Dhoma në konviktet studentore dhe ushqim për studentët turq, ofroi MASh

Ministri i Arsimit Jeton Shaqiri ka ofruar strehim falas në konviktet shtetërore të studentëve, ushqim dhe ndihmë juridike falas për studentët nga Turqia në vend, të cilët vijnë nga zonat e prekura nga tërmetet. Siç informon Ministria e Arsimit dhe Shkencës, kjo bëhet për t’i ndihmuar ata të kalojnë periudhën e vështirë në të cilën ndodhen për shkak të humbjeve të mëdha njerëzore dhe materiale në vendlindjet e tyre, transmeton Portalb.mk.

“Shumë nga këta studentë kanë humbur anëtarët e familjes, kanë humbur shtëpitë e tyre dhe disa kanë humbur fjalë për fjalë gjithçka dhe kanë nevojë për mbështetje. Kam ardhur të bisedoj me ta, t’i dëgjoj nevojat e tyre dhe natyrisht t’i informoj se çfarë mund të ofrojmë ne si ministri, për të zbutur situatën në të cilën ndodhen”, tha Shaqiri.

Sipas informacioneve që ministri ka marrë nga studentët, ata kanë nevojë për financime shtesë për të reduktuar shpenzimet e tyre ditore.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të paraqesë edhe një iniciativë në Qeveri për të ofruar mbështetje financiare për secilin student nga zonat e prekura, por në mënyrë plotësuese do t’i informojmë studentët për vendimin, sepse për këto implikime fiskale konsultohen më tepër palë dhe institucione”, shtoi ministri.

Në Maqedoninë e Veriut janë rreth 200 studentë turq që vijnë nga zonat e prekura dhe disa prej tyre tashmë kanë kërkuar ndihmë nga fakultetet ku studiojnë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button