Osmani: 2030-ta qëllim real për bashkimin e Kontinentit Evropian me përfshirjen e Ballkanit në BE

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani, sot mori pjesë në Forumin Ballkanik në Budapest. Osmani pati fjalim në panel-diskutimin së bashku me Ministrin e Punëve të Jashtme të Hungarisë, Petar Sijarto, Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, transmeton Portalb.mk.

“2030-ta është qëllim real për bashkimin e Kontinentit Evropian përmes përfshirjes së Ballkanit në BE. Është koha e fundit që BE-ja ta realizojë dhe konfirmojë rrugën e hapur për Ballkanin Perëndimor drejt anëtarësimit në BE, të dhënë që nga viti 2003, për të cilën rajoni ka punuar me përpjekje të mëdha gjatë dekadave të fundit. Kjo do të jetë një inkurajim edhe për Ukrainën, e cila e ballafaquar me agresion ushtarak të drejtpërdrejtë, njëherit kështu e mbron edhe zgjedhjen e saj për respektimin dhe përkatësinë ndaj vlerave evropiane”, theksoi Osmani.

Në margjinat e Forumit Ballkanik në Budapest, Osmani realizoi takime të shumta me homologë nga rajoni.

Muajin që lam pas, Osmani deklaroi se perspektiva e ngadalshme evropiane në rajon ka krijuar tokë pjellore dhe pika të dobëta, që Federata ruse mund t’i përdorë gjithmonë kur ka nevojë, për ndikim më të madh. Sipas tij Federata ruse asnjëherë nuk ka dhënë ofertë për Ballkanin Perëndimor.

Ndryshe, pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit të kaluar filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare. Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor të vitit 2022. Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik të po atij viti u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button