Barazia gjinore është një prioritet i padiskutueshëm për BE-në, por progresi është i ngadaltë dhe i pabarabartë

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane. 

Në vend të dhuratës: fakte për barazinë gjinore

Malinka Ristevska Jordanova

Në këtë periudhë zgjedhore Bashkimi Evropian i dha një theks të fuqishëm barazisë gjinore. Strategjia e BE-së për barazinë gjinore për periudhën 2019-2025 edhe pse është në vazhdimësi me aktivitetet e mëparshme të Unionit, barazinë gjinore e ngriti në një nivel të ri. Vetë fakti që Komisioni Evropian me figurën e Ursula von der Leyen për herë të parë u bë me një kryetare femër, e rriti ndërgjegjësimin dhe vizibilitetin për këtë çështje në Evropë dhe më gjerë. Përveç kësaj, në krye të  Parlamentit Evropian tani qëndron një grua – Roberta Metsola.

Strategjia ka caktuar qëllime në tre fusha të gjera:

  1. lufta kundër dhunës dhe stereotipeve
  2. ekonomia me barazi gjinore;
  3. barazia në proceset e vendimmarrjes.

Nuk diskutohet që BE-ja është lidere në rrafsh botëror sa i përket barazisë gjinore, gjegjësisht 14 nga 20 vendet në botë që kryesojnë në këtë aspekt janë nga Bashkimi Evropian. Megjithatë, ajo që është shqetësuese është se progresi nuk mund të cilësohet si i shpejtë, në fusha të caktuara ka edhe një kthim prapa, ndërkohë që edhe dallimet brenda vetë BE-së nuk janë të vogla.

Sipas Indeksit të Barazisë Gjinore të vitit 2022, i cili publikohet çdo vit nga Agjencia Evropiane për Barazinë Gjinore, Bashkimi Evropian arrin mesatarisht 68.6 pikë nga 100 të mundshmet. Ky indeks i tregon arritjet në disa fusha: punë, para, dijeni, kohë, pushtet dhe shëndet, ndërsa në këtë vlerësim marrin pjesë shumë nënfusha. Një fushë e veçantë shtesë është dhuna ndaj grave dhe vajzave, e cila matet sipas më shumë kritereve, por mungojnë të dhënat për krahasueshmëri dhe ajo nuk merr pjesë në indeksin e përgjithshëm.

Meqenëse Indeksi bazohet në të dhënat për vitin 2020 ndikim të fuqishëm ndaj tij kishte kriza e shkaktuar nga pandemia e COVID-19.

Tabela 1: Shtrirja e indeksit të barazisë gjinore në shtetet anëtare dhe ndryshimi sipas periudhave kohore

Burimi: Agjencia Evropiane për Barazinë Gjinore, Indeksi i Barazisë Gjinore 2022
Burimi: Agjencia Evropiane për Barazinë Gjinore, Indeksi i Barazisë Gjinore 2022

Nga viti i kaluar progresi i përgjithshëm është shprehur me vetëm 0,6 pikë përqindje, ndërsa nga viti 2010 me 5,5 pikë. Progresi më i madh është bërë në fushën “pushteti”, por indeksi në këtë fushë vazhdon të mbetet më i ulëti – 57.2. Indeksi i dijenisë në vitin e fundit tregon rënie dhe stagnim për një periudhë më të gjatë. Shqetëson rënia afatgjatë në fushën “koha” – indeks i cili tregon për pabarazi gjinore në shpërndarjen e kohës për përkujdesje, punët e shtëpisë dhe aktivitetet sociale. Si përgjigje ndaj pabarazive në këtë fushë, në vitin 2022 BE-ja miratoi një Strategji të re të kujdesit, e inkorporoi atë në prioritetet e Instrumentit të Elasticitetit dhe Rimëkëmbjes, si dhe miratoi një Direktivë të veçantë për baraspeshë mes jetës private dhe punës, të cilën shtetet anëtare tashmë duhet ta kenë inkorporuar në legjislacionin e tyre.

Dallimet në barazinë gjinore ndërmjet shteteve anëtare të BE-së janë të mëdha. Nën mesataren në BE janë të gjitha vendet e reja anëtare, si dhe Italia, Portugalia dhe Greqia, e cila është e fundit në tabelë. Siç pritej, vendet nordike – Suedia dhe Danimarka – kryesojnë në këtë tabelë.

Tabela 2: Indeksi i përgjithshëm i barazisë gjinore sipas shteteve anëtare, krahasuar me mesataren në BE

Burimi: Agjencia Evropiane për Barazinë Gjinore, Indeksi i Barazisë Gjinore 2022
Burimi: Agjencia Evropiane për Barazinë Gjinore, Indeksi i Barazisë Gjinore 2022

Sa i përket dhunës – prioritetit të parë të Strategjisë për Barazi Gjinore, gjatë pandemisë së COVID-19 shfaqja dhe ashpërsia e dhunës me bazë gjinore u shpeshtësua. Bashkimi Evropian zhvilloi negociata të brendshme të vështira për ratifikimin e Konventës së Stambollit, të cilën e nënshkroi në vitin 2017. Më në fund shtetet anëtare muajin e kaluar e dërguan propozimin për ratifikim për pëlqim pranë Parlamentit Evropian, pas çka pritet që Këshilli ta ratifikojë përfundimisht konventën në muajin qershor. Rikujtojmë se gjashtë shtete anëtare ende nuk e kanë ratifikuar Konventën – Bullgaria, Letonia, Lituania, Sllovakia, Hungaria dhe Republika Çeke.

Po si qëndrojmë ne në raport me Indeksin e Barazisë Gjinore? Fatkeqësisht, si dhe për shumë gjëra të tjera, është e vështirë të sigurohet krahasueshmëri, sepse vendet e rajonit nuk janë të përfshira sistematikisht në përpilimin e indeksit. Kështu, për Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi, indeksi i fundit i publikuar është për vitin 2019, kur Maqedonia ka shënuar 62 pikë, Shqipëria 60.4 dhe Mali i Zi 55 pikë. Lartësia e indeksit për Maqedoninë është kryesisht për shkak të fushës “pushteti”. Për Serbinë Indeksi për vitin 2021 është 58. Bosnja dhe Hercegovina për herë të parë ka bërë matjen e tij në vitin 2022, por tërësisht vetëm për dy fusha – pushtetin dhe dijeninë, në të cilat ka arrirë 51.2 dhe 58.7 pikë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button