Debati për ndryshimet kushtetuese rrit euro-skepticizimin në Maqedoninë e Veriut

Ndryshimet kushtetuese do të përgatiten nga ekspertët më të njohur të çështjeve juridike, deklaroi të enjten kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, duke folur mbi rëndësinë e miratimit të tyre, para se ato të dërgohen për miratim në Kuvend, raporton REL.

Ai tha se edhe opozita mund të propozojë ekspertë kushtetues, që të përfshihen në debatin për hartimin e amendamenteve nga të cilat varet procesi i mëtejmë i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Ndryshimet duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës maqedonase, si popull shtetformues, ashtu siç parashihet me marrëveshjen me Bullgarinë, bazuar në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy shteteve për identitetin maqedonas, gjuhën dhe dallimet historike.

“Jemi në fazën e formimit të grupit të ekspertëve, me qëllim përgatitjen e amendamenteve që i gjithë opinioni të jetë i njoftuar se çfarë do të ndryshojmë në Kushtetutën tonë. Nuk do t’i përfshijmë në të vetëm bullgarët, por edhe bashkësi tjera që mund të jenë të interesuara. Në këtë proces janë të ftuara edhe partitë opozitare me ekspertë, edhe pse e dimë se ata nuk marrin pjesë në asnjë proces, përveç se punojnë me ngulm për të rrënuar gjithçka dhe për të bllokuar të ardhmen evropiane të vendit tonë”, tha Kovaçevski.

Pas përgatitjes së amendamenteve, do të ketë debat në Kuvend për miratimin e tyre dhe kryeministri Kovaçevski tha se shpreson se ato do të miratohen me dy të tretat e votave, ashtu siç parashihet me Kushtetutë.

Shumica parlamentare aktualisht nuk i ka 80 votat e nevojshme të deputetëve nga 120 sa numëron Kuvendi, andaj edhe kërkon mbështetjen e opozitës.

Opozita ndërkohë, jo vetëm që refuzoi ftesën për pjesëmarrjen me ekspertë në debatin kushtetues, por kërkoi edhe një herë shpërndarjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha se asnjë deputet i opozitës nuk do t’i mbështesë ndryshimet dhe se ka kaluar koha, sipas tij, kur deputetët kërcënoheshin që të veprojnë kundër vullnetit të tyre.

“Ne kemi një problem dhe ai mund të zgjidhet vetëm me zgjedhje të parakohshme. Secili nga ne duhet të japë argumente se duhet ose nuk duhet të bëhen ndryshime kushtetuese dhe populli është ai që do të vendosë më tej. Kjo çështje nuk do të zgjidhet duke i vendosur dikujt pistoletën në kokë apo duke e kapur për veshi dhe duke e udhëzuar se si do të veprojë. Unë ju garantoj se asnjë deputet i opozitës nuk do t’i mbështesë ndryshimet”, tha Mickoski.

Opozita tha se nuk është kundër përfshirjes së pakicës bullgare në Kushtetutë, por kërkon garanci nëse me këtë do t’u jepej fund kërkesave të Sofjes, e cila në nëntor të vitit 2020 bllokoi me veto nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut për shkak të kontesteve të pazgjidhura.

Duke komentuar pozicionin e opozitës, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, që është edhe zëdhënës i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), tha se ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen pasi janë në interesin e shtetit dhe të qytetarëve të tij.

“Ndryshimi i Kushtetutës është me rëndësi për vazhdimin e procesit të bisedimeve me BE-në. Ne duhet të arrijmë një konsensus. Duhet të ulemi dhe t’i vendosim në tavolinë të gjitha argumentet për dhe kundër ndryshimeve kushtetuese dhe të arrijmë një marrëveshje bazuar në interesat shtetërore, që janë mbi ato partiake. Unë jam i bindur se në çfarëdo qoftë debati, qoftë të ekspertëve apo të partive politike, do të dominojnë argumentet se ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen pasi ato janë në interesin tonë”, deklaroi Osmani.

Anketa: Qytetarët, kundër ndryshimeve kushtetuese

Debati për ndryshimet kushtetuese po zhvillohet derisa hulumtimet e opinionit publik po tregojnë zbehjen e interesit te qytetarët për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, në veçanti te komuniteti maqedonas.

Një anketë e realizuar nga Institutit për Demokraci dhe Fondacioni Konrad Adenauer ka treguar se dy të tretat e të anketuarve janë kundër ndryshimeve kushtetuese, gjë që flet për rritjen e euro-skepticizmit.

Në pyetjen se si do të votonit nëse do të kishte një referendum për anëtarësimin e vendit në BE, 64 për qind janë deklaruar në favor të integrimit, që është për rreth 20 për qind më pak sesa në vitin 2014 kur mbështetja për BE-në arrinte në më shumë se 80 për qind.

Drejtori i zyrës së Fondacionit Konrad Adenauer në Shkup, Daniel Brown, tha se këto shifra janë rezultat i qëndrimit të Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, por ai shtoi se politikanët maqedonas duhet të kenë qëndrim të harmonizuar ndaj politikës së jashtme dhe BE-së, që besimi ndaj integrimit evropian të mos shënojë ulje të mëtejme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button