Larson Jain: Maqedonia e Veriut duhet të përballet me korrupsionin dhe klientelizmin

Ambasadorja e Suedisë në Maqedoninë e Veriut, Ami Larson Jain, vendi i së cilës është kryesues aktual i BE-së, në një intervistë për MIA-n tha se korrupsioni është gërryes për shoqërinë dhe se vendi duhet të merret me të dhe klientelizmin për të parandaluar daljen e të rinjve të talentuar, transmeton Portalb.mk.

“Reformat e gjera janë vërtet kyçe për përgatitjen e vendit për anëtarësimin në BE. Reformat i referohen legjislacionit, por edhe implementimit dhe zbatimit efektiv të ligjeve. Pa këtë, vendi thjesht nuk do të jetë gati të hyjë në komunitetin më të avancuar ekonomik dhe politik në botë. Do të jetë një proces transformues dhe do të kërkojë punë dhe vendosmëri, por nga reformat do të përfitojnë edhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut”, thotë Larson Jain.

Ajo theksoi se BE-ja ishte shumë e qartë edhe për nevojën për t’i dhënë përparësi sundimit të ligjit dhe vendosjen e tij në qendër të agjendës së reformave.

“Korrupsioni dobëson demokracinë duke minuar besimin tek institucionet. Kërcënon funksionimin e ekonomisë dhe deformon konkurrencën. Qytetarët dhe bizneset humbasin – humbet edhe shoqëria në tërësi”, shprehet decide ambasadorja suedeze.

Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, ajo thotë se ato mbeten një vendim sovran që duhet të merret nga Maqedonia e Veriut, duke kujtuar se shumë vende anëtare të BE-së është dashur të bëjnë kompromise për çështjet dypalëshe për të zgjidhur çështjet që përndryshe do të pengonin bashkëpunimin në Union.

Lidhur mbi këtë temë dje ka folur edhe ambasadorja amerikane në vend, Angela Ageler. Ajo tha se “forcimi i gjyqësorit në vend, në të gjitha nivelet, është prioritet kryesor për Ambasadën amerikane, për mua personalisht dhe për Uashingtonin”.

Kujtojmë se në Indeksin e Përceptimit të Korrupsionit, të cilin e përpilon çdo vit organizata Trasparency International, këtë vit, Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 85-të, nga 180 vende sa janë në listë, një pozitë më lart në krahasim me vitin e kaluar.

Edhe pse ka qenë pjesë e programeve partiake të të gjitha partive politike, korrupsioni në Maqedoninë e Veriut sipas të gjitha indikacioneve vazhdon të “lulëzojë”. Se korrupsioni nuk është luftuar mjaftueshëm edhe nga kjo Qeveri edhe përkundër zotimeve të shumta, këtë e konfirmoi edhe raporti i fundit i Transparency International.

Kur bëhet fjalë për besimin tek institucionet, në vitin 2022 qytetarët i besuan më së shumti Armatës. Nga ana tjetër, gjyqësori mbeti në fund, konstaton hulumtimi i “Eurometer” për vitin 2022, i cili u prezantua nga Qendra për strategji evropiane “Eurothink. Edhe në vitin 2022 më së paku besim nga qytetarët ka gjyqësori, vetëm 6 për qind, ndërsa këtu është edhe prokuroria me 7 përqind.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button