Më mirë djepi bosh se dreqi n’djep

Kështu thotë një fjalë e urtë shqiptare, e cila paralajmëron rrezikun nga formimi me të drejta ekzekutive të asiciacionit të komunave me shumicë serbe në veriun e Republikës së Kosovës.

Insistimi i presidentit serb për formimin me çdo kusht të sajesës në fjalë, që në një moment të caktuar mund t’i shërbejë si casus belli, nuk është diçka që habit shqiptarët, sepse ata, të paktën që nga traktati famëkeq i Shën Stefanit (1877), kur u shkrumua Sanxhaku i Nishit me 4-5 qytete dhe me mbi 700 fshatra të banuar me shqiptarë, e ndjenë në shpirt e në trup dhunën çnjerëzore, tërrorin kanibalesk dhe farimin fashizoid të popullatës civile, që shqiptarngrënësit presin me padurim t’i përsërisin, posa të krijohen kushtet e volitshme, posa të ndodhë ndonjë përçarje ndërmjet Amerikës dhe aleatëve të saj perëndimorë, ose posa ta fitojë Putini luftën me Ukrainën, që sipas millosheviqistëve do të ndodhë së shpejti.

Së këndejmi, çudia e çudirave të kësaj bote kësaj here është këmbëngulja e shteteve që, më 1999 ndihmuan çlirimin e shqiptarëve, nga xhehenemi serb, kurse sot kërkojnë themelimin e një Republike të re serbe në veriun e Kosovës, që, siç e thotë historia, u serbizua kubarisht gjatë viteve të ’50-ta të shekullit të kaluar nga kryepolici famëkeq Aleksandër Rankovoqi, pas dëbimit të dhunshëm të mijëra familjeve shqiptare në shkretëtirat e Anadollit.

Kjo pra është ajo që nuk arrijnë ta kuptojnë njerëzit e esellt, sepse një lëshim i tillë do të kuptohej disi vetëm kur Vuçiqi ta pranonte Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran në gjithë territorin, jo tani kur ai vazhdon militarizimin e Serbisë më beter se mësuesit e tij piromanë, që shkrumuan Ballkanin dhe e mbollën me varreza masive shqiptarësh, boshnjakësh e kroatësh; jo tani kur makineria propagandistike ushqen popullatën serbe me gënjeshtrat e përsëritura ndër shekuj, për efektin e të cilave ka folur më së miri ish kryetari i Serbisë Dobrica Qosiqi… dhe me premtimet e vëllezërve të pushtetshëm rusë, si ato që ua përcolli së fundmi ambasadori aktual i Putinit në Beograd, Kharchenko, që, para pak ditësh, tha se Rusia do t’ia kthejë Kosovën Serbisë, posa ta gjunjëzojë përfundimisht Ukrainën.

Ata që kërkojnë të drejta plotësuese të serbëve të Kosovës edhe pas pakos së Ahtisarit, që e bëri Kosovën shtet jofunksional, si ajo gozhda e famshme e cila ia mundëson Nastradinit të hyjë e të dalë nga shtëpia e tjetrit dhe te varë shajkaçen kur t’ia dojë qejfi dhe pa e pyetur fare pronarin e vërtetë të saj, e dinë mirëfilli se formimi i asociacionit të komunave serbe me kompetenca ekzekutive është prologu i ëndrrës së vjetër serbe për të shkëputur nga shtati i Kosovës Trepçën dhe Ujmanin, pa të cilët ajo do të shndërrohet në Palestinë ballkanike që do t’ia zgjasë jetën fjalës së urtë: Më mirë një djep bosh se dreqi në djep.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button