Situatë alarmante në Tetovë, në rritje numri i fëmijëve, sidomos nën moshën 14 vjeçare që përdorin drogë

Përdorimi i substancave narkotike nga ana e të rinjve dhe nxënësve të shkollave të mesme madje edhe atyre fillore së fundmi po shënon rritje në Tetovë dhe rrethinë. Nga Qendra për Punë dhe Politikë Sociale Tetovë theksojnë se mosha mesatare e fëmijëve të kapur me drogë shkon duke u bërë më e re. Profesoresha universitare Blerta Ahmedi shpjegon aspektin juridik dhe masat parandaluese që duhet të merren për këtë çështje. Nga Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) theksojnë se psikologët në shkolla nuk janë efektiv ndaj kësaj dukurie, shkruan Portalb.mk.

Qendra ndër-komunale për Punë Sociale Tetovë: Përdorimi i drogës te fëmijët shënon rritje

Psikologjia Olivera Cvetkovska nga sektori për fëmijët në rrezik në Qendrën ndërkomunale për Punë Sociale në Tetovë për Portalb.mk thotë se në këtë qytet mosha mesatare e fëmijëve të kapur me drogë po shkon duke u bërë më e re.

“Kohëve të fundit kemi fëmijë të zënë me disa gram marihuanë që do të thotë se kanë filluar edhe ta shesin drogë. Me keqardhje them se është në rritje numri nën moshën 14 vjeçare. Më parë përdorues të drogës ishin fëmijë të shkollave të mesme, nga klasa e 9-të që provojnë drogë, por kohëve të fundit mesatarja e moshës ka rënë dhe janë fëmijë nën moshën 14 vjeçare. Edhe ata që ju japin drogë të shesin, i keqpërdorim pasi që mendojnë se fëmijët nën moshën 14 vjeçare nuk i zë ligji që nuk është ashtu, ata fëmijë vijnë në tretmane, punohet me to, punohet me familjet”, theksoi Cvetkovska.

Ajo apelon që institucionet të përfshihen aktivisht në parandalimin e kësaj dukurie negative dhe thekson se procesi i risocializimit të fëmijëve më pas është i vështirë.

“Të gjithë që sheshin drogë, flas për fëmijët, të njëjtët edhe e konsumojnë, për shkak se për ata, për të shitur 3-4 pako të marihuanës, një pako u vjen gratis. 90 % të fëmijëve që shesin edhe e konsumojnë drogën. Unë kam 30 vite që punojë me të varurit nga droga. Më parë, shumë familje kërkonin ndihmë për të trajtuar fëmijët ose bashkëshortët e tyre që përdorin heroinë, por ata ishin për njerëz të rritur. Tani i zbulojmë fëmijët përmes policisë. Shumë është e përhapur droga në shkollat fillore, jashtë oborreve të shkollave, afër tyre”, tha psikologjia Cvetkovska.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

SPB Tetovë ende përpunon të dhënat

Sipas të dhënave statistikore të evidentuara në SPB Tetovë, në lidhje me përfshirjen e të miturve në mundësimin dhe përdorimin e narkotikëve për vitin 2022 nga ky institucion thonë se ende janë duke u përpunuar rastet pasi priten rezultatet përfundimtare nga to.

“Lidhur me përfshirjen e të miturve në këtë lloj sjelljeje të paligjshme në vitin 2021 janë regjistruar 8 vepra (Tetovë 3 dhe Gostivar 5) të dënueshme sipas nenit 20 të Ligjit për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike dhe nenit 215 të Kodit Penal të RMV-së, për të cilat janë përgatitur parashtresat përkatëse”, tha për Portalb.mk, Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.

Sa i përket llojeve të drogës së sekuestruar gjatë kësaj periudhe, Rexhepi theksoi se më e përhapura është marihuana, kokaina dhe heroina, por janë zbuluar edhe lloje të ndryshme të pilulave, kanabis dhe hashash.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Profesoresha Ahmedi: Të rriten veprimet parandaluese dhe represive

Analizimi i gjendjes së delikuencës së fëmijëve në vend është shumë i rëndësishëm për të konstatuar efikasitetin e politikës preventive ndaj këtij fenomeni kriminal. Kështu thotë profesoresha universitare e së Drejtës Penale dhe Sigurisë, Blerta Ahmedi. Ajo thekson se duke analizuar situatën aktuale të kriminalitetit të manifestuar nga të rinjtë në vend, konstatohet shfaqja e tendencës së rritjes së numrit të veprave penale të raportuara në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB).

“Veçanërisht muajve të fundit në qytetin e Tetovës, raste të cilat lidhen me fenomenin e narkomanisë dhe vepra të tjera penale që kanë të bëjnë me raportim të personave të rinj si të dyshuar për kryerje të këtyre veprimeve të kundërligjshme. Pra, sidomos gjatë dy viteve të fundit në vendin tonë, bazuar në të dhënat e Entit statistikor të vendit, shfaqet rritje enorme e numrit të të rinjve të raportuar, rritje që rezulton në mbi 50% të numrit të fëmijëve në konflikt me ligjin të gjykuar për vepra penale kundër shëndetit të njerëzve (veçanërisht për këto dy vepra penale: Prodhim i paautorizuar dhe distribuim i lëndëve narkotike, substancave psikotrope dhe prekusorëve dhe Mundësimi i përdorimit të lëndëve narkotike) në krahasim me vitet e kaluara (para vitit 2019 e më herët)”, theksoi Ahmedi.

Në këtë drejtim, profesoresha thotë se kërkohet rritje e ndërmarrjes së veprimeve policore me karakter parandalues, por edhe të atyre me karakter represiv që do të rrisnin efikasitetin e pengimit, respektivisht zbulimit të personave që posedojnë substanca narkotike për përdorim dhe për shitje, respektivisht për mundësimin e përdorim të të njëjtave.

“Problemi i narkomanisë në vend ( konkretisht nëse marrim shembull Tetovën) është thelluar sepse këto veprime kriminale kanë depërtuar në të gjitha lokacionet të cilat frekuentohen nga të rinjtë, e veçanërisht kohëve të fundit edhe në objektet edukativo-arsimore. Ditëve të fundit kemi raste të paraqitura nëpër shkollat fillore dhe ato të mesme të vendit ku nxënës të këtyre shkollave (fëmijë të grup moshave 14-18 vjeçe) janë zbuluar se brenda hapësirave të shkollës kanë poseduar me vete sasi të caktuara të substancave narkotike”, thotë Ahmedi.

Blerta Ahmedi, foto: Komuna e Tetovës

FNA: Psikologët në shkolla në vend se të punojnë në këtë drejtim ata luajnë “Candy Crush”

Nga Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) rikujtojnë një deklaratë të drejtorit ekzekutiv të FNA-së, Blendi Hodait, i cili mes tjerash kishte thënë se ndër problemet kryesore të shkollave të mesme jo vetëm në rajonin e Pollogut, por në gjithë Maqedoninë e Veriut, është se gjithçka që bëjnë psikologët e punësuar në këto shkolla është që luajnë “Candy Crush”.

“Konsiderojmë se përdorimi i lëndëve narkotike në shkolla është problem zinxhir, rol të madh luan qasja e institucioneve në aspektin preventiv, e cila, thuajse është zero. Në qoftë se sot bëhet një hulumtim në ndonjërën prej shkollave të mesme se a e njohin studentët psikologun e shkollës, ju garantojmë se shumica do të përgjigjen me jo”, thanë nga FNA.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Çfarë thotë ligji?

Ligji i drejtësisë për fëmijët ( i miratuar më 2013) përcakton masa respresive për fëmijët të cilët paraqiten si kryerës të veprave penale. Siç sqaron profesoresha Ahmedi, Ligji përcakton një gamë të gjerë të llojeve të sanksioneve penale për kryerësit jomadhorë. Sipas legjislacionit pozitiv penal të vendit tonë mosha minimale për përgjegjësi penale është ajo 14 vjeçare.

Sipas Ahmedit, llojet e sanksioneve penale për fëmijë sipas Ligjit të drejtësisë për fëmijët janë si vijon:

  1. Fëmijës prej moshës 14 deri në 16 vjet për veprime të cilat me ligj parashihen si vepër penale mund t’i shqiptohen vetëm masa edukuese.
  2. Fëmijës prej moshës 16 deri në 18 vjet për veprime të cilat me ligj parashihen si vepër penale mund t’i shqiptohen masa edukuese, e me përjashtim mund t’i shqiptohet dënime ose masa alternative.
  3. Fëmijës i shqiptohen masa të sigurisë nën kushte të përcaktuara me Kodin penal dhe me këtë ligj. Këtu bëjnë pjesë masat represive për kryerësit e papërgjegjshëm ose me përgjegjshmëri esenciale të zvogëluar (alkoolistët dhe narkomanët). Në raste kur vërtetohet nga gjykata se fëmija është i varur nga përdorimi i substancave narkotike dhe si pasojë e kësaj varësie apo në gjendje të ndikimit të këtyre substancave e ka kryer veprën penale, do ti shqiptojë sanksionin penal, respektivisht masën siguruese: Ligji i drejtësisë për fëmijët përcakton se ndaj fëmijës së papërgjegjshëm nën kushtet e përcaktuara me Kodin penal mund të shqiptohet masa siguruese Mjekim i detyrueshëm psikiatrik dhe ruajtje në institucion shëndetësor dhe Mjekim i detyrueshëm psikiatrik në liri. Gjithashtu masa e tretë e këtij grupi të sanksioneve penale për fëmijët parashihet Masa e mjekimit të detyrueshëm të alkoolistëve dhe narkomanëve nga Kodi penal, si masë e mjekimit të detyrueshëm të fëmijës nga varshmëritë e cila mund të shqiptohet dhe pa shqiptimin e masës edukuese ose dënimit. Ndërsa kur kjo masë shqiptohet me masën edukuese ose dënimin, ajo zbatohet në seksion të specializuar të institucionit. Koha e kaluar në institucion për zbatimin e masës së sigurisë llogaritet në dënimin e shqiptuar me burg për fëmijë ose masës së entit. Pas zbatimit të masës siguruese, gjykata do të vendosë nëse do të vazhdojë realizimi i dënimit me burg për fëmijë dhe masa e entit.
Foto ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Si të parandalohet përdorimi i narkotikëve te fëmijët? 

Për efikasitet të politikës preventive ndaj fenomenit të delikuencës së të miturve si dhe luftimin e të njëjtit, sipas profesoreshës Ahmedi nevojitet:

  • Bashkëpunimi mes prindërve-shkollës-fëmijëve, krahas intervenimeve të MPB-së.
  • Themelimi dhe funksionimi i këshillave komunalë për parandalim të delikuencës së fëmijëve në komunat ku të njëjtat nuk i kanë formuar, apo i kanë të formuar por këto këshilla janë jofunksionalë.
  • Identifikimi dhe forcimi të faktorëve mbrojtës/parandalues siç janë familja, arsimimi, mjedisi jetësor i fëmijëve si dhe
  • Ndërmarrja e veprimeve me karakter parandalues për identifikim dhe luftim të faktorëve të rrezikut ndaj fenomenit të delikuencës së fëmijëve.
Ilustrim në Canva: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ndryshe, Komuna e Tetovës, në seancën e këshillit komunal të mbajtur me 30 janar miratoi vendimin për themelimin e Këshillit komunal për parandalimin e delikuencës së fëmijëve në këtë komunë, i njëjti pritet së shpejti të fillojë me punë dhe të ndikojë në parandalimin e sjelljeve devijante të fëmijëve përfshirë edhe përdorimin e narkotiklve.

Maqedoninë e Veriut edhe pse sipas Ligjit për drejtësinë e fëmijëve, komunat detyrohen të themelojnë këshilla komunal për parandalimin e delikuencës së fëmijëve, në praktikë kjo çalon, nga gjithsej 81 komuna në vend vetëm 33 kanë themeluar të njëjtin. Për këtë shkelje, sipas institucioneve kompetente deri më tani nuk është dënuar asnjë komunë. Autoritetet në vend nuk bëjnë mjaftueshëm në drejtim të parandalimit të delikuencës së fëmijëve, konstatojnë ekspertët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button