Gaspar: Ilaçi “Trikafta” ka mbërritur në RMV

Ilaçi “Trikafta” ka mbërritur në shtetin tonë, konfirmoi për MIA-n kryetari i Asociacionit për fibrozë cistike Fili Gaspar, njofton Portalb.

Ai theksoi se ilaçi ka mbërritur në vend gjatë ditës së hënë, por ende nuk janë distribuuar deri te klinika, për shkak se presin që të përfundojnë procedurat administrative.

“Tani duhet të kalojnë procedurat burokratike, dogana, aprovimi….Por, me siguri, edhe pse jozyrtarisht, tashmë të premtën ndoshta pacientët do të ftohen për të marrë ilaçin. Deri në fund të javës do të duhet të mbërrijë në klinikë”, theksoi Gaspar.

Kryetari i Asociacionit për fibrozë cistike deklaroi se sot kanë pasur takim me ministrin e Shëndetësisë Fatmir Mexhiti dhe kanë biseduar për aktivitetet e ardhshme.

“Biseduam për shumë gjëra, për planet që i ka për mëtej. Jami të njoftuar me gjithçka, ne do ta bëjmë punën siç e kemi bërë deri tani”, shtoi Gaspar.

Përndryshe, nga fundi i shkurtit Agjencia për Barna “MALMED” ka dhënë miratim për importin e ilaçit “Trikafta” për pacientët me fibrozë cistike. Drejtori i “MALMED”, Lirim Shabani, ka deklaruar se kanë mbaruar të gjitha procedurat për miratimin e importit të ilaçit dhe tani mbetet vetëm të realizohet procedura.

Ndryshe, pacientët e prekur nga fibroza cistike me vite e kërkojnë këtë ilaç, madje kanë bërë disa herë edhe protestë, megjithatë deri tani nuk është furnizuar.

Më 8 shkurt ndërroi jetë pacienti i sëmurë rëndë nga sëmundja e rrallë e fibrozës cistikeBllagojçe Ilievski.

Një ditë më vonë, anëtarët e Asociacionit për Fibrozë Cistike u mblodhën para Qeverisë për të shprehur revoltën e tyre ndaj mosfurnizimit të këtij ilaçi të nevojshëm.

“Është fatkeqësi që në shekullin 21 kemi ilaç për fibrozë cistike, ndërkaq njerëzit vdesin nga kjo sëmundje. Nuk duhej të vdiste Bllagojçe dhe pastaj gjatë natës të gjenden paratë”, tha Ivana Vasilevska nga Asociacioni për Fibrozë Cistike.

Pas protestës, anëtarët e Asociacionit u takuan me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, i cili u garantoi se janë siguruar mjetet dhe se shteti do të sigurojë ilaçin e nevojshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button