Tendat e Sheshit “Skënderbeu” të grisura, në monumentin “ABC” flenë të pastrehët (VIDEO)

Tenda të grisura të cilat janë shndërruar në vend për personat e pastrehë, të cilët flenë në afërsi të monumentit të alfabetit të gjuhës shqipe. Kjo është pamja e Sheshit “Skënderbeu” në Shkup, i cili qytetarëve u ka kushtuar gjithsej mbi 14 milionë euro, shkruan Portalb.mk.

Mirëmbajtja e sheshit “Skënderbeu” vazhdon të jetë sfidë për autoritetet komunale edhe gjashtë vite pas hapjes së tij zyrtare.

Ekipi i Portalb.mk vizitoi sheshin “Skënderbeu” dhe evidentoi se tendat gjysmë-sferike të cilat janë të vendosura në pjesën e sipërme të Sheshit “Skënderbeu” në Shkup ishin të grisura. Këto tenda janë pjesa e vetme e mbuluar e këtij shesh ku qytetarët mund të strehohen nga shiu ose vapa e verës.

Në njërën prej tendave ku ndodhet dhe monumenti i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, gjegjësisht shkronjat e betonit të “ABC”, vërejtëm se këtij monumenti i mungon shkronja “C”, pasi ishte rrëzuar dhe mbuluar me batanijet dhe shtrojat për fjetje të cilat i kishin lënë personat e pastrehë, ndërkaq përreth kishte mbeturina.

This slideshow requires JavaScript.

Portalb.mk kërkoi përgjigje nga Komuna e Çairit, por deri në këto momente nuk kanë dërguar.

Problem tjetër i Sheshit Skënderbeu është mosfunksionimi i ashensorëve dhe shkallëve elektrike, ndërkaq mbetet jashtë funksionit edhe fontana.

Ndryshe, sheshi “Skënderbeu” u hap zyrtarisht në shtator të vitit 2017-të, ndërkaq punimet për të kanë filluar që në vitin 2012-të dhe ka një hapësirë prej mbi 28 mijë metra katrorë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button