Mariçiq-Peach: Vazhdimësia e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në është çelësi për stabilitetin e të gjithë rajonit

Zëvendëskryeministri përgjegjës për Çështjet Evropiane, Bojan Mariçiq, ka takuar sot Lordin Stuart Peach, përfaqësuesin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, ku kanë diskutuar për dinamikën e procesit të integrimit evropian, zhvillimin e ngjarjeve politike në Maqedoninë e Veriut dhe situatën në rajon, transmeton Portalb.mk.
Bashkëbiseduesit në takim konstatuan se vazhdimësia e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në është vendimtare për stabilitetin e të gjithë rajonit.
“Maqedonia e Veriut ka mundësinë të përparojë shpejt në procesin e negociatave me BE-në. Në këtë moment nga ndryshimet kushtetuese do të varet jo vetëm e ardhmja evropiane dhe pozicionimi i shtetit në marrëdhëniet me BE-në, por edhe paqja dhe siguria e të gjithë rajonit, janë pjesë e mesazheve të takimit të zëvendëskryeministrit Mariçiq me Peachin”, njofton Sekretariati për Çështje Evropiane.
Lordi Stuart Peach, i shoqëruar nga ambasadori Matthew Lawson, në takim konfirmoi mbështetjen e pakushtëzuar që Maqedonia e Veriut ka nga Mbretëria e Bashkuar në rrugën evropiane dhe në zbatimin e reformave.
Në kuadër të stabilitetit rajonal dhe progresit të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, bashkëbiseduesit diskutuan edhe për takimin në nivelin më të lartë ndërmjet përfaqësuesve të Beogradit dhe Prishtinës, në Ohër, duke përshëndetur dialogun, i cili sipas tyre është i një rëndësie të madhe gjeostrategjike. rëndësi që kërkon angazhim konstruktiv nga të dyja palët.
Zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori me BE-në Mariçiq theksoi në takim se Maqedonia e Veriut ka kapacitet demokratik, është vend përgjegjës dhe serioz për anëtarësimin në BE, i cili do të vazhdojë t’i përkushtohet nismave rajonale, si dhe ruajtjes së paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon, sepse siç theksoi Mariçiq, “është në interesin tonë dhe në interesin e Evropës”.
Në takimin ku mori pjesë edhe Sekretarja e Shtetit në Sekretariatin për Çështje Evropiane, Drita Abdiu-Halili, u konfirmua gatishmëria e plotë për avancimin e bashkëpunimit dhe komunikimit të vazhdueshëm për tejkalimin e sfidave.
Përfaqësuesi Special i Britanisë për Ballkan u takua me Pendarovskin: Takimi konfirmoi partneritetin dhe miqësinë
I dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordi Stuart Peach ka filluar takimet në kuadër të vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.
Ai fillimisht është takuar me presidentin StevoPendarovski, ndërkaq nga Vila Presidenciale njoftojnë se takimi konfirmoi partneritetin dhe miqësinë e gjatë midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar, e cila reflektohet përmes mbështetjes së vazhdueshme britanike për çështjet kryesore të pavarësisë sonë deri më sot, dhe marrëdhëniet bilaterale karakterizohen me dialog politik dinamik në nivel të lartë.

“Bashkëbiseduesit shkëmbyen pikëpamje dhe informacione mbi çështjet aktuale që lidhen me integrimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian, bashkëpunimin dhe veprimin e të dy vendeve brenda Aleancës së NATO -s, situatën e sigurisë në rajon dhe Evropë në kontekstin e luftës në Ukrainë, si dhe çështje bilaterale me interes të ndërsjellë”, thonë nga Presidenca.
Ndryshe, siç njoftuan nga ambasada e Britanisë së Madhe në Shkup, Stuart viziton Maqedoninë e Veriut për të riafirmuar përkushtimin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për forcimin e stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor
Gjatë vizitës Stuart do të takohet edhe me kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe ministrin e Punëve të Jashtme Bujar Osmani.
Ai gjithashtu pritet të takohet me përfaqësues të shoqërive civile.
“Qëllimi i vizitës është të riafirmojë përkushtimin e fortë të Mbretërisë së Bashkuar për integrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut, të mbështes reformat, të forcon stabilitetin dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, informuan nga Ambasada e Britanisë.
Sivjet Mbretëria e Bashkuar dhe Maqedonia e Veriut festojnë 30 vjetorin e marrëdhënieve dypalëshe.