“Nuk duam tavë, duam të drejta”: Në Shkup u mbajt marsh i grave me rastin e 8 Marsit

“Nuk duam tavë, duam të drejta”, “Sot marsh, nesër grevë”, “Shteti që nuk vepron është shtet që vret” janë një pjesë e mesazheve të cilat u dërguan në Marshin e sotëm për drejtat e grave që u mbajt me rastin e Ditës ndërkombëtare të gruas – 8 Marsi,njofton Portalb.

Në marshin, i cili filloi nga sheshi “Filipi i Dytë” në Shkup, u kërkua mbështetje, siguri, drejtësi sociale dhe shëndetësore, si dhe siguri ekonomike. Marshi përfundoi në Parkun e Gruas Luftëtare përballë Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

“Në vitin 2023, gratë dhe femrat ende janë diskriminuara në çdo pikëpamje dhe nuk realizojnë as të drejta të barabarta, e as mundësi të barabarta as në shtëpi, as në punë, as në politikë, as në jetën sociale. Në vitin 2023 gratë ballafaqohen me politika të cilat nuk i njohin nevojat e tyre, me institucione të cilat nuk i mbrojnë, mekanizma të cilët janë të verbër ndaj nevojave për avancim të barazisë gjinore dhe kulturë të dhunës dhe mizogjinisë e cila vazhdimisht përhapet”, theksuan nga Platforma për Barazi Gjinore.

Rita Behadini, aktiviste dhe udhëheqëse e Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja” theksoi se 8 Marsi këtë vit na gjen jo shumë më ndryshe se 8 Marsi i vitit të kaluar, ndoshta edhe më keq madje…më shumë gra të vrara, më shumë viktima të dhunës, më tepër diskriminim gjinor, edhe më pak mbrojtje nga shteti.

“Këtë 8 Mars nëpërmjet kësaj proteste, ngremë zërin për sigurinë e vajzave të cilat nuk janë të sigurta as në hapësira publike e as brenda mureve të shtëpive të tyre. E në këtë mes, shteti ka hise për pasigurinë e vajzave, që nuk i trajton seriozisht rastet e dhunës, që dhunon viktimën dyfish kur ajo paraqet dhunë apo ngacmim në polici.
Këtë 8 Mars, jemi këtu për të ju treguar se si është të jesh grua apo vajzë në këtë shtet, jemi këtu për të ju rikujtuar që çdo ditë shumë prej nesh zgjohen me të nxirra në mëngjes, jo të pavarura ekonomikisht, të lëna pas dore politikisht. A do të mbijetojnë gratë këtu? Disa edhe jo, përfundojnë të vrara nga po partnerët e tyre.
8 Marsi nuk është festë për gratë në Maqedoninë e Veriut që produktet menstruale vazhdojnë t’i paguajnë si të mira luksi. 8 Marsi nuk është festë për gratë që nuk kanë qasje në shërbimet shëndetësore bazë. 8 Marsi nuk është festë për vajzat që çdo ditë ngacmohen në rrjete sociale, në rrugë, në shkolla, në universitete…pa mbrojtje nga shteti”, tha ajo.

Sipas Behadinit, do të mund të festojmë atëherë kur nevojat e grave do të merren seriozisht nga shteti dhe institucionet, atëherë kur gratë nuk do të jenë të diskriminuara në çdo sferë. Ky marsh, shtoi ajo, është një reflektim protestues i ngjarjeve në vendin tonë dhe neglizhencës kolektive ndaj grave dhe vajzave në çdo aspekt: nga rritja të dhunës, femicideve, padrejtësive të përditshme sociale dhe shëndetësore dhe pasigurisë ekonomike, deri te varfëria e lartë që prek veçanërisht gratë.

“Sot protestojmë për gratë e të gjitha komuniteteve, sidomos të minoriteteve që diskriminohen dyfish vetëm për shkak të etnitetit që kanë. Sot jemi zëri i të gjitha grave të cilave lulet nuk ua zgjidhin problemet thelbësore jetësore, e as nuk ua zbukurojnë jetën as vetëm për sot, sepse barku bosh nuk mbushet me pagën minimale të tyre në këtë krizë ekonomike. Sot jemi zëri i të gjitha grave në vend, që enden në derët e institucioneve duke kërkuar shpresën për një jetë më të mirë dhe dinjitoze. Dhe që fatkeqësisht as nëpër këto derë nuk mund ta gjejnë. Sot protestojmë për neglizhencën sistematike ndaj grave nga shteti dhe institucionet”, theksoi aktivistja Behadini.

Sipas kësaj Platforme, të jesh grua ose vajzë në këtë shtet nënkupton çdo ditë të përballesh me pyetje të re për mbijetesë: Nëse do ta mbijetoj këtë vozitje me taksi? Nëse do ta mbijetoj këtë muaj? Nëse do ta mbijetoj martesën? Nëse do ta mbijetoj lindjen e fëmijës? Nëse do ta mbijetoj këtë operacion? Nëse do ta mbijetoj dhunën?

Ata than se të jesh grua në Maqedoni nënkupton të zgjohesh çdo mëngjes me frikë dhe të pyetesh si dhe nëse do ta mbijetosh atë ditë.

“Në vitin 2023, gratë përballen me politika që nuk i njohin sa duhet nevojat, institucionet nuk i mbrojnë sa duhet. Ka progres në miratimin e ligjeve, edhe pse disa kanë ngecur, por kryesore është se problemi është zbatimi i politikave, institucionet nuk po i zbatojnë ashtu siç e kanë përcaktuar. Kot kemi dokumente deklarative, kur nuk ka ndryshime”, deklaroi Jana Kocevska, nga Platforma për Barazi Gjinore.

Ndër problemet me të cilat ballafaqohen gratë dhe vajzat në vend, Kocevska theksoi se kryetarët e komunave nuk iu përgjigjën apeleve që të mos fiket ndriçimi publik, që përbën rrezik për vajzat dhe gratë gjatë natës të lëvizin lirshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button