Post festum

Mbaroi euforia e festave të marsit. U shënua epopeja e UÇK-së, u kremtua 7 marsi dhe u festua 8 marsi. U mbajtën akademi solemne për të gjitha datat me rëndësi, u promovuan e u shpërblyen të përkushtuarit, të devotshmit dhe të suksesshmit, u thanë të gjitha fjalët patriotike e motivuese, u lartësua roli i mësuesit, u lavdërua roli i grave në shoqëri, u tha gjithçka që duhej të thuhet. Tani lirisht mund të kthehemi në realitet dhe të vazhdojmë aty ku kishim mbetur.

Tani kemi plot një vit për të diskutuar edhe më tej sa kemi arritur dhe çfarë kemi mundur të bëjmë më tepër për identitetin tonë kombëtar. A mjafton ajo që kemi bërë apo duhet të bëjmë më shumë? A ishte ky ideali i atyre që u flijuan për vendet tona dhe për një jetë më të mirë për ne dhe fëmijët tanë? A e lartësojmë idealin e tyre çdo ditë, apo vetëm kur duhet ti festojmë festat e ditët e rëndësishme kombëtare? A e duam sa duhet veten dhe kombin tonë, aq sa e deshën ata që u flijuan për të?

Çdo ditë duhet të mendojmë pak më shumë për gjërat që po bëjmë sepse asgjë nuk ka ardhur gati në këtë botë, por është punuar e vuajtur shumë për gjithçka. Dhe tani, vite më vonë, ato ideale për të cilat njerëzit u flijuan nuk guxojnë të bien nën hijen e dukurive si korrupsioni e keqpërdorime të tjera. Nuk mund t’ia ofrojmë vetes një gjë të tillë kur në memorien tonë kolektive ende janë kaq të freskëta kujtimet e traumave të përjetuara jo shumë kohë më parë.

Tani që mësuesve ua uruam ditën e shkollës së parë shqipe, është koha të kthehemi në realitetin e shkollave tona dhe arsimit tonë. Është koha të reflektojmë për shkollat në vendet e largëta rurale të cilat edhe tani, pas më shumë se 100 vjetësh nga shkolla e parë shqipe, ende funksionojnë në kushte primitive dhe tërësisht në kundërshtim me zhvillimin teknologjik të botës.

Tani, në shekullin XXI, është koha të mendojmë çfarë mësimi zhvillohet në klasat e fëmijëve tanë, çfarë tekstesh mësimore ata përdorin, çfarë aftësish ata fitojnë dhe a janë këto aftësi kompatibile me atë që i pret këta fëmijë pas mbarimit të shkollimit dhe përballimit me jetën e përditshme dhe zhvillimin marramendës të botës së sotme? Është koha të mendojmë mos vallë janë anakronike shkollat tona në krahasim me zhvillimin e gjithanshëm dhe qasjen e lehtë ndaj informatës? Është koha të mendojmë për atë se sa në të vërtetë këto shkolla, këto plan-programe dhe këto tekste shkollore i përgatisin fëmijët për të ardhmen e tyre.

Tani që grave ua uruam tetë marsin, mund të vazhdojmë më tej t’i injorojmë ato. Tani që gratë e morën atë që u takon, një ditë ku ato mund të bëjnë gjithçka që duan, është koha që të kthehen në realitet, aty ku e kanë vendin, në vendet e punës në industrinë e tekstilit ku nuk paguhen sa duhet e ku punojnë orë të tëra në pajtim me parimet e eksploatimit kapitalist, në vendet e punës si ndihmëse të ndryshme të cilat nuk janë të paraqitura e ku nuk u llogaritet as stazhi e as që marrin sigurimin e nevojshëm shëndetësor, dhe mbi të gjitha, aty ku femra gjithmonë mendohet se e ka pasur vendin, në shtëpi, duke punuar për gjithkënd e duke mos u paguar kurrë, pa u çmuar mundi i saj i përditshëm.

Tani edhe gratë e suksesshme, shembujt e përparimit të gjinisë femërore, pasi e kanë festuar ditën e madhe ku u lejohet gjithçka, është koha të kthehen në mikro-realitetin e tyre të të qenit super-grua: grua e punësuar hiperaktive dhe ekselente, shtëpiake e përsosur dhe nënë e bashkëshorte e përkushtuar.

Tani që festat mbaruan mund t’i kthehemi realitetit, të vazhdojmë të vjedhim të mirat për të cilat u angazhuan të parët tanë, të vazhdojmë ta anashkalojmë sa më shumë procesin edukativo-arsimor, dhe mbi të gjitha, të vazhdojmë ta eksploatojmë pa mëshirë gjysmën e popullatës së botës, një gjini të tërë, atë që Simon de Bovoar e ka quajtur “Gjinia e dytë”. Kemi plot një vit kohë për ta bërë këtë. Dhe sa hap e mbyll sytë, sërish do të vijë marsi dhe ne do të festojmë përsëri.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button