Ageler: Forcimi i gjyqësorit në RMV- prioriteti kryesor

“Forcimi i gjyqësorit në vend, në të gjitha nivelet, është prioritet kryesor për Ambasadën amerikane, për mua personalisht dhe për Uashingtonin”. Kështu deklaroi sot ambasadorja amerikane në vend, Angela Ageler, pas vizitës në Qendrën hetimore në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup, ku Ambasada amerikane ka dhuruar pajisje kompjuterike dhe teknike, transmeton Portalb.mk.

Ageler tha se ky është një sistem i mirë dhe shprehu besimin se ndërveprueshmëria do të përmirësojë efikasitetin.

“Këtu jam që nga nëntori dhe korrupsioni në vend është prezent prej kohësh. Nuk është një problem që mund të zgjidhet brenda pak muajsh dhe tashmë ekzistojnë sisteme që kërkojnë kontroll. Prandaj vizita e sotme është e mirë, për të parë se si po zhvillohen hetimet”, tha Ageler.

Ne duam të jemi partnerë me këtë vend, theksoi ajo.

“Duhet kohë. Nuk është diçka që do ta zgjidhë një sistem kompjuterik, por është një prioritet dhe nëse kam një qëllim si ambasador në vend, është të sigurohem që të bëj gjithçka që mundem, së bashku me ekipin tim, për të forcuar besimin e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në gjyqësor”, tha Ageler

Kryetari i PThP – Shkup, Gavril Bubevski shprehu falënderim për donacionin.

“Është një donacion serioz që do të na ndihmojë në punën tonë të përditshme si në aspektin teknik ashtu edhe në atë esencial, sepse mund të punojmë shumë më shpejt në provat e caktuara dhe mbledhjen e materialit dëshmues”, tha Bubevski.

Kujtojmë se në Indeksin e Përceptimit të Korrupsionit, të cilin e përpilon çdo vit organizata Trasparency International, këtë vit, Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 85-të, nga 180 vende sa janë në listë, një pozitë më lart në krahasim me vitin e kaluar.

Edhe pse ka qenë pjesë e programeve partiake të të gjitha partive politike, korrupsioni në Maqedoninë e Veriut sipas të gjitha indikacioneve vazhdon të “lulëzojë”. Se korrupsioni nuk është luftuar mjaftueshëm edhe nga kjo Qeveri edhe përkundër zotimeve të shumta, këtë e konfirmoi edhe raporti i fundit i Transparency International.

Kur bëhet fjalë për besimin tek institucionet, në vitin 2022 qytetarët i besuan më së shumti Armatës. Nga ana tjetër, gjyqësori mbeti në fund, konstaton hulumtimi i “Eurometer” për vitin 2022, i cili u prezantua nga Qendra për strategji evropiane “Eurothink. Edhe në vitin 2022 më së paku besim nga qytetarët ka gjyqësori, vetëm 6 për qind, ndërsa këtu është edhe prokuroria me 7 përqind.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button