Al Jazeera: Ja si u zhdukën 500 fëmijë shqiptarë

Trafikimi i fëmijëve shqiptarë, veçanërisht atyre të komuniteti rom drejt Greqisë, që pas rënies së komunizmit është bërë temë e emisionit investigativ “People and Power”, “Njerëzit dhe Pushteti” që transmetohet në rrjetin televiziv Al Xhazira. Nën titullin “Fëmijët e Humbur të Shqipërisë” gazetarja Sarah Macdonald ka zbuluar zhdukjen e rreth 500 fëmijëve nga një qendër për rehabilitimin e tyre në Athinë, për të cilën autoritetet greke, kohët e fundit kanë rinisur hetimet. Bëhet fjalë për rastin e qendrës së trajtimit të fëmijëve Agia Varvara në Athinë, në të cilën prej vitit 1998 deri në 2001, në bazë të një programi të qeverisë greke u trajtuan 644 fëmijë. Por emisioni ka zbuluar se 487 prej tyre ose rreth 70%, nuk rezultonin të regjistruar në këtë qendër. Ata janë kryesisht fëmijë të komunitetit rom.

Gazetarja Macdonald, në emisionin e saj sjell fakte dhe dëshmi konkrete të personave që janë trajtuar në këtë qendër, të cilët në regjistrat e kësaj qendre që tashmë nuk egziston, kanë zbuluar se nuk e kanë pasur emrin të regjistruar. Dyshime të forta hidhen se shumë prej tyre mund të jenë shfrytëzuar trafik organesh apo aktivitete të tjera të jashtëligjshme, të lidhura me grupet kriminale.

Një dëshmitar thotë se qendra drejtohej nga persona, të cilët pavarësisht vullnetit të mirë, ishin të pafuqishëm t’i ruanin fëmijët nga bandat kriminale. Sipas tij, pjesëtarë të këtyre grupeve u vinin vërdallë qendrës, në qendër të Athinës thuajse çdo ditë, për të rimarrë fëmijët, të cilët cilët dikur i detyronin të dilnin rrugëve të Athinës, duke i shfrytëzuar për përfitime personale. Policia greke i kishte çliruar fëmijët nga kthetrat e tyre, duke i futur në qendrat e rehabilitimit.

Shqetësimi u ngrit nga organizata e mbrojtjes së fëmijëve Terres Des Hommes në vitin 2004 dhe qeveria greke u detyrua edhe me ndërhyrjen e Obmusmenit për fëmijët shqiptarë në atë kohë të niste hetimet. Por ky rast u mbyll pa rezultat, i lënë në harresë.

Gazetarja Sarah Macdonald shpreson që hetimet e reja të rinisura, të mos kenë të njëjtin fat me ato të vjetrat. Ndërsa ngre pyetjen nëse interesi për fëmijët e zhdukur në këtë qendër do të ishte më i madh nga autoritetet nëse ata nuk do të ishin romë?

Lajme të ngjashme

Back to top button