25-vjetori i Epopesë së UÇK-së u shënua edhe në Shkup

Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup u mbajt një akademi solemne-përkujtimore për shënimin e 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së dhe rënien heroike të familjes Jashari në Prekaz. Ngjarja u organizua nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup.

Fillimisht të pranishmit i përshëndeti drejtori i Institutit, Skender Asani, i cili – përveç mirëseardhjes – e lexoi edhe kumtesën “Shkupi një degë e vullkanit të pashuar të Adem Jasharit”. Me këtë rast ai theksoi se: “Ne jemi me fat që këtë figurë të madhe të kombit, e patëm edhe në mesin tonë, këtu në Shkupin Dardan në fillm të viteve 90-të. Është meritë e shkupjanëve, para se gjithash e atyre që ishin shokë dhe bashkëpunëtorë të Adem Jasharit, të cilët pa i llogaritur pasojat dhe rreziqet, i ofruan strehim dhe logjistikë, njeriut i cili më vonë do të shkruaj historinë e lavdishme të Kosovës me gjakun e vet dhe të familjes, duke u bërë kështu  simbol i rezistencës së organizuar kundër pushtuesve serbë.”, për të konkluduar se: “Shkupi dhe Adem Jashari do të jenë të lidhur bashkë në një gjerdan kujtimesh të pashlyer, sikur që janë të pashlyera gjurmët mbi të cilat kaloi karvani i Lëvizjes sonë kombëtare në kalldërmin e Shkupit”.

Pas tij fjalë rasti mbajti edhe ambasadori i Kosovës në Shkup, Florian Qehaja, i cili i ndërmendi sukseset e shtetndërtimit të Kosovës në këtë 25-vjeçar, duke u ndalur veçmas në rolin paqësor që ka FSK-ja në aleancën veri-atlantike.

Mysafire në këtë ngjarje ishte edhe drejtoresha e Institutit të Historisë “Ali Hadri” të Prishtinës, Dr. Teuta Shala – Peli, e cila në kumtesën e saj vuri në pah rolin e madh që ka ky përvjetor që e gjen Kosovën të konsoliduar si shtet, duke e realizuar kështu amanetin e Komandantit Legjendar, Adem Jashari.

Në fund hulumtuesi shkencor i Institutit, Zeqirija Ibrahimi, e lexoi kumtesën “Ademët e Lirisë”, duke ndërtuar një aluzion me esenë e Erih Fromit “Për padëgjueshmërinë” e Adamit/Ademit, që ishte shkak për fillimi e historisë, të cilën e ndërthuri me Ademët shqiptarë, që ai i kishte regjistruar në emrat e Adem Demaçit dhe Adem Jasharit.

Sipas tij, “Ademët tanë, njësoj si Ademi i Parë ose si Prometheu, e kryen detyrën e tyre. Ata e sollën lirinë dhe na e falën zjarrin e lirisë. Tash mbetet në dorën tonë që mos të arratisemi nga liria, përsëri sipas Fromit, por këtë liri ta ruajmë e kthejmë në mirëqenie.

Në fund ai do të konkludojë se: “Adem Demaçi dhe Adem Jashari nuk janë vetëm emrat e përveçëm të personave që e kishin këtë emër. Madje, mund janë as vetëm emrat e përgjithshëm të atyre që flijuan gjithçka për popullin e tyre. Adem Demaçi dhe Adem Jashari janë emri i paradigmës së lirisë shqiptare”.

Ngjarja u begatua edhe me pjesëmarrjen e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqiptare, të drejtuar nga artisti Shkodran Tolaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button