Në “Shisha bar” janë gjetur pesëdhjetë gëzhoja, shumica e plumbave kanë përfunduar në trupat e viktimave

Pjesa më e madhe e pesëdhjetë plumbave të shtëna në “Shisha bar” në Çarshinë e Vejtër të Shkupit kanë përfunduar në trupat e dy të vrarëve, tha gjatë emisionit “360 shkallë” shefi i Prokurorisë Publike Shkup, Gavril Bubevski, i cili koordinon parahetimin për rastin, transmeton Portalb.mk.

“Është e njohur se sa lëndime saktë ka në trupat e të vrarëve, por unë ende se kam atë të dhënë, nuk e kam raportin nga mjekësia ligjore, por 40 nga 50 gëzhojat janë gjetur rreth trupave të të vrarëve. Pjesa më e madhe e plumbave ka përfunduar në trupat e tyre, përkatësisht shumë pak kanë përfunduar jashtë”, tha Bubevski.

Pas informatave se, sulmuesit kanë hyrë në lokal të uniformuar dhe maskuar dhe se mysafirëve u kanë thënë se bëhet fjalë për kontroll policore, i pyetur se në cilën gjuhë kanë folur, Bubevski tha se, kanë folur në gjuhën maqedonase.

“Në gjuhën maqedonase, por ajo nuk është hetuar deri në fund nëse është pastër në gjuhën maqedonase, a bëhet fjalë për përzierje. Megjithatë, ajo është situatë në të cilën personat kanë armë dhe kur i merrni këto informata nga dëshmitarë duhet të jeni pak edhe të kujdesshëm. Po shqyrtohen të gjitha mundësitë që i kemi në dispozicion për të parë nëse kemi gjurmë serioze ndaj personave të caktuar”, tha Bubevski.

Ai tha se, vrasja ka ndodhur në katin e dytë të objektit dhe se aty nuk ka pasur mysafir të tjerë. Bëhet fjalë për hapësirë të mbyllur, ndërsa target kanë qenë ato dy persona.

“Me to ka pasur edhe një person i cili është me lëndime të lehta dhe i cili nuk ka qenë target, edhe pse ka qenë në afërsi. Është e dukshme se target kanë qenë ato dy persona të cilët në fund janë privuar nga jeta”, tha ai.

I pyetur se në çfarë drejtimi kanë shkuar sulmuesit pasi kanë djegur automobilin “Audi A6”, Bubevski tha se tani për tani informatat që i kanë janë ato që i di opinioni.

Jeton Krivanjeva dhe Enes Iseni, janë dy të vrarët gjatë incidentit të 6 marsit në një lokal në Çarshi të Shkupit. Vrasja ka ndodhur rreth orës 20, ndërkaq në Polici është lajmëruar në ora 20:11 minuta, pas 20 minutave policia ka gjetur të djegur një automjet “Audi a6”, i cili dyshohet se është i vrasësve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button