Kina: SHBA-ja duhet të ndryshojë qëndrim ose rrezikon konflikt

Shtetet e Bashkuara duhet të ndryshojnë pikëpamjen e “shtrembëruar” karshi Kinës ose do të pasojë “konflikti dhe konfrontimi”, tha ministri i Jashtëm i Kinës të martën, teksa mbrojti qëndrimin e Pekinit lidhur me luftën në Ukrainë dhe raportet e ngushta me Rusinë, transmeton REL.

SHBA është angazhuar në shtypjen dhe kontrollin e Kinës në vend se të angazhohet në konkurrencë të drejtë dhe të bazuar në rregulla, tha ministri i Jashtëm kinez, Qin Gang, për gazetarët në margjinat e mbledhjes vjetore parlamentare në Pekin.

“Perceptimi dhe pikëpamjet e Shteteve të Bashkuara për Kinën janë thellësisht të shtrembëruara”, tha Qin, që është këshilltar i presidentit kinez, Xi Jinping, dhe deri vonë ishte edhe ambasador i Kinës në Uashington.

“SHBA-ja e sheh Kinën si rivalen kryesore dhe sfidën më të madhe gjeopolitike”, tha ai.

Raportet mes dy superfuqive botërore janë të tensionuara për vite me radhë për një sërë çështjesh, përfshirë Tajvanin, tregtinë dhe së fundmi edhe për luftën në Ukrainë. Por, muajve të fundit raportet u përkeqësuan pasi SHBA-ja rrëzoi një balonë në hapësirën e saj ajrore dhe tha se ajo ishte një balonë kineze e spiunazhit.

SHBA-ja ka thënë se nuk po kërkon konflikt, por Qin tha se kjo i bie në praktikë që Kina nuk duhet të përgjigjet me fjalë ose vepra kur sulmohet.

“Kjo është e pamundur”, tha ai.

Deklaratat e tij janë të ngjashme me ato të pasardhësit të tij, Wang Yi.

“Nëse SHBA-ja nuk frenohet dhe vazhdon të shkojë në rrugën e gabuar, asnjë masë mbrojtëse nuk do ta parandalojë që të dalë nga shinat, që do të shndërrohej në konflikt dhe konfrontim dhe kush do t’i mbajë pasojat katastrofike?”, u shpreh Qin.

Zyrtarët amerikanë shpesh kanë folur për vendosjen e masave mbrojtëse në raportet dypalëshe me Kinën, për të parandaluar që tensionet të përshkallëzohen në krizë.

Gjatë konferencës për media, Qin po ashtu tha se “një dorë e padukshme” po shtyn drejt përshkallëzimit të luftës në Ukrainë “për t’iu shërbyer agjendave të caktuara gjeopolitike”, pa specifikuar se kujt i referohet.

Ai përsëriti thirrjet e Kinës se dëshiron dialog për t’i dhënë fund luftës.

Kina vitin e kaluar tha se ka partneritet “pa kufi” me Rusinë, disa javë para nisjes së pushtimit të Ukrainës. Pekini ka fajësuar zgjerimin e NATO-s për nxitjen e luftës, duke përsëritur ankesat e Rusisë.

Kina ka refuzuar që ta dënojë pushtimin dhe ka mbrojtur qëndrimin e saj për Ukrainën, pavarësisht kritikave të Perëndimit se ka dështuar që ta quajë Rusinë agresore.

Kina po ashtu ka mohuar akuzat e SHBA-së se po e shqyrton mundësinë që të furnizojë Rusinë me armë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button