RMV, nervozizmi në kulm si te nxënësit ashtu edhe te mësuesit dhe prindërit

Në shkollat ​​e mesme dhe në disa shkolla fillore, mësimi ka nisur tashmë me prezencë fizike prej disa kohësh dhe vazhdon online, pas njoftimeve se janë vendosur mjete shpërthyese. Dhe dje, të enjten, pati 30 raportime të reja për bomba të vendosura. Në shkollat ​​e mesme, ku çdo ditë ka kërcënime me bombë gjatë ditës, mësuesit dhe nxënësit kanë një procedurë të dakorduar, fillimisht shkojnë në shkollë, pastaj pasi të kryhet evakuimi kanë një orë e gjysmë deri në dy orë për tu kyçur online. Shkollat ​​kanë përgatitur edhe një orar për mësimin në distancë dhe mësimi vazhdon aty ku ka mbetur, shkruan Nova Makedonija. Si nxënësit ashtu edhe kuadri mësimor janë nervozë, jo vetëm se koha e mësimit është më e gjatë, por edhe cilësia nuk është e njëjtë, transmeton Portalb.mk.

“Mësime online te ne kemi gjatë gjithë javës sepse ka raportime për bomba. Është sipas udhëzimeve që kemi marrë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Mësimi në distancë zhvillohet pa problem. Fillon një orë e gjysmë deri në dy pasi nxënësit dhe kuadri mësimor janë evakuuar me orën në të cilën ndërpritet në shkollë. Është normale që edhe nxënësit edhe mësuesit të jenë nervozë, por çfarë mund të bëjmë? Kemi orare shtesë për mësim në distancë dhe i shfrytëzojmë”, thotë Mitko Dimovski, drejtor i gjimnazit “Orce Nikollov”.

Probleme si gjatë kohës së kovidit

Nga ana tjetër, ka shkolla të mesme në të cilat ka vështirësi me mësimin në distancë.

“Këto janë të njëjtat vështirësi që ndodhën gjatë pandemisë. Ka fëmijë pa kompjuter dhe internet, ka probleme me gjithëpërfshirjen”,  thotë drejtori i gjimnazit.

Disa shkolla thonë se kishin probleme me aktivizimin e Teamsit, fjalëkalimet nuk funksiononin.
Në disa shkolla, nga ana tjetër, në qytetet e pjesës perëndimore të Maqedonisë, informojnë në redaksi se “për shkak të problemeve me përfshirjen e platformës për mbajtjen e orëve online, stafi mësimdhënës individualisht ka marrë email me udhëzime për të mësuar në cilën platformë do të mbajnë mësimet”. !? Në të njëjtën kohë u vu në pah problemi tashmë kronik i “mungesës së krediteve” ndërkohë që mësimi i rregullt zhvillohet në klasa. Nëse gjithë kësaj, i shtojmë burimet tona, mësimdhënësit e shkollave fillore nga disa qytete të Maqedonisë, përmendet problemi i mungesës së teksteve shkollore si materiale bazë didaktike, atëherë është më se e dukshme se vështirësitë e akumuluara që shfaqen në një sekuencë të një pças njëshme në procesin mësimor do të shkaktojnë dëme të pariparueshme për gjeneratat e nxënësve. Kjo, nga ana tjetër, do të reflektohet në lëvizje të mëtejshme shoqërore në periudhën e ardhshme me dëme dhe humbje në disa fusha: ekonomi, industri, shkencë, politikë, siguri…

Kush do të kujdeset për fëmijët tanë?

“Unë punoj në spital. Më thirrën për denoncimin teksa isha me një pacient nga “Termini im”. Më duhej të shkoja pas fëmijës. Ndonjëherë gjendem disi, por sot jo. Vrapova pas tij, binte shi, ndërsa fëmijët dhe mësuesja prisnin në parkun ngjitur me shkollën. Raportet mund të jenë të rreme, ne jemi të vetëdijshëm për këtë, por ato na kanë prishur plotësisht jetën dhe po ndikojnë edhe në punën tonë. Kjo i kapërceu të gjithë kufijtë. Jetojmë nën stres, në gatishmëri. Nëse vazhdojnë online, nuk e di se me kë do të rrijë një nxënës i klasës së dytë. Sinqerisht nuk e kuptoj si do të organizohemi. Të gjithë punojmë, për ne me fëmijët e vegjël ky është një problem serioz”, thotë një nënë, fëmija i së cilës studion në një shkollë në Kisella Vodë.

Zilja e shkollës bie derisa personi i fundit të largohet nga shkolla – pjesë e protokollit të evakuimit nga bomba

Ndryshe, kërcënimet me bombë kanë vazhduar prej disa muajsh. Zakonisht raportimi për bombë pothuajse në të gjitha shkollat ​​vjen në orët e mëngjesit, kur stafi dhe nxënësit ndodhen tashmë në ambientet e shkollës. Njoftimi vjen në adresat zyrtare të e-mail të shkollave, në të cilat kanë akses drejtorët dhe sekretarët. Sapo lexojnë alarmin për bombë, ata fillojnë të bëjnë një evakuim sipas protokollit.
Drejtorët e shkollave të Shkupit thonë se mesazhet që vijnë zakonisht nuk janë vetëm njoftim se në shkollë është vendosur bombë. Përkundrazi, në mesazh ka detyrimisht fjali me përmbajtje shqetësuese, që ua ngrin gjakun.
Mësuesit dhe i gjithë stafi i shkollës po bëjnë çmos për t’i shpëtuar dhe mbrojtur fëmijët.

Probleme me mësimdhënien online në disa shkolla

Ministria e Arsimit dhe Shkencës thotë se aplikacioni “Teams” funksionon dhe çdo nxënës me emrin e përdoruesit dhe fjalëkalimin e tij mund të hyjë dhe përdor profilin për t’u angazhuar në mësimdhënie online nëse ka kërcënime me bombë në shkollën ku mëson dhe një drejtim i tillë jepet nga mësuesit.
“Kemi marrë njoftime nga disa shkolla se mëngjesin e sotëm ka pasur ndërprerje të funksionimit, pra shfrytëzimit të “Teams”, por pas një kohe të shkurtër nxënësit janë kyçur në llogaritë e tyre”, thonë nga MASh.

Jeton Shaqiri: Nuk është vendim i lehtë nëse të gjitha shkollat ​​e mesme duhet të kalojnë në mësimin online

“Nuk nxitojmë të marrim një vendim të tillë, sepse një vendim i tillë duhet të merret edhe për shkollat ​​fillore, pasi dje dhe sot ka pasur më shumë raportime për shkollat ​​fillore sesa për ato të mesme. Fillimisht në shënjestër nuk ishin fëmijët e shkollave fillore, vetëm nxënësit e shkollave të mesme, tani raportime ka edhe në shkollat ​​fillore që hap një problem të ri”, tha dje Shaqiri, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Nga 26 tetori i vitit 2022 në Shkup dhe disa qytete të RMV-së, disa herë është denoncuar se në email-adresat e disa shkollave, por më pas edhe të institucioneve, qendrave tregtare, aeroporteve, është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Deri tani, të gjitha denoncimet kanë rezultuar të jenë të rrejshme. MPB, vazhdon të deklarojë se po punon në zbardhjen e tyre, por deri më tani nuk dihet se prej ku vijnë këto kërcënime.

Ekspertët vlerësojnë se alarmet e deritanishme për bomba vijnë prej Rusisë, ndërkaq, qëllimi është që të ndjellin frikë te qytetarët në kontekst të luftës në Ukrainë dhe ankthit për një konflikt në veri të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button