Gjykata e Apelit ka pranuar lëndën “Titanik 2”, Mijallkovin e ndajnë 27 ditë nga vjetërsimi i veprës apo aktgjykimit të plotëfuqishëm

Gjykata e Apelit në Shkup informoi se ka pranuar lëndën “Titanik 2” më 7 mars 2023 dhe në pajtueshmëri me dispozitat e Ligjit për procedurë penale është dorëzuar për të marrë mendim në Prokurorinë e Lartë Publike Shkup më 8 mars 2023, transmeton Portalb.mk.

Tani pritet nga gjykata që shpejtë të miratojë vendim të shkallës së dytë, sepse një pjesë e lëndës vjetërsohet më 7 prill. Kjo do të thotë se, nëse gjykata nuk vendosë për 28 ditë nga tani, vepra për të cilën akuzohet ish shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov do të vjetërsohet.

Aktgjykimi i dytë i shkallës së parë për “Titanik 2” u miratua më 23 janar, pasi paraprakisht Apeli shfuqizoi aktgjykimin dhe lënda u kthye në rigjykim.

Vepra penale për të cilën akuzohet Mijallkovi “Pranim i shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”, vjetërsohet më 7 prill të këtij viti, sepse vepra me të cilën ngarkohet është deri në pesë vite burg. Ai ndihet për pjesëmarrje në parregullsi zgjedhore në zgjedhjet lokale në vitin 2013.

Të akuzuarit e tjerë në këtë lëndë, ish deputeti Menduh Thaçi, ish anëtari i KSHZ-së, Bedredin Ibraimi dhe tre ish anëtarë të KSHZ-së nuk kanë mundësi të shpëtojnë me vjetërsim. Ata ndiqen për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës dhe kompetencave zyrtare”.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Penale, Mijallkovi dhe Thaçi u dënuan me nga dy vite burg. Po ashtu, me nga dy vite u dënuan edhe të akuzuarit e tjerë, Bedredin Ibraimi, Sasho Srcev, Vlatko Sajkovski dhe Aneta Stefanovska.

Sipas aktakuzës, Mijallkovi përmes liderit të PDSH-së, Menduh Thaçi, ka porositur që t’i urdhërojë bashkëpartiakut nga KSHZ, Bedredin Ibraimi, të votojë për prishjen e votimit të rregullt në një vendvotim në Strumicë, në favor të Vasil Pishevit nga VMRO – DPMNE, në dëm të kandidatit të atëhershëm për kryetar komune, Zoran Zaev.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button