DO TË…

Do të hapim fabrika veturash, anijesh, aeroplanësh, satelitësh, kompjuterësh, celularësh. Do të hapim vende të reja pune. Do t’i rrisim rrogat minimale, mesatare, maksimale. Do t’i rrisim pensionet dhe asistencat sociale. Do ta përmirësojmë standardin jetësor. Do të krijojmë perspektivë për fëmijët, të rinjtë, burrat, gratë, pleqtë e plakat. Do të ndërtojmë trotuare, rrugica, rrugë, autostrada, pista. Do të ndërtojmë dhe modernizojmë çerdhe, kopshte, shkolla. Do të ndërtojmë biblioteka, teatro, kinema, salla opere e baleti. Do të ndërtojmë spitale e azile. Do të ndërtojmë parqe, sheshe, qendra pushimi e argëtimi. Do të ndërtojmë salla e stadiume. Do të… Do të… Parulla, refrene, klishe…

Në shoqëri normale s’flitet se “çfarë do të bëhet”, por “çfarë është bërë”. Kush flet për projektet që “do të bëhen” s’meriton vëmendje, sepse është mashtrues. Politikanët nuk zgjidhen në poste që ta parathonë të ardhmen si orakuj apo kasandra. Të flasësh për atë që “do të bësh” është sikur shkrimtari të mburret me kryeveprat që do t’i shkruajë; sikur aktori të mburret se do ta hijezojë Aleksandër Moisiun; sikur futbollisti të premtojë se do të shënojë 100 gola dhe do ta fitojë Topin e Artë; sikur shkencëtari të mburret se do të bëjë një zbulim gjenial e do të jetë laureat i Nobelit.

Aty ku flitet për “veprat”“do të bëhen” të neveritet e sotmja. Ata që flasin për “të ardhmen e ndritur” duan ta harrojmë të sotmen e zymtë dhe të pashpresë.

E sotmja bëhet e neveritshme edhe kur flitet për lavditë dhe meritat e së kaluarës, që nuk garantojnë të ardhme më të mirë. Me të kaluarën merren historianët dhe jo politikanët.

Është vështirë të bësh vepra dhe është e lehtë të bësh projekte tredimensionale. Teknologjia na mundëson që edhe një fshat të mjerë e të harruar ta projektojmë me ndërtesa gjigante, që “do të” ndërtohen në të ardhmen.

Duke folur për gjërat që “do të bëhen”, sot kemi shkolla pa libra, kemi sistem të sëmurë shëndetësor, ekonomi ekzistenciale, ekzod të të rinjve. Nëse i vizitoni fshatrat gjatë mbrëmjeve do të shihni shtëpi ku s’ndizen dritat. Do të shihni rrugë të heshtura, të trishtuara, të shkreta. Të rinjtë ikin, o njerëz, sepse nuk besojnë në projekte që “do të bëhen”

Politikanët, që bëjnë kinse shqetësohen për shpopullimin, organizojnë tubime me shoqatat e grave, sepse, tani për tani, janë më në numër. Partitë i shohin njerëzit si numra, si vota. Përrallat me patriotizëm janë për fëmijët mbi pesëdhjetëvjeçarë, që e gëlltitin si sheqerkë mashtrimin e njëjtë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button