Kovaçevski: Edhe hebrenjtë do të përfshihen në kushtetutë

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se komuniteti hebre do të jetë një nga komunitetet që duhet të jenë pjesë e Kushtetutës sonë gjatë ndryshimeve kushtetuese që duhet të miratohen nga Kuvendi, transmeton Portalb.mk.

Ndryshimi i Kushtetutës për të përfshirë bullgarët është kusht që Maqedonia të vazhdojë negociatat për anëtarësim me Bashkimin Evropian pas përfundimit të skriningut në fund të vitit. Përveç bullgarëve dhe hebrenjve, parashikohet që në preambulën e Kushtetutës të përfshihen edhe kroatët dhe malazezët.

“Kam pasur takim me përfaqësuesit e Knesset-it, asamblesë izraelite. Ata janë këtu për të përkujtuar 80-vjetorin e dëbimit të 7,144 hebrenjve nga Maqedonia në kampin e vdekjes në Treblinka. Ata u transportuan dhe u vranë në Treblinka nga fashistët dhe këto janë fakte historike dhe nuk mund të diskutohet për atë temë. Komuniteti hebre në vendin tonë është një komunitet jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe unë, si dhe partnerët e koalicionit, kemi thënë se gjatë ndryshimeve kushtetuese, hebrenjtë do të jenë një nga komunitetet që besojmë se duhet të jenë pjesë e Kushtetutës sonë”, tha Kovaçevski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në konferencën e sotme për media në Qeveri për ngrirjen e çmimeve të qumështit, produkteve të qumështit dhe makaronave.

Ndryshe, pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare. Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor. Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button