Deputetët debatuan deri në orët e vona, Kurti: “Zajednica” nuk kalon në kryeministri

Deputetët e Kosovës deri në orë 2:00 pas mesnate kanë diskutuar për dialogun Kosovë- Serbi, ku gjatë kësaj kohe pushteti është përplasur me deputetë opozitarë për planin evropian, për të cilin është pajtuar të hënën në Bruksel.

Kryeministri Albin Kurti pasditen e së enjtes u largua nga seanca, por propozoi që të ktheheshin në orën 22:00, transmeton TV 21.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ‘Zajednica nuk kalon’ në kryeministri, ani pse e njëjta ka kaluar në parlament. Shefi i ekzekutivit në seancën për dialogun shtoi se nuk ka ndryshuar përmbajtësisht për të keq, por opozita ka ndryshuar deklarativisht për të mirë. Ai shtoi se Serbia ka dështuar të imponojë zbatimin e ‘Zajednicës’ si parakusht.

“Unë nuk kam ndryshuar përmbajtësisht për të keq, por besoj fuqishëm që ju keni ndryshuar deklarativisht për të mirë. Pra, unë nuk kam ndryshuar përmbajtësisht për të keq, por ju keni ndryshuar deklarativisht për të mirë. Konkretisht, këtu sulmet që i përjetova veç po i përmend disa deputetë: Blerta Deliu-Kodra, Arben Gashi, Armend Zemaj, Anton Çuni, Ferat Shala, këta me datën 27 qershor 2013 e kanë votuar ‘Zajednicën’. Më falni, Sala Berisha-Shala, më fal kryetar e heq fjalën. Bëhet fjalë për deputetë që kanë votuar ‘Zajednicën’ më 27 qershor 2013, por tash më kritikojnë mua, sepse këta kanë ndryshuar deklarativisht. Unë s’kam ndryshuar përmbajtësisht”, ka deklaruar Kurti.

“Nuk kam ndryshuar unë, por sytë e juaj. Ju po shikoni ndryshe tash, ju po shikoni ndryshe. Dhe këtu ne e kemi një kontribut të pamohueshëm. Pasojë direkte e Lëvizjes Vetëvendosje është ndryshimi i syve të juaj”, tha ai në seancën e natës.

Kurti ka përmendur edhe tog-fjalëshin ‘Zajednica nuk kalon’, duke shtuar se në nëntor e dhjetor është shkelur kjo marrëveshje.

’Zajednica’ ka kaluar këtu në Kuvend. ‘Zajednica’ nuk kalon, nuk ka kaluar në gjykatë, nuk ka kaluar në popull.

‘Zajednica’ nuk kalon as në kryeministri, e qeveri. Por këtu në Kuvend ka kaluar. Përfshirë edhe deputeten, se e harrova me e përmend, tash po e kuptoj pse po bën zhurmë, me datën 27 qershor 2013 edhe deputetja Ganimete Musliu ka votuar ‘Zajednicën’”, ka deklaruar ai.

Më tej, Kurti tha se Serbia ka dështuar të imponojë zbatimin e “Zajednicës” si parakusht.

“Beogradi zyrtar gjatë këtyre bisedimeve që i kemi zhvilluar e ka dashur zbatimin e Asociacionin si parakusht. A besoni që tërë vjeshtën e kaluar edhe në këtë dimër, insistimi i Beogradit është që të bëjmë marrëveshje, pasi të zbatohet ‘Asociacioni’. Kjo nuk u bë, kjo është fitore e jona në ecje. Nuk është thjeshtë e imja. Është e institucioneve, të popullit të Kosovës, e qëndrueshmërisë të këtij shteti, e kështu me radhë”, u shpreh ai.

Shefi i ekzekutivit tha se në procesin e dialogut nuk ka vështirësi jashtë trashëgimeve të ish-qeverive.
Në lidhje me deklaratat e opozitës për planin evropian për marrëveshje bazike, Kurti u shpreh se janë interpretime negative.

“Serbia synon edhe mazi se sa disa prej parashikimeve si rreziqe për të ardhmen, është evidente kjo. Këtu u thanë disa parashikime për rreziqe, janë legjitime unë i marrë shumë seriozisht, edhe i kam shënuar me dorë se i mbaj mend më mirë. Jo në telefon, po në fletë edhe me këtë rast unë i marrë ato shumë seriozisht. Por, duhet ta keni parasysh që Serbia synon e interpreton edhe më keq edhe mazi se aq. Por ato nuk do të bëhen sepse jemi dy palë. Nuk bëhen pa pranuar Kosova”, shtoi ai.

Sa i përket mosnjohjes së Serbisë, kryeministri Kurti shtoi se janë marrëdhënie të panormalizuara.
Në anën tjetër, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se kryeministri i vendit, Albin Kurti është përralla e “mosndryshimit” në Kosovë.

Këto komente Abdixhiku i bëri në seancën e natës ku po debatohet për dialogun, derisa komentoi deklaratën e kryeministrit Kurti kur tha se ai nuk ka ndryshuar përmbajtësisht, por opozita ka ndryshuar deklarativisht.

Sipas tij, “tregimet në orët e vona bëhet shumë të rrezikshme sepse shndërrohen në përrallë”.

“Tregimet në orët e vona shumë bëhen të rrezikshme sepse shndërrohen në përrallë, dhe ne sapo pamë një përrallë mbi atë se kryeministri Kurti nuk ka ndryshuar. Nuk ka ndryshuar pra njeriu që ka kërkuar ‘jo negociata – vetëvendosje’, njeriu që ka kërkuar ‘kërkim falje para dialogut’ e që ka përfunduar në një dialog tërësisht pa kushte, njeriu që ka kërkuar ballafaqimin me të kaluarën e ka përfunduar në tejkalimin e trashëgimisë të së kaluarës si objekt ose subjekt pa dallim, por si vlerë për marrëveshjen e tij. Njeriu që ka kërkuar ‘njohjen në qendër’ e ka përfunduar në neutralitet rreth paragjykimit të statusit politik të shtetit të vet, njeriu që i ka pasur 6 kushte 6 muaj më parë e ka përfunduar pa asnjërën prej tyre, dhe kjo është përralla e mosndryshimit në Kosovë. Nëse ndryshimi ka formë ‘kështu duket’”, ka thënë Abdixhiku derisa ka treguar nga Kurti.

Kurse, përplasje pati edhe mes kryeministrit Albin Kurti dhe deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu. Kjo e fundit ka kritikuar Kurtin për ndryshime të qëndrimeve, duke e pyetur ‘a po të vjen marre kur po e dëgjon vetën’. E njëjta po ashtu tha se Kurti është frikësuar të marrë armën në luftë. Ndërkaq, kryeministri ia ka përmendur votën pro “Zajednicës’.

“Ti je tut edhe në luftë, e din. Të kanë thënë në Qirez, merre automatin, hajde e ke moshën, hyn atje në luftë, ti ke ik ke thënë ‘po shkoj një herë deri në Prishtinë se i kam disa punë atje, e tani kthehem’. Edhe nuk je kthyer më kurrë, se je frikacak. Ka dëshmitarë që kanë qenë me ty, ti nuk ke guxuar automatin me kap në luftë. E sot na shitesh këtu veteran mercenar”, tha ajo.

Duke i kujtuar Musliut votën e saj pro “Zajednicës”, në replikën e tij, kryeministri Albin Kurti tha se njeriu nuk duhet të jetë krenar për gjithçka në jetë.

“Unë nuk besoj që deputetja Musliu, me gjithë respektin dhe vlerësimin, duhet të jetë krenare me atë votim. Njeriu nuk duhet të jetë krenar me bash gjithçka që ka bërë në jetë, se kur je krenar me gjithçka bëhet e dyshimtë krenaria. Nuk do të duhej 27 qershori i 2013 me qenë ditë e krenarisë për deputeten”, i tha Kurti Musliut.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka shfaqur edhe një video të mëparshme të Kurtit, ku kishte folur për negociatat me Serbinë. Ajo shtoi se i njëjti ka fshirë shumë të tilla, por tha se shumë prej tyre kanë mbetur.

“Pata me thënë shumë gjëra sot, po sinqerisht nuk po e di cilit Albin me i fol dhe cilit Albin me i bë pyetje. A me i bë pyetje atij Albinit, shokut e Astrit Deharit, Mon Bolajt, e Arben Xheladinit. A t’i bëjë pyetje këtij Albinit me xhipa të zi, i hekurosur, me kollare, me ka 30 truproje e kështu me radhë. Më mirë është me i bë pyetje këtij të hekurosnit këtu edhe me i thënë allahile a po të vjen marre kur po e dëgjon vetën? Mua më kishte ardhur marre kur e kisha dëgjuar vetën kështu. A po të kujtohet Albin kur vishe edhe i qoshe krahët si shqiponjë edhe thoshe

‘Po mbani seanca natën, po tutni prej popullit, prej kujt po ikni’. Çfarë po bën sot Albin, dreqi të të hajë, nuk e le asnjë qershi pa e hëngër. Asnjë qershi nuk donë me e lënë. Pse bre Albin? Ah, bre Albin, Albin, mos qofsha në lëkurën tënden ”, ka thënë ajo

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button