Liderët studentorë: Të rinjve duhet tu jepet mundësia për t’i ndryshuar institucionet, zgjidhje për “biletën në një drejtim”

Institucionet duhet të hapen plotësisht për të rinjtë dhe kërkesat dhe idetë e tyre, ndërsa studentët me aktivitete konkrete për përmirësimin e shërbimeve publike duhet të tregojnë se vërtet kanë se ç’të ofrojnë për ndryshime pozitive në shoqëri – u konstatua në debatin me titull “Biletë në një drejtim – A po ndërmarrin diçka institucionet për ta ndryshuar këtë situatë?”, shkruan Portalb.mk.

Në eventin publik që u organizua nga Instituti për Qeverisje të Mirë dhe Perspektiva Euro-Atlantike (IQMPE) dhe Parlamenti Studentor Universitar pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” (PSU UKM) u prezantuan dy ide konkrete për përmirësimin e cilësisë së jetës së studentëve dhe përfshirjen e tyre në proceset vendimmarrëse.

E para, krijimi i platformës së parë studentore për përgjegjësi sociale e mbështetur nga kompanitë e Maqedonisë, e cila do të prezantohet para odave ekonomike dhe që kërkon përfshirjen e tyre për mbështetjen e studentëve. Dhe e dyta, iniciativa për institucionet qeveritare dhe komunat për përfshirjen e studentëve në punën e tyre përmes së cilës bashkërisht do të ndikojnë në përmirësimin e shërbimeve publike për qytetarët.

Mbase është vonë, tha kryetari i PSU në UKM, Sllavço Temellkovski, por duhet të përpiqemi dhe t’i japim një shans çdo të riu, por edhe t’i përfshijmë të rinjtë në proceset për ta ndryshuar mentalitetin e sistemit.

Foto: IQMPE

“Qentë lehin, karvani shkon përpara, pra kemi shumë fjalë, por pak veprim dhe realizim”. Ndërkohë të rinjtë largohen dhe institucionet vazhdojnë të bëjnë sikur nuk po ndodh asgjë. Prandaj, së bashku me IQMPE iniciojmë përfshirjen maksimale të të rinjve të interesuar në proceset vendimmarrëse nëpër institucione, për të ndryshuar sistemin nga brenda dhe me hapa e zgjidhje konkrete të mbështetura më së shumti nga digjitalizimi. Ndryshimet e tilla duhet të ndodhin sa më shpejt dhe qeveria dhe institucionet komunale duhet t’i lejojnë ata që një pjesë të punëve të udhëhiqen nga personat që janë në hap me gjërat aktuale – e kjo është rinia”, tha Temellkovski.

Ombudsmani studentor në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, Viktorija Postollovska thotë se në debatin publik bashkërisht është konstatuar se një shtet që i neglizhon dhe i shpërfill politikat rinore është një shtet që dalëngadalë vdes.

“Rinia jo vetëm që duhet të tejkalojë sistemet jofunksionale të rrënjosura thellë, por edhe në mënyrë transparnte të shprehen kundër tyre. Dhe këtu një përgjegjësi të madhe kanë personat përgjegjës për politikat rinore në institucione dhe veçanërisht në institucionet publike që kanë kompetenca në fushën e rinisë. Nga ata më në fund duhet të shohim masa konkrete për përmirësimin e pozitës të të rinjve në shoqëri”, theksoi Postollovska.

I mendimit që institucionet nuk duhet të kufizohen vetëm tek fjalët dhe tek mbështetja deklarative për të rinjtë është edhe Blendi Hodai, kryetar i Forumit për Ndryshime në Arsim.

“Të rinjtë kanë nevojë për ngritje të cilësisë së jetës, arsim më të mirë, por edhe shtet dhe institucione funksionale që do të miratojnë politika produktive rinore. Mbaroi koha kur vetëm flitej për të rinjtë, tani është koha për të bërë gjëra dhe hapa konkretë dhe për t’ua dhënë mundësinë të rinjve për ta ndryshuar shoqërinë për të mirë”, theksoi Hodai.

Jo të gjithë të rinjtë duan të largohen nga vendi, thotë kryetarja e Parlamentit Studentor në Fakultetitn e Arteve të Bukura, Milena Petkovska. Shumë nga të rinjtë, beson ajo, angazhohen për të ndërtuar një të ardhme më të mirë në vendin e tyre për vete dhe për bashkëqytetarët e tyre.

“Megjithatë, largimi është një vendim i komplikuar dhe ata që largohen nga vendi kanë motive dhe arsye të ndryshme. Si një vend me një të kaluar plot paqëndrueshmëri dhe trazira, e gjithë kjo ngjall një ndjenjë të pasigurisë, e cila nga ana tjetër është një nga motivet e të rinjve për të kërkuar kushte më stabile dhe më të parashikueshme të jetesës diku tjetër”, tha Petkovska.

Foto: IQMPE

Iniciativat e tilla dhe debatet konstruktive duhet të jenë motiv dhe arsye për një vullnet më të madh për të kontribuar në politikat rinore, thotë Aleksandar Nikollovski, i cili është kryetar i Parlamentit Studentor në Fakultetin Ekonomik në Shkup.

“Element kyç që të rinjtë të blejnë një biletë kthyese dhe njohuritë e fituara t’i investojnë në shoqërinë tonë është ndryshimi i fokusit në sjelljen e politikave kombëtare në çdo sferë shoqërore”, theksoi Nikollovski.

Kirill Panov, student në Universitetin “American College”, tha se për të është një nder i vërtetë që ta moderojë këtë format të diskutimit publik ku problemet perceptohen në mënyrë kritike, por në të njëjtën kohë të rinjtë janë aktivë dhe ofrojnë zgjidhje për të dalë nga kjo situatë.

Entuziazmi, ambicia dhe nxitja për përparimin individual të çdo njeriu do të ndihmojë për përmirësimin e sistemit dhe institucioneve sepse kur flasim për shtetin dhe organet shtetërore duhet ta kemi të qartë se kjo jemi secili prej nesh, jemi vetë ne qytetarët”, tha Panov.

Është e domosdoshme që institucionet, por edhe politikanët, t’i vendosin në fokus të vërtetë të rinjtë dhe t’u japin të rinjve mundësinë për të marrë përgjegjësi, thotë Bojan Kordallov, komunikolog dhe kryetar i IQMPE.

“Në mesin e institucioneve ka shembuj pozitivë, por kjo nuk mjafton. Për momentin ato vetëm diskutojnë për të rinjtë ose i ftojnë si dekor dhe justifikim se janë duke bërë diçka për ta ndryshuar situatën në të cilën jetojnë, studiojnë dhe punojnë të rinjtë. Ne japim iniciativa konkrete dhe sinqerisht shpresoj që institucionet ta kuptojnë se duhet të ndryshojnë, t’i “përveshin mëngët”, të dalin në terren, mes të rinjve dhe të veprojnë së bashku. Strategjitë dhe debatet duhet dhe udhëhiqen nga ne si organizata të shoqërisë civile. Nga institucionet pritet veprim, sepse mjetet për t’i ndryshuar gjërat janë në duart e tyre”, tha Kordallov.

Në debat ishte e pranishme edhe deputetja Monika Zajkova, e cila është edhe koordinatore e Klubit për Çështje Rinore në Kuvend, organ joformal në të cilin anëtarë janë deputetë të partive të ndryshme politike deri në moshën 35 vjeçare. Ajo dha mbështetje për këto iniciativa, por edhe  nxitje për institucionet që në vend të zgjidhjeve paushall të bëjnë reforma sistematike. Zajkova theksoi se e mbështet zërin e studentëve dhe të rinjve për realizimin e të drejtave dhe nevojave të tyre dhe theksoi gatishmërinë e saj për të marrë pjesë në realizimin e kërkesave të tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button