacisë së butë dhe të shkopit. Ndryshe asnjë marrëveshje nuk do të zbatohet nga palët dhe mund të shërbejë për zënka në të ardhmen në mes popujve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button