Arkeologia Leonora Saliju nga Kërçova që punon në Zvicër: Gjetjet arkeologjike janë dëshmi e identitetit tonë

Ajo është një vajzë 31 vjeçare e lindur në Kërçovë, aktualisht jeton dhe punon ne Zvicër, por me veprimtari arkeologjike merret në rajone të ndryshme. Shkollimin fillor dhe të mesëm e ka kryer mes vendlindjes dhe Zvicrës. Pas mbarimit të gjimnazit kthehet në Zvicër për të vazhduar studimet në Universitetin e Friburgut në Arkeologji si drejtim primar dhe Gazetari si drejtim sekondar.

Intervistoi: Xhemazije Rizvani enkas për Portalb.mk.

Leonora Saliju, studimet e masterit i përfundoi në Universitetin e Gjenevës në Arkeologji duke specializuar për Arkeologji klasike ose antikitet. Ka qenë pjesëmarrëse në mbi 15 fushata gërmimi në vende të ndryshme te Evropës dhe ka bashkëpunuar me ekipe zvicerane, shqiptare, italiane, gjermane dhe angleze.  Ka qenë pjesëmarrje në gërmime në Shqipëri, në Bylis me ekip francez dhe Orikum me ekip zviceran. Të dyja bashkëpunime me ekipe shqiptare. Po ashtu në dy vite gërmime ka qenë udhëheqëse sektori dhe trajnuese për metodologjinë e gërmimeve në terren për studentët e Oksfordit.

Në një intervistë për Portalb.mk, mes tjerash ajo flet për rëndësinë e arkeologjisë, sidomos për historinë shqiptare dhe mënyrën si të ruhen gjurmët e lashta. Ajo ka komentuar dhe gjetjet e fundit në Karposh të pllakës së lashtë dardane. Gjithashtu, ka një mesazh me rëndësi për shqiptarët.

Pse na duhet arkeologjia dhe pse duhet t’i kushtojmë më shumë rëndësi?

“Arkeologjia përmes burimeve materiale na jep të dhëna për zhvillimin e njerëzimit dhe popujve të ndryshëm. Arkeologjia merret me mënyrën e jetesës së njeriut nëpër shekuj, në çfarë kushtesh janë ushqyer, si kanë jetuar, në çfarë kanë besuar, ritualet e tyre, artizanatet, ndërtimtaria etj.
Mendoj se, duhet t’i kushtohet më shumë rëndësi sepse arkeologjia dëshmon një pjesë të historisë së një populli dhe identitetit të tij. Mësojmë shumë edhe nga teknikat e tyre të ndërtimit ose të jetesës duket e ditur se këta persona nuk kanë pasur rrymë, makineri ose të dhëna kompjuterike që ne i kemi tash. Por, me njohuritë e tyre kanë mundur të na transmetojnë dëshmi materiale mijëra vjeçare që I kemi edhe sot.”

A është një lloj “gjenocid” mosrespektimi dhe mostrajtimi i duhur i artefakteve?

“Nuk do ta përdorja termin gjenocid për mosrespektimin e artefakteve. Por ka një term ne latinisht që e përshkruan më mirë këtë që është “Damnatio memoriae”, fshirja e memories. Mostrajtimi i duhur i artefakteve sjell në shkatërrimin e burimeve dhe dëshmive të të parëve tanë.”

Çfarë duhet të bëjmë kur kuptojmë se në një vend mund të ketë gjurmë lashtësie?

“Nëse hasim në disa artefakte arkeologjike dhe kemi dyshime për materiale të tilla, menjëherë duhet të informohen autoritetet kompetente, të cilat do të duhet të dalin në terren për verifikim.

Kalaja, Shkup, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Kalaja, Shkup, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

A janë dëshmi të gjalla për autoktoninë tonë këto artefakte?

“Artefaktet arkeologjike kanë vlerë studimore kur materialet janë të gjetura në kontekstin origjinal dhe në vend-ndodhjen e tyre pa ndërhyrjen njerëzore përveç specialistëve. Kur të gjitha këto elemente janë të mbledhura dhe kryhen analizat studimore , atëherë artefakti është një dëshmi thelbësore për një popullatë autoktone.”

A është e ndaluar me ligj që të ndërtohet një objekt ndërtimor mbi një lokalitet arkeologjik. Përveç pasurimit kulturor, historik, cili është përfitimi ekonomik kur hasim në një lokalitet arkeologjik?

“Varësisht nga vendndodhja e lokalitetit dhe rëndësia e tyre, ka mbrojtje ligjore për ndalimin e ndërtimeve mbi këto lokalitete. Fatkeqësisht nuk e di saktë ligjin në Maqedoninë e Veriut për mbrojtjen e lokaliteteve arkeologjike, por në shumicën e vendeve është ose ndalesë disa-kohore e ndërtimeve për të kryer gërmimet e nevojshme dhe për të vlerësuar lokalitetin ose ndalim i përhershëm i çdo lloj ndërtimi për shkak të rëndësisë arkeologjike.
Kjo e dyta shumë pyetje me vlerë dhe e nënvlerësuar nga të gjitha autoritetet e vendit. Lokalitetet arkeologjike përveç rëndësisë madhore studimore shkencore që kanë, sjellin edhe përfitime ekonomike nga turizmi. Disa shtete, si Italia, Greqia, Egjipti kanë të hyra të jashtëzakonshme ekonomike nga lokalitetet arkeologjike dhe muzetë. Fatkeqësisht në Maqedoninë e Veriut dhe një lokalitet si Stobi, ose kishat me afreske bizantine ose thjeshtë Shkupi i vjetër nuk kanë asnjë promovim. Vitin e kaluar vizitova Muzeun Arkeologjik të Maqedonisë dhe me kushërirat e mija ishim të vetmet vizitore. Është fakt shumë i habitshëm për një muze “nacional” në qendër të kryeqytetit të jetë BOSH, pa vizitorë.”

Në gishta janë arkeologët e diplomuar, por jo që merren praktikisht me kërkime? Si ju duket ky fakt?

“Është e vërtetë se nuk janë të shumtë arkeologët e diplomuar dhe i habitshëm ky fakt se ka persona të diplomuar që nuk gjejnë dot punë në arkeologji. Më lejoni po ashtu të përmend edhe arkeologë të diplomuar pa asnjë përvojë pune në terren. Dhe të tjerë që e praktikojnë këtë. Për mua thjeshtë është tmerr, se këtu bëhet fjalë për persona jokompetentë  që bëjnë një krim, të shkatërrimit të një pasurie arkeologjike që është e PAKTHYESHME.”

Kalaja e Tetovës
Kalaja e Tetovës, foto nga Portalb.mk

A do të duhej që Shqipëria të ishte më aktive në çështjet që kanë të bëjnë me historinë e saj?

“Shqipëria mund të dërgojë specialistët e nevojshëm në rast të kërkese të autoriteteve të Maqedonisë së Veriut. Por për momentin është e pamundur që një shqiptar të ketë leje për qasje në materialet dhe dokumentacionet e gërmimeve. Shqipëria nuk mund të kërkojë leje gërmimesh dhe studimesh me pretekstin se këto vende historikisht i kanë takuar se ka konflikte interesi, diplomatike dhe politike.”

Ju keni qenë e zëshme për disa çështje arkeologjike, sa pati vesh që ju dëgjuan?

“Kam pasur shumë përkrahje nga populli dhe intelektualë të ndryshëm, por fatkeqësisht zëri im nuk arriti në veshët e duhur.”

Çka ju shqetëson në botën shqiptare lidhur me këtë temë?

“Mendoj se në botën shqiptare lidhur me arkeologjinë më shqetëson objektiviteti që nuk e kemi ndaj kësaj teme. E kam përjetuar dhe e shoh për çdo ditë se çfarë po ndodhë me pasurinë tonë arkeologjike që fshihet, shkatërrohet dhe më e keqja mohohet. Por në këtë rast nëse flas si shkencëtare çështja  është shumë më e komplikuar. Duhet kuptuar se artefaktet e gjetura u përkasin periudhave të ndryshme mijëra- vjeçare dhe prandaj hipotezat tona duhet të bazohen në dëshmi materiale, tekstuale, ikonografike, arkitektonike etj. Dhe vetëm me të gjitha këto burime mund të dëshmojmë historinë tonë.”

A ka shtete që merren shembull për trajtim korrekt arkeologjik?

“Nuk mund të veçoj një shtet që merren si shembull. Sepse pasuria arkeologjike dallon shumë nga një shtet në tjetrin dhe ajo varet krejtësisht nga mënyra e trajtimit shtetëror dhe po ashtu nga populli sa e vlerëson atë.”

A ka politikë në arkeologji?

“Si gjithkund, po, veçse në arkeologji nuk ka para…” (qesh)

Cila është përshtypja jote lidhur me stelat që u gjetën në Karposh?

“E kam ndjekur aq sa kam mundur ngjarjen me gjetjen e stelave në Karposh. Dhe jam habitur për mirë nga interesimi i jashtëzakonshëm i mediave dhe popullatës shqiptare për këto gjetje. Për mua si arkeologe, këto stela dhe gërmimet në varreza janë për tu vlerësuar shumë. Çdo material arkeologjik I gjetur në varre është një dëshmi dhe burim I saktë që vjen nga konteksti origjinal. Stelat sa kam pasur mundësi t’i shoh në foto janë të shkruara në latinisht, dhe për mbishkrimet besoj se më mire mund të përgjigjen epigrafët.
E ndoqa edhe një intervistë të shkurtër nga drejtuesi maqedonas i gërmimeve që thotë se këta varre u përkasin romakëve nga që Scupi antik ka qenë koloni romake. Gjë aspak e vërtetë! Scupi antik si gjithë Iliria ka rënë nën pushtimin romak dhe ka pasur udhëheqës romak, dhe është dashur që të gjitha taksat t’i dërgohen perandorisë romake. Por Shkupi nuk ka qenë kurrë një perandori romake, dhe askush nuk mund ta mohoj faktin se ka qenë kryeqendra e fisit Ilir të Dardanëve. Por do të vijë një ditë kur të gjitha burimet që i përmenda më parë për të dëshmuar historinë tonë do të jenë në duar tona dhe nuk do të ketë më vend për mohime të këtij lloji.”

Pllaka Dardanus, Foto: Printscreen nga Tv21

Si konstatohet lashtësia dhe si duhen konservuar dhe vepruar më tej?

“Varësisht nga materiali i gjetur mënyra e dhënies së një date mund të jetë e ndryshme. Së pari do të shikohet në cilën shtresë është gjetur materiali në fjalë, pastaj do te shihen të gjitha informatat e njohura për të dhënë një datim si p.sh: prejardhja, materialet e shfrytëzuara, mënyra e ndërtimit, dekorimi etj. Më pas për çdo artefakt të gjetur duhet mirëmbajtja dhe konservimi I tyre, duke filluar nga ato arkitektonike dhe më pas materialet që kanë nevojë për pastrim si qeramika, dhe më shumë kujdes si bronzi.”

Faktimi i gjetjeve arkeologjike si bëhet? A bëhen punime shkencore?

“Punimet dhe gërmimet metodologjik arkeologjike janë thjeshtë fillimi dhe pjesa e parë e fazës studimore. Më pas bëhet inventarizimi, fotografimi, dokumentacioni, nivelimi dhe vizatimi i çdo shtrese arkeologjike. Kjo e njëjta procedure duhet të kryhet edhe për çdo artefakt që del nga gërmimet. Përpunohen të gjitha këto të dhëna dhe pastaj bëhen punime shkencore për zhvillimin dhe jetesën e këtij siti arkeologjik.”

Çka mund të bëjnë arkeologët bashkë në mënyrë që të kenë qasje në kërkime?

“Lokalitete arkeologjike për gërmime nuk mungojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriu. Mendoj se mungon interesi politik për këtë çështje, si për shumë të tjera. Fatkeqësisht arkeologët edhe nëse bëhen bashkë pa leje institucionale për gërmime, studime të materialit dhe pa përkrahje financiare nuk mund të bëjnë shumë. Fakt që është i trishtë, se zakonisht arkeologët janë persona që punojnë me pasion, por që hasin në shumë pengesa.”

Kalaja e Shkupit
Kalaja e Shkupit

A ke qenë në kërkime këndej dhe çka ke konstatuar?

Fatkeqësisht deri tash nuk kam qenë pjesëmarrëse në gërmime në Maqedoni, por në Shqipëri po. Ajo që më le përshtypje është se Maqedonia e Veriut ka shumë pasuri dhe lokalitete arkeologjike të paprekura. Ka shumë për tu bërë dhe për tu studiuar, por që gjendja është aktualisht në zero. Unë vetë kam pasur disa bisedime me autoritet lokale në Kërçovë dhe ato qeveritare po ja që pres akoma një lëvizje nga ana e tyre. Deri tash nuk ka pasur asnjë hap konkret edhe pse kanë biseduar me grupe franceze të gatshme për të punuar në Maqedoni.”

Çka sugjeron për krejt shqiptarët lidhur me rëndësinë e trashëgimisë, artefakteve?

“Që të ruhet dhe mos nënvlerësohet, të gjitha këto janë dëshmi e identitetit tonë, jemi ne ato artefakte. Kemi një trashëgimi të jashtëzakonshme që nuk na është lënë kurrë mundësia ta shijojmë, por ajo ekziston, ndoshta për momentin “nën”, por një ditë do të dalë në dritë!”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button