DIKTUME: “MËSOVA” (I)

Njeriu në jetën e kësaj bote kalon shilla dhe karibda të shumta, mëson nga çdo përjetim, nga çdo madhështi dhe imtësirë e jetës. Dhe përfiton, piqet dhe kupton të vërtetën apo të vërtetat që aventura e kësaj bote sjell me vete. Në ditarin jetik shënojmë ngjarje e ndodhi, emocione e ndjesi, përvoja që na mësojnë e na pasurojnë, që na bëjnë më dijës, më të qëndrueshëm, më të kultivuar e më të pëgatitur. Njeriu i mençur botën e percepton si një mësonjëtore, si një shkollë të jetës. E di që ka urtësi, se asgjë s’është kotësi. Jeta është filozofi, është kujtim, mendim e shkëmbim.

Njeriu mëson nga librat e jetës, nga librat e letrës. Mëson nga këshilla e fjala, nga shpjegimet e interpretimet e fjalëbukura, mbresëlënëse të atyre që kërkojnë kuptimin, që mundohen të kuptimësojnë jetët e të tjerëve. Njeriu nganjëherë lexon e harron, dhe vëren të veçantën që i ka kaluar para syve, madje edhe nga “produktet” ku edhe ai ka “mëlmesën” e vet modeste, ku harxhuar orë, ditë, muaj… Nganjëherë rileximi është më frytdhënës se leximi, ngase vërehen gjëra që s’i kemi parë gjatë leximit primar.

Një nga këto produkte me të cilin jemi shoqëruar ditëve të fundit është edhe libri i Fëmijët e tabletit, ku autori R. Shimshek (2020), psikolog, na këshillon si të gjejmë kursin e mirëfilltë të qeniesimit në kohën e teknologjive informatike, të benefiteve por edhe të problemeve e kokëçarjeve të shumta. Një pjesë plot porosi të këtij libri, ku flitet për dashurinë, mirëbesimin, miqësinë, pasurinë, mendimin, sprovat, përgjegjësinë e shumë gjëra të tjera, që e kemi përkthyer para tre vitesh (redaktuar nga E. Çeraj) dhe që u desh ta lexonim sërish me qëllim të përgatitjes  për një emision televiziv (MRT2). Një vepër me aforizma, një psikologji sociale urtare, një shkoqitje e thellë e raporteve ndërnjerëzore, e emocioneve, e vetëpozocionimit në agorën sociale. Max Weber-i, një nga etërit e sociologjisë thotë se vetëm relacionet e kuptimta janë me interes për njeriun. (CSP, 2014) Epigramet apo epigrafet kuptimplota nga kjo vepër që po i japim në vazhdim janë leksione të shkurtra, pjesë të kondensuara të urtësisë që duhet fokusuar me shumë kujdes:

 

Mësova

 

“Se nuk mund të detyrosh askënd të t’dojë;

se veten mund ta bësh të dashur.

Atë që mbetet lëre të kalojë.

 

se mirëbesimin duhen vite ta fitosh,

e për ta rrënuar mjafton një çast bosh.

 

se nuk ka rëndësi se çfarë ke,

por me kë je.

 

se mund të fitosh 15 min. duke dhuruar simpati,

por për më pas duhet të dish shumëçka me themeli.

 

se krahasimi me më të mirët është kot,

gjej më të mirën tënde, ndihu plot.

 

se nuk ka rëndësi çfarë të godet,

por ajo çfarë bën kur reagimi nuk pret.

 

se sado që ta copëtosh një gjë

sërish dy fytyra ka në të.

 

se duhet goxha kohë

të bëhesh ai që do.

 

se përleshja të merr më shumë kohë se mendimi.

 

se me të dashurit mirë duhet t’ia kalosh,

se takimi i fundit nuk i dihet me kë është vendosë.

 

se që kur thua “kaq e pata”

ke shumë kohë para se të bjerë nata.

 

se nëse reagimet nuk i kontrollon

janë ato që do të vendosin për jetën që jeton.

 

se heronj janë ata që bëjnë atë që duhet pavarësisht rrethanave.

 

se falja mësohet duke provuar.

 

se disa njerëz shumë ju duan

por nuk e shprehin dot, ndaj vuajn’.

 

se sado që të mundohesh për të mirën e dikujt

ka që nuk e shohin, ka që e mbulojnë me zhurmë. /vazhdon/

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button