Kërcënimet me bomba në shkolla janë bërë të zakonshme në mbarë botën

Mbyllja e shkollave, evakuimi i nxënësve, hetimet e hapura për kërcënimet me bomba janë bërë thuajse të përditshme, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në shumë vende të tjera të botës. Ka spekulime për shkaqet, zgjidhjet e mundshme diskutohen gjerësisht në mbarë botën, por deri më tani nuk është gjetur “shkopi magjik” që do të zgjidhte problemin që çdo ditë sjell frikë dhe panik si te prindërit ashtu edhe te fëmijët, e për më tepër prish procesin edukativo-arsimor, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

Kërcënimet me bomba shihen edhe në vende me shkallë jashtëzakonisht të ulët të krimit, si Japonia. Në fund të janarit të këtij viti, kërcënimet u dërguan me faks në shkollat e mesme dhe universiteteve në vendin aziatik. Sipas policisë, në objektet e shkollës nuk u gjet asnjë lëndë shpërthyese.

Vala e parë e kërcënimeve nisi pak ditë më parë dhe në një kohë të shkurtër u përhap nëpër shkolla dhe universitete në të gjithë vendin. Mediat lokale raportuan se një nga mesazhet pretendonte se ishin vendosur më shumë se 330 bomba, ndërsa një tjetër thoshte: “Vendosa një bombë të madhe”.

Zelandën e Re, nga ana tjetër, të paktën dhjetëra shkolla morën kërcënime me bomba verën e kaluar, kërcënime që supozohej se vinin nga një vend i huaj. Shkollat ​​u detyruan të mbyllen dhe të evakuojnë studentët dhe stafin mësimor. Mediat raportuan se kërcënimet ishin mashtrime, të koordinuara nga “cyberbots” jashtë shtetit. Në një incident të ngjashëm në vitin 2016, më shumë se 30 shkolla në të gjithë vendin morën telefonata – më pas mesazh i regjistruar për kërcënim me bombë u lëshua drejtpërdrejt në terrenet e shkollave.

Për shkak të raportimeve për bomba në shkolla, Ministria e Arsimit e Malit Zi njoftoi në dhjetor të vitit të kaluar të gjitha shkollat ​​në vend që të pezullojnë mësimin për një javë.

“Duke pasur parasysh se edhe sot është raportuar për bomba të vendosura në disa shkolla fillore dhe të mesme në Mal të Zi, Ministria e Arsimit me rekomandim të policisë ka marrë vendim që mësimi të vazhdojë deri në fund të javës në të gjitha shkollat ​​fillore dhe të mesme në territorin e Malit të Zi dhe i njëjti të organizohet online”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Ndërsa vitin e kaluar në prill, në anën tjetër, policia malazeze ka identifikuar persona të cilët kanë kërcënuar sigurinë e fëmijëve dhe punonjësve në shkollat ​​fillore “Marshall Tito” në Ulqin dhe “Mrkojeviqi” në Tivar. Të dy ishin të mitur dhe ndaj tyre është bërë kallëzim penal.

Dje është raportuar për bombë të vendosur në një shkollë fillore në lagjen Zemun, në Serbi.

E njëjta gjë ndodhi në anën tjetër të botës, në Shtetet e Bashkuara, kur nxënësit e shkollës së mesme Windsor Locks u dërguan në shtëpi pasi kërcënimi me bombë u gjet i shkruar në murin e banjës. Kërcënimi sugjeronte se një bombë do të shpërthente në orën 14:15. Si rezultat, shkolla u evakuua dhe prindërit u thirrën për të marrë fëmijët e tyre.

Kërcënimet me bomba për shkollat ​​në të gjithë SHBA-në janë pothuajse të përditshme dhe kanë qenë në të kaluarën, por janë rritur në intensitet vitet e fundit. Kërcënimet me bomba po arrijnë edhe në universitete, duke përfshirë edhe universitetin prestigjioz të Harvardit.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha të hënën se presidenti Joe Biden është në dijeni të kërcënimeve të marra dhe është në kontakt me autoritetet.

“Unë do të them se kjo është sigurisht shqetësuese dhe Shtëpia e Bardhë është në kontakt me partnerët ndërinstitucionalë, duke përfshirë udhëheqjen federale të zbatimit të ligjit, për këto akte,” tha Psaki në një konferencë për shtyp.

Amy Conley, studiuese e ekstremizmit që studion grupet dhe njerëzit që qëndrojnë pas shfaqjeve publike të dhunës, i tha shërbimit publik amerikan NPR se ajo filloi të vinte re “modele” të çuditshme në kërcënimet me bomba, duke përfshirë mundësinë që thirrjet të vinin nga vende të huaja.

“Shkalla dhe korniza kohore e ngjarjeve janë shumë, shumë të pazakonta. Thirrjet janë të qëndrueshme. Janë të koordinuara”, deklaroi ajo.

Sipas saj, elementët e këtyre thirrjeve ndryshojnë dukshëm nga ato që ajo i sheh zakonisht në kërcënimet e shkollave. Kështu për shembull, në këto raste, askush nuk merr “kredi” për këto telefonata, edhe kur ato ndodhin vazhdimisht për disa javë, dhe mënyra se si kryhet i gjithë “operacioni” ka një nivel të caktuar sofistikimi, diçka që, sipas Conley, nuk shihet normalisht.

Ndryshe, ky lloj mashtrimi quhet “swatting”, term që u referohet thirrjeve që raportojnë në mënyrë të rreme akt dhune që është në zhvillim e sipër ose që do të ndodhë. Kjo, sipas Conley, në parim është popullarizuar ekskluzivisht nga komunitetet online që janë të prirura ndaj dhunës dhe që kanë përcaktuar në mënyrë specifike armiq ideologjikë.

Por synimi i institucioneve dhe veçanërisht shkollave duket se është zhvillim i ri në këtë sferë dhe për momentin nuk është gjetur një zgjidhje më e përshtatshme se sa evakuimi i stafit pedagogjik dhe mësimdhënia e mundshme online për nxënësit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button