Konjufca për Asociacionin e komunave shqiptare në RMV: Ju takon forcave politike vendase të vendosin (Video)

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i pyetur nga gazetarët mbrëmë në Tetovë në lidhje me idenë e formimit të Asociacionit të komunave shqiptare në Maqedoninë e Veriut ngjashëm si ideja e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, deklaroi se kjo çështje u përket eksponentëve politik të vendit dhe se Kosova nuk përzihet në punët e brendshme të RMV-së. Ndërkaq ritheksoi qëndrimin e Kosovës që është kundër themelimit të Asociacionit të komunave serbe, shkruan Portalb.mk.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Sa i përket forcave politike këtu, se si pozicionohen këtu dhe si e shohin ato shtetin në të cilin jetojnë, kjo ju takon vetë atyre që ta shpjegojnë, eksponentëve që janë të angazhuar publikisht në Maqedoninë e Veriut. Aty Republika e Kosovës nuk përzihet. Është çështje autentike e përfaqësuesve tuaj që i zgjedhni si popullatë. Unë mund të tregoj vetëm pozicionimin e Republikës së Kosovës”, deklaroi Konjufca.

Në Maqedoninë e Veriut, partia politike Alternativa, e cila së fundmi u largua nga Qeveria dhe të kaloi në opozitë, bëri thirrje për nisjen e një nisme për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, sipas modelit që planifikohet të formohet në Kosovë.

Ky propozim është konsideruar i papranueshëm nga LSDM-ja, BDI-ja dhe ASh-ja në pushtet.

Edhe opozitarja VMRODPMNE nuk ka përkrahur një ide të tillë duke thënë se kjo mund të përkeqësojë marrëdhëniet ndëretnike në shtet. As PLD-ja nuk mbështet një nismë të tillë.

Mbështetje e ka dhënë vetëm Izet Mexhiti nga “grupi i zjarrit” në BDI, duke thënë se nëseky model aplikohet në Kosovë, do të ketë efekt domino edhe në rajon.

Në RMV, ndarja territoriale është e rregulluar me Ligjin për organizimin territorial të vetëadministrimit lokal të miratuar në vitin 2004 i cili ka pësuar ndryshime më vonë. Territori RMV-së ndahet në 80 komuna, përfshirë dhe Qytetin e Shkupit si njësi e veçantë e vetëadministrimit lokal. Komunat, janë të organizuara në rajone zhvillimore dhe në qendra rajonale (gjithsej tetë).

Sa i përket Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, ai theksoi se takimi i ardhshëm mes presidentit të Serbisë dhe kryeministrit Kurti mbahet pikërisht në Maqedoninë e Veriut me 18 mars, me ç’rast Kosova do ta mbrojë të drejtën e saj që zgjidhja më e mirë është njohja nga ana e Serbisë, sepse çdo zgjidhje tjetër sipas është gjysmake dhe zgjidhjet që i kërkon Serbia që të krijohet një territor etnik brenda Kosovës me kompetenca ekzekutive, ai mendon që nuk i shërben aspak as fqinjësisë së mirë as stabilitetit në Ballkan.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Ne jemi kundër kësaj, kundër zgjidhjeve territoriale etnike në Ballkan, dhe kemi qenë bile edhe kundër atij projekti të vitit 2017 që ishte territoret me u shkëmbyer edhe të vendosen në bazë të vijave etnike. Ne nuk mendojmë se kjo është zgjidhje evropiane dhe nuk mendojmë që i kontribuon stabilitetit të Ballkanit dhe stabilitetit rajonal. Prandaj Kosova është kundër një zgjidhjeje të tillë, ne jemi që Republika e Kosovës të jetë shtet unitar, ta ketë unitetin e vetë institucional dhe të refuzojë zgjidhje që kanë karakter të autonomive etnike në Ballkan”, tha Konjufca referuar Asociacionit të komunave serbe në Kosovë.

Ndryshe, Asociacioni i Komunave Serbe është asociacion vetëqeverisje i komunave me shumicë serbe në Kosovë. Propozimi i Asociacionit erdhi si rezultat i Marrëveshjes së Brukselit e nënshkruar nga Qeveria e Kosovës dhe Serbisë. Asociacioni pritej të krijohej zyrtarisht brenda kuadrit ligjor të Kosovës në vitin 2015, por shtyhet pafundësisht për konfliktet rreth shkallës së kompetencave. Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se themelimi i Asociacionit nuk është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Frika është se ky Asociacion, mund të krijojë “shtet” brenda shtetit të Kosovës, ashtu siç është rasti në Bosnje. Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni një etnik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button