Tetovë, komuna mbetet me “telefon të prishur”

Komuna e Tetovës e krijoi ueb-faqen E-report që qytetarëve t’iu lehtësohej mënyra dhe të përshpejtohej raportimi i ndotësve të mjedisit jetësor. Por, ka disa vite që numri i vendosur në këtë uebfaqe është jofunksional. Ndonëse nga komuna janë të njoftuar me këtë problem dhe në janar të vitit të kaluar thanë se punojnë për të rregulluar çështjen, numri sërish mbetet i papërdorshëm, raporton Portalb.mk.

E-report u krijua me idenë që në çdo kohë të paraqiten ndotësit

Siç njoftoi asokohe Komuna, E-report është krijuar që qytetarët në çdo kohë të mund t’i paraqesin sjelljet e pandërgjegjshme të personave fizik dhe juridik të cilët me veprimet e tyre ndotin ambientin jetësor. Inspektorët ekologjik komunal siç premtoi komuna, do të reagojnë për secilin rast të paraqitur nga qytetarët të cilët duhet të plotësojnë formularin dhe të ngarkojnë fotografi nga vendi i ngjarjes.

Komuna me “telefon të prishur”

Numri i vendosur në këtë ueb-faqe, konkretisht: 080055043 për të paraqitur ndotjet në mjedis është jofunksional me vite të tëra. Portalb me dhjetëra herë gjatë tre viteve të fundit ka telefonuar për të vërtetuar nëse ky numër funksionon, por që është jofunksional.

Udhëheqësia komunale paraprake dhe ajo aktuale nuk e kanë parë të arsyeshme të zgjidhin këtë problem, edhe pse ndotja në mjedis nga qytetarët e pandërgjegjshëm tani më është problem i kamotshëm i Tetovës.

Komuna që në janar 2022 tha se po shqyrtohet ky problem

Portalb me 3 janar të vitit 2022 kërkoi nga Komuna se kur do e lëshojnë në funksion këtë numër. Kështu u përgjigjën nga Komuna e Tetovës me 5 janar 2022:

“Lidhur me pyetjen tuaj që ka të bëjë web faqen e komunës E-report ku qytetarët denoncojnë ndotësit e mjedisit (https://tetova.gov.mk/ereport/ ) është në përpunim e sipër dhe shpresojmë që në një kohë sa më të shpejtë të jetë në funksion për qytetarët.”

Por, më tepër se një vit më vonë, ky numër nuk është lëshuar në funksion ende.

Çfarë thotë sot Komuna?

Pyetëm kryetarin e Këshillit të Komunës së Tetovës, Besar Durmishin se përse ky numër nuk funksionon? Ai nuk ishte i njoftuar dhe na tha që të drejtohemi në Sektorin e Përgjithshëm të Komunës për këtë problem.

“Këtë pyetje mund të ia dërgoj Sektorit të Përgjithshëm të Komunës së Tetovës, për përgjigje se cila është arsyeja do duhet ta merrni nga ata. Por unë në kohë sa më të shkurtër nëse nuk e merrni do t’ua siguroj përgjigjen se cili është problemi”, tha Durmishi.

Ai shtoi se themelimi i organit të përbashkët inspektues i komunave të Pollogut do ndihmojë në zgjidhjen ndotjes në këtë rajon.

Drejtuam përsëri pyetje në Komunën e Tetovës se pse numri është jofunksional. Mirëpo deri në publikimin e këtij shkrimi nga komuna nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.

Përndryshe, numri i dënimeve të shqiptuara nga Inspektorati komunal për vitin 2022 nga fusha e mjedisit jetësor, sipas asaj që tha para disa javëve Komuna e Tetovës për Portalb, është vetëm pesë.

Që problemi me ndotjen është mjaft serioz dhe kërcënues për vendin tone e thotë edhe Raporti i fundit i Komisionit Evropian për progresin e reformave të Maqedonisë së Veriut. Në raport theksohet publikisht se gjatë këtij viti vendi duhet të përshpejtojë përpjekjet për reduktimin e ndotjes së ajrit në nivel lokal dhe kombëtar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button