Lituania: Rusia mund të luftojë edhe për dy vjet të tjera në Ukrainë

Shefi i inteligjencës ushtarake të Lituanisë tha se Rusia ka burime të mjaftueshme që ta vazhdojë luftën në Ukrainë edhe për dy vjet me intensitetin aktual, raporton REL.

Moska tha se nisi “operacionin e posaçëm ushtarak” në Ukrainë një vit më parë për të luftuar kërcënimet e sigurisë. Por, Kievi dhe Perëndimin e kanë quajtur luftë të paprovokuar për të nënshtruar një shtet të pavarur.

“Burimet të cilat Rusia i ka aktualisht do të ishin të mjaftueshme për të vazhduar luftën në intensitetin aktual edhe për dy vjet”, tha shefi i inteligjencës të Lituanisë, Elegijus Paulavicius.

“Se sa gjatë mund të luftojë Rusia po ashtu do të varet nga mbështetja për ushtrinë ruse nga shtetet sikurse Irani dhe Koreja e Veriut”, shtoi ai gjatë një deklarimi për gazetarë.

Paulavicius po ashtu paraqiti raportin për kërcënimet kombëtare, të përpiluar nga agjencitë e inteligjencës së shtetit. Në raport u tha se hakerët e lidhur me qeveritë ruse dhe kineze më 2022 vazhdimisht kanë tentuar të hyjnë në kompjuterët e Qeverisë lituaneze.

“Prioriteti i tyre vazhdon të jetë mbledhja e informacioneve, në aspekt afatgjatë, lidhur me çështjet e brendshme dhe të jashtme të Lituanisë”, u tha në raportin e agjencive të inteligjencës lituaneze. Megjithatë, aty nuk u përmend nëse këto përpjekje ishin të suksesshme.

Lituania ka qenë një prej kritikeve më të ashpra të Rusisë në Bashkimin Evropian dhe është përballur me zemërimin e Kinës pasi më 2021 lejoi Tajvanin të hapte ambasadën e tij de facto.

Zyra e të dërguarit kinez në Vilnius nuk komentoi menjëherë për këto deklarata. Rusia po ashtu vazhdimisht ka mohuar akuzat për aktivitete kibernetike jashtë vendit.

Shërbimet e inteligjencës së Lituanisë thanë se sanksionet ende nuk kanë dëmtuar aftësinë e Rusisë për të financuar ushtrinë e saj, pasi Moska po merr burime të të ardhurave nga sektorë të tjerë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button