Shkrimet që ndryshuan botën

Të flasish për esenë do të thotë të flasish për zhanrin më të pakategorizueshëm ndër llojet krijuese letrare. Kjo vështirësi kornizimi lindi që në kohën kur themeluesi i saj Mishel Montenji (1533-1592) e përdori këtë term për të pagëzuar tipin e shkrimeve të tij unikate, në të cilat gërshetohen elementet karakteristike të veprave letrare me ato të llojeve të tjera të krijimtarisë, siç është shkenca dhe publicistika.

Eseja i ofron shkrimtarit liri gati të pakufizuar krijuese, tipar ky që e bëri më të popullarizuar, më të dashur, më të lexueshme dhe më të pranueshme se qasjet shkencore. Ajo nuk kërkon lexues të specializuar dhe ekspertë të një fushe, por mjaftohet me lexuesin e ngritur që mund të komunikojë lirshëm me shkrimet, që shpërfaqin qëndrimet subjektive të autorit mbi ngjarjet dhe fenomenet jetësore.

Mundësia për të folur me zërin e shpirtit e bëri esenë të preferuar edhe për shkrimtarët tanë, veçmas për themeluesin e esesë shqiptare Faik Konicën, i cili vetëm përmes forcës së saj arriti t’i përjetësojë imazhet e ngjarjeve dhe fenomeneve të kohës së tij, duke i sjellur me trajta ndjesishë të paqta e të sinqerta. Eseja qe arma me të cilën Konica luftoi për lirinë e vet dhe lirinë e të tjerëve, për kulturën dhe gjuhën shqipe, për barazinë e saj me gjuhët e mëdha të Evropës dhe për shumë gjëra të tjera që e ngritën Atë në piedestalin e luftëtarëve më të denjë të lrisë, në kuptimin e tërësishëm që ngërthen në vete kjo fjalë.

Studiuesit e kanë cilësuar dhe përkufizuar esenë në mënyra të ndryshme. Ata edhe sot vazhdojnë ta bëjnë këtë sipas bindjeve dhe shijeve subjektive, duke e quajtur esenë provokim ngucakeq, krijim kapriçioz dhe kaotik, shkrim krijuesish pa busullë, vepër që karakterizohet me gjuhën e vrullshme, interesante e të këndshme njëkohësisht, ushqim shpirtëror të inteligjencës, që synon zgjimin e mendjes së lexuesit përmes vibracioneve të tekstit dhe që shërben për ta vetëdijësuar publikun për këndet e reja nga të cilat mund të vështrohen fenomenet jetësore.

Eseja, thoshte Gjergj Konradi, ia mundëson autorit të mos marrë as rilin e shkencëtarit, as të klerikut, as të politikanit, as të akademikut, po të jetë i lirë të gjykojë fenomenet ashtu si i sheh dhe i ndjenë. Eseisti është i liruar dhe nga brenga në e ka qëlluar ose jo temën e tij, në i ka shterruar gjërat me fund, në u është përmbajtur këtyre apo atyre rregullave, në e ka përdorur këtë e atë diskurs, në e ka respektuar këtë e atë konventë shkrimi; atij i lejohet edhe gjuajtja pa marrë fare në shenjë paraprakisht, ndaj eseistin në udhën e intuitës së vet e ndjek rreziku i gabimeve, po rrethanë lehtësuese ka të dhënën se ai nuk është shkencëtar, po shkrimtar, që nuk është i obliguar të ofrojë dëshmi plotësisht të sakta për atë që shkruan…

Volteri, që konsiderohet truri i sh. XVIII dhe njëri prej eseistëve më të shquar që ka patur njerëzimi, përmend të dhënën se eseja mund t’i lejojë vetes gjithçka përveç se të jetë e mërzitshme. Sipas tij, eseja patjetër duhet të prekë ndjenjat e lexuesit.

Pikërisht këto tipare të esesë, Mishel Montenji – mendimtari i madh i Rilindjes evropiane, skeptiku që tallte institucionet shtetërore e kishtare dhe antivlerat letrare e shkencore, prozatori i shquar frëng i sh. XVI që shkroi edhe për Skënderbeun…, i shfrytëzoi për të shpërfaqur diskontinuitetin ekzistues ndërmjet botës antike dhe Evropës së kohës së tij, shkaku i territ mijëvjeçar të mesjetës. Kjo e bëri atë model që mahniti krijuesit që erdhën në botën e letërsisë shekuj më pas, si Dostojevski, apo Konica ynë, që gjithashtu përmes esesë pasqyroi të vërtetat e natës së gjatë aziatike dhe zbardhi diskontinuitetin e krijuar në relacionin: epoka osmane – epoka e Rilindjes shqiptare.

Fuqia e esesë për të ndryshuar botën shqiptare u kuptua akoma më mirë kur nisi të shkruhet edhe nga korifejtë tjerë të shqiptarizmës, si: Fan Noli, Gjergj Fishta, Anton Harapi, Mit’hat Frashëri, Vangjel Koças, Mitrush Kuteli, Kristë Maloki, Branko Merxhani, Lame Kodra, Eqrem Çabej…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button